Nishani: Nëse kreu i SHISH ka
shkelur ligjin, firmos shkarkimin

Nishani: Nëse kreu i SHISH ka<br />shkelur ligjin, firmos shkarkimin
TIRANË - Nëse vërtetohet se kreu i SHISH ka shkelur ligjin atëherë presidenti Bujar Nishani do të firmosë shkarkimin e tij. Këtë e ka shprehur Kreu i Shtetit në emisionin “5 Pyetjet nga Babaramo”. Ndërsa është shprehur se ende nuk ka një raport zyrtar lidhur me përgjimet e SHISH, Nishani theksoi se në dijeni nuk ka përgjime të paligjshme, duke shtuar se ky shërbim vepron me miratim të Prokurorit të Përgjithshëm apo Gjykatës. Kreu i Shtetit tha se komisionit hetimor të ngritur për këtë çështje mund t’i vihet në dispozicion vetëm informacioni që i lejon ligji, pasi në kundërt personat përgjegjës rrezikojnë të ndiqen penalisht.
 
Duke u ndalur tek një tjetër komision hetimor, i ngritur kësaj here për KLD, presidenti Nishani tha se është i paligjshëm, pasi legjislativi nuk mund të hetojë këtë institucion. Në bazë të Kushtetutës sipas Nishanit, këtë proces mund ta kryejë vetëm Gjykata e Lartë.

Sa i takon shtyrjes së vizitës së kryeministrit Rama në Beograd për në datë 10 nëntor presidenti Bujar Nishani tha se është vendimi i duhur, nisur edhe nga rrethant e krijuara, duke theksuar se pala serbe nuk argumentoi shtyrjen e vizitës. Më tej, Kreu i Shteit është ndalur edhe tek reagimi i fqinjëve për incidentin e Beogradit, duke vënë theksin në rëndësinë e bashkëpunimit mes vendeve të Ballkanit.

Presidenti Nishani ka bërë të ditur se deri tani ka pasur 42 aplikime për kreun e Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, duke theksuar se së shpejti do të ftojë  Metën, Ramën e Bashën për të diskutuar rreth emrit të ri në krye të BSH-së. Gjithashtu Nishani ka shtuar se mos pranimi i tij për një emër të huaj në kryet të BSH-së lidhet me çështjen e përgjegjshmërisë dhe mosdemotivimit të shqiptarëve.
 
Nishani ka shprehur mbështetjen e tij të plotë për Kryeprokurorin Llalla duke hedhur poshtë edhe zërat se ky i fundit nuk ishte ftuar në vizitën e Papa Françeskut, si një mesazh që paralajmëronte marrëdhëniet e ftohta. “Kryeprokurori është ftuar zyrtarisht në vizitë, por nuk ka marrë pjesë pasi ka qenë në një takim pune në Kosovë.”-tha Nishani.
 
Ndërkohë që për incidentin që ka ndodhur mes Llallës dhe Shpëtim Hajdarit, Presidenti Nishani u shpreh se janë organet përkatëse që merren me këtë çështje.

 
A duhet ta shtynte Rama vizitën në Beograd ?
Nuk e quaj as të drejtë as të ndershme që të analizohen çështje pasi ato kanë ndodhur në një situatë të caktuar, apo realitet të caktuar. Gjykoj se shtyrja është me vend, apo e argumentuar për shkak të një seri rrethanash që erdhën. Kishim një qëndrim të kryeministrit të Shqipërisë për të realizuar vizitën, për fat të keq kishim një qëndruar të paqartë të dyzuar të palës serbe. Me një shtyrje të paargumentuar të vizitës nga ana e tyre. Pro mendoj se kjo shtyrje u ndikua nga situata.
 
Pse bashkësia ndërkombëtare këmbëngul kaq shumë në zhvillimin e kësaj vizite në kohën kur sinjalet që vijnë nga Beogradi, ishin të tilla se gjithçka mund të ndodhte, po jo vizita e kryeministrit Rama.
Nuk ka trysni dhe as nuk ka pasur. Nuk ka mekanizma dhe raporte të tilla që të ushtrohet trysni apo presion mbi autoritetet një shtetit të caktuar. Ka një politikë të pandryshueshme të SHBA apo BE, që dialogu apo kontaktet të jenë në bazën e zgjidhjes së të gjitha mosmarrëveshjeve, jo vetëm në rajonin e Ballkanit, por kudo të botë. Ka ende njerëz të zhdukur në Kosovë që nuk gjenden. Ndaj është normale të ulesh në tryezë të bisedosh, të argumentosh dhe të mbrosh parimet dhe interesat e tua kombëtare.
 
Po të ishit ju në këto rrethana, në këtë rast do ta kishit shtyrë vizitën?

