TIRANE- Presidenti Bujar Nishani kthen ligjin për Shkollën e Magjistraturës. Drafti i cili kaloi në seancën plenare të datës 24 korrik nuk mori pëlqimi ne presidentit duke u rikthyer në Kuvend për rishqyrtim. Ndryshe nga herët e tjera, kreu i shtet këtë rast ka kërkuar që të përfaqësuesit e tij të jenë vetë në komisionin parlamentar të Ligjeve për të mbrojtur dekretin e presidentit, gjë e cila është pasqyruar edhe në arsyetimin e tij.

Si argument kryesor për këtë vendim Nishani kishte faktin se cenoheshin kompetencat e Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe duke marrë shkasë se deputetët e Ligjeve shpesh herë kanë theksuar se argumentimet e Presidentit kanë qenë të dobëta, këtë herë ai ka kërkuar që dekretin ta mbroj në Komision, gjë e cila më parë kërkon edhe pëlqimin e kreut të Ligjeve, Fatmir Xhafaj.

“Me përbërjen e re të Këshillit Drejtues shihet qartë se shtohet pjesëmarrja e pushtetit ekzekutiv në këtë Këshill dhe përjashtohet Këshilli i Lartë i Drejtësisë i cili sipas ligjit dhe Kushtetutës “është autoriteti shtetëror përgjegjës për mbrojtjen, emërimin, transferimin, shkarkimin, edukimin, vlerësimin moral e profesional, karrierën, dhe për kontrollin e veprimtarisë së gjyqtarëve të gjykatave të shkallës së parë dhe të gjykatave të apelit”. Përveç heqjes së kompetencës për emërimin e Drejtorit të Shkollës së Magjistraturës nga KLD, ulet numri i gjyqtarëve dhe prokurorëve (nga 2 në 1 për secilën kategori) që janë pjesë e Këshillit Drejtues dhe kushtëzohet përzgjedhja e gjyqtarit anëtar të Këshillit Drejtues nga Konferenca Kombëtare Gjyqësore dhe jo nga KLD.

Pjesëmarrja e përfaqësuesve të Këshilli të Lartë të Drejtësisë në Këshillin Drejtues të Shkollës së Magjistraturës është e vetmja mundësi e këtij institucioni për të qenë pjesë e vendimmarrjes në procesin e propozimit dhe emërimit të gjyqtarëve. Përjashtimi nga kjo pjesëmarrje bie ndesh me nenin 136 pika 4 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Gjithashtu, referuar prononcimeve Tuaja se arsyetimet e kthimit të ligjeve nga Presidenti i Republikës janë “të dobëta” kërkojmë t’i mbrojmë para Komisionit duke respektuar parimin e të drejtës për t’u dëgjuar”,- thuhet në argumentimin e presidentit Nishani në kthimin e ligjit për rishqyrtim në Kuvend.

Por dekreti i Nishanit do të merret për shqyrtim pas fillimit të muajit shtator pasi aktualisht Kuvendi është me pushime. Sesioni i ri parlamentar do të nis në muajin shtator i cili pritet që të ketë një rendiment të lartë politik pas përveç refuzimeve të Nishani janë edhe ligjet të cilat nuk janë miratuar ende nga deputetët të mazhorancës pasi opozita e ka bojkotuar Kuvendin.
 

Kreu i shtetit ka rrëzuar 9 ligje të miratuar në Kuvend
Me dekretin e djeshëm numri i ligjeve të kthyera nga Nishani shkojnë në 9. Konkretisht presidenti i republikës ka kthyer 4 ligje, atë për Shkollën e Magjistraturës, për Karrierën në FA, për drejtimin e dhe komandimin e FA si edhe vendimin për shkarkimin e Zana Xhukës dhe zëvendësimin me Shkëlqim Ganaj. Krahas këtyre, kreu i shtetit ka kaluar 5 ligje në heshtje si buxhetin vjetor, legalizimet, AMF, pagesat e institucioneve, shërbimin shëndetësor.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 12 Gusht 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)