Presidenti i Republikës Bujar Nishani, i shoqëruar nga Zonja e Parë, Odeta Nishani dhe në krye të delegacionit shqiptar po zhvillon një vizitë pune në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku është i ftuar për të ndjekur votimin e rezolutës për rolin e kombit shqiptar, e kërkuar nga anëtari i Asamblesë së Nju-Jorkut, Mark Gjonaj.
 
Pas votimit të kësaj rezolute, Presidenti i Republikës do t’u drejtohet më një fjalë të pranishmëve në punimet e Asamblesë si dhe Senatit të Shtetit të Nju-Jorkut.
 
Axhenda e qëndrimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës parashikon takime të Presidentit Nishani me pjesëtarë të Asamblesë dhe të Senatit të Nju-Jork-ut, vizita në ‘Hebrew Union College’, një ligjëratë në ‘Manhattan College’, si dhe takime me politikanë të Nju-Jorkut e personalitete të shquara shqiptaro-amerikane me një kontribut të qenësishëm në promovimin e vlerave humane të shqiptarëve.
 
Kreu i Shtetit shqiptar do të zhvillojë takime edhe me drejtuesit e Fondacionit “Raoul Wallenberg”, me organizatën “Sisterhood of Salam” dhe ‘’Ethnic Understanding”, të cilat punojnë në promovimin e dialogut ndërfetar.
 
Në përfundim të vizitës së tij, Presidenti Nishani do të mbajë një ligjëratë me temë: “Mbi tolerancën fetare” në Manhattan College, Riverdale si dhe do të përshëndesë aktivitetin, që do të mbahet në B’nai Jeshurun Sinagogue. Ky aktivitet mbahet në shenjë vlerësimi ndaj ndihmës së vyer që dhanë shqiptarët në shpëtimin e hebrenjve.
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)