Unë i besoj politikës së kontaktit, të dialogut, të takimeve dhe për mua nuk ka shumë rëndësi kati formal i realizimit të një vizite. Edhe në rastin e vizitës së kryeministrit, unë nuk kam informacione për përmbajtjen e vizitës së kryeministrit dhe mesazhet që do të çohen në Serbi. Është shumë e rëndësishme marrëveshjet për të cilat do të bisedohet. Për këtë do të ndjek me interes se cili do të jetë produkti i vizitës së kryeministrit, pasi kemi çështje që duhet të zgjidhim me palën serbe. Kemi me tekstet, arsimin, njohjen e diplomave, çështjen e Preshevës, të cilat duhet të konkludohen me marrëveshje konkrete. Për mua është e rëndësishme pjesa përmbajtjesore e vizitës dhe jo ajo protokollare, dhe me rëndësi është se çfarë do të arrihet nga vizita.
 
Në përgjithësi politika e jashtme e shtetit shqiptar është unike. Vetëm në rastin e Rambujesë, kur pati një ndarje më dysh të mendimeve. E njëjta gjë ndodhi pak a shumë edhe me debatin që ngjalli vizita e Ramës në Beograd. Një pjesë që thonin duhet të shkojë. Dhe një pjesë duhet ta anulojë. Si i gjykoni ju këto qëndrime?
Rasti i marrëveshjes së Rambujesë është me rëndësi pasi bëhet fjalë për çështje me rëndësi për paqen e rajonit. Edhe në këtë rast qëndrimet janë të ndryshme. I vlerësoj gjykimet e gjithsecilit, nuk më takon mua të them nëse janë të drejta apo jo. Kreu i opozitës, Lulzim Basha, është ndër ministrat më të mirë të Jashtëm të Shqipërisë. E rëndësishme është në politikën e jashtme për fat të mirë ka një unitet qëndrimi. Jam i bindur që kjo politikë që kemi ndjekur ne në aspektin ndërkombëtar e ka sjellë Shqipërinë në tryeza të rëndësishme.
 
Dy ditë pas incidentit në stadiumin e Beogradit, u organizua një paradë në kuadrin e 70-vjetorit të çlirimit të Beogradit. Data u zhvendos me 4 ditë, dhe mediat ruse thonë se kjo u bë në funksion të axhendës së presidentit rus Putin. Gjithë analistët kanë konstatuar se kjo flet për një marrëdhënie të re të Serbisë me Rusinë. Ju shikoni një rikthim të Rusisë në Ballkan dhe a përbën kjo një shqetësim?
Së pari është një çështje që i takon sovranitetit të shtetit serb dhe politikës së tyre që të vendosin aleanca me shtetet e tjera. Askush të mos mendojë se mund të provokojë stabilitetin dhe sigurinë e Ballkanit. Askush nuk duhet të harrojë se dy shtete dhe kombe të rëndësishme të Ballkani, Shqipëri dhe Kroacia janë anëtarë të NATO-s. Maqedonia dhe Mali i Zi janë afër anëtarësimit. Ekzistenca e faktorit shqiptar si faktori kryesor në shërbim të paqes dhe stabilitetit, dhe garantimit të tyre, është një shans për gjithë rajonin. Çdo përpjekje provokative është e destinuar të dështojë.
 
Do doja t’ju pyesja si president i një vendi të NATO-s. A shihni në Ballkan një ndasi mes prezencës së NATO-s dhe ushtrisë ruse?
Nuk ka mundësi për një ndarje të tillë. Nuk mund të ketë raste të tilla. Historia na ka mësuar shumë, por jam i bindur që perspektiva dhe e ardhmja janë shumë më të qarta se kurrë më parë. Popujt po adresohen tek e ardhmja e tyre e paqtë.
 
Si e gjykoni reagimin e fqinjëve të Ballkanit për incidentin e Beogradit?
Jam i prirur t’i shikoj të gjitha deklaratat ashtu si ato kanë qenë zyrtarisht. Ato kanë qenë në linjën e stabilitetit dhe bashkëpunimit.
 
A jeni në dijeni se në faqen e homologut tuaj grek ekziston një term “Himara e Vorioepirit”?
Nuk e kam parë, por e kam dëgjuar, por do doja që çështje të tilla të jenë brenda kuadrit të nevojshëm.
 
