TIRANË- Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, iu drejtua sot me një mesazh urimi gjithë besimtarëve myslimanë, me rastin e Festës së Kurban Bajramit. Ai i fton ata të lënë mënjanë mëritë, duke u afruar, respektuar dhe ndihmuar njëri-tjetrin.
"Gëzuar këtë festë të madhërishme që na afron me njëri-tjetrin, kur fëmijëve u jepen dhurata, ushqimi ndahet me fqinjin dhe fukarain, i ngopuri kujton të uriturin, pasunari fukarain, i shëndetshmi të sëmurin, i suksesshmi hallexhiun, dhe të gjithë së bashku kujtojmë Zotin", shkruan Presidenti në mesazh.
Këtë Kurban Bajram, vijon mesazhi, e festojmë fill pas vizitës historike të kreut të botës së besimit tjetër, besimit katolik, gjatë së cilës Ati i Shenjtë dhe bota mbarë vunë theksin mbi një nga vlerat tona kombëtare më të çmuara, tolerancën fetare, respektin reciprok për besimin e tjetrit, paqen mes njerëzve me besim të ndryshëm.
"Që secili të mbrothësohet, që vendi të begatohet, që paqja të mos rrezikohet, ta festojmë edhe këtë Kurban Bajram si e kemi festuar gjithmonë, duke lënë mënjanë mëritë, duke iu larguar sherreve, duke u afruar, duke u respektuar, duke u vëllazëruar, duke u ndihmuar", citohet mesazhi i Presidentit të Republikës, me rastin e Festës së Kurban Bajramit. /ATSH/