Kryeministri Rama deklaroi nga kjo studio për raporte të mira me presidencën sa i takon zgjedhjes së Guvernatorit të ri të BSH. Cili është mendimi juaj?
Nuk di se në cilin aspekt e shikon kryeministri. Por unë di të them qëndrimin e presidencës si institucion, ku nuk mungon angazhimi për të krijuar raporte të bashkëpunimit reciprok. Që nga dita e parë e qeverisë së re, nuk kam ndjerë këtë lloj relacioni, përveçse të qenit në lloj deklaratash të panevojshme, jo nga kryeministri. Ka pasur një sërë aktesh të tjera të cilat kanë qenë krejtësisht të paargumentuara. Reduktimi dhe heqja e kompetencave të presidentit jo vetëm që kanë qenë në kundërshtim me kushtetutën dhe praktikën e kontrollit dhe balancimit të pushteteve, por jam i bindur se nuk do t’i shërbejnë jetës demokratike të vendit. Ashtu siç ka pasur edhe rrëzim të paargumentuar të dekreteve të presidentit. Bordi i Autoritetit të Konkurrencës ka një anëtar që emërohet nga presidenti, të cilit i ka mbaruar në prill mandati. Që në prill është dorëzuar dekreti për emërimin e anëtarit të ri dhe deri më sot nuk është marrë në shqyrtim. Janë dy emra të propozuar për një vend. janë të dy emra teknicienë, nuk janë politikë. Kuvendi mund t’i rrëzojë, por ama duhet të shqyrtojë çështjen. Serioziteti dhe garancia e institucioneve në Shqipëri është një çështje kulture që duhet të krijojnë në Shqipëri.

Si ju edhe kryeministri në mënyrë paralele keni hapur një konkurs se kush do të marrë postin e Guvernatorit. Ligji ju detyron të zgjidhni një emër konsensual. Në çfarë faze është proces?
Ajo që kam thënë unë nuk ka të bëjë me një lloj konkursi, por me ndihmë. Pasi u ndeshëm me një situate të papritur ku BSH mbeti pa Guvernator.
 
Sa aplikime ka pasur?
Ka pasur 42 aplikime. Një pjesë e vogël e tyre plotësonte kriteret ligjore për Guvernator të Bankës. Ashtu siç e thatë edhe ju duhet të konvenojë në një emërim konsensual. Besoj te ajo çfarë është deklaruar nga shumica qeverisëse. Në këtë proces do të ftoj kreun e Parlamentit Kryeministrin dhe kreun e Opozitës
 
Kur do i ftoni?
Besoj se së shpejti.
 
Po negociate me përfaqësues ose Kryeministrin keni pasur?
Kanë qenë dy takime me Kryeministrin, të cilat kanë qenë takime krejt parimore. Takimi i parë pas ngjarjes. Takimi i dytë ka qenë i orintuar te guvernatori.

Emrat, do jenë teknicienë apo me background politikë?
Nuk besoj se duhen me me background politikë.
 
Keni vendosur një afat se kur duhet zgjedhur ky Guvernator?
Jam interesuar që Guvernatori i ri i Bankës së Shqipërisë të të zgjidhet sa më parë
 
Pse e keni paraqitur anën formale që Guvernatori duhet të jetë shqiptar?
Nuk është te formaliteti, e kam te përgjegjshmëria. Përmes një akti të vendosjes së një të huaj në krye të institucioni kryesor monetar në Shqipëri. Do demoralizonim shqiptarët.
 
 
Nëse emri që ju do zgjidhni do jetë nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë?
Jo nuk do të jetë kriter. Kam preferuar të dalë përtej anëtarëve aktual të Këshillit Mbikëqyrës. Guvernatori në detyrë një personalitet me shumë eksperiencë. Beso se marrja përlëpirë e drejtimit nga një person me një dinamizëm të ri do i bënte më mirë  edhe besueshmërisë.
 
A jeni i kënaqur me punën e Prokurorisë? 
Kam vlerësuar punën, gjithsesi vazhdoj të mbetetm vlerësuar për vullnetin që ka pasur Kryeprokurori
 
Mosftimi  në Vizitën e Papës ishte një sinjal për Kryeprokurorin?
Prokurori është ftuar zyrtarisht në vizitë, por nuk ka marrë pjesë pasi ka qenë në një takim pune në Kosovë.
 
A ju duket normale incidenti në aktivitetin e Prokurorisë?
Nëlse ka ndodhur dhe ka dëshmitarë të thyrjes së ligjit në ceremoninë e Prokurorëve duhet të ketë adresim në institucionet përkatëse. Ka pasur akuza edhe të drejtpërdrejta. Nuk do të dua të ndërhyj drejtësi e ka në dorë.
 
Keni marrë një letër nga Shpëtim Hajdari?
Po kam marrë, ishte një letër informuese për atë se çfarë ndodhi atje. I është përcjellë për ndjekje Kryeprokurorit. Kam besim të plotë te Prokuroria shqiptare, te sistemi i gjykimit të këtyre rasteve të cilat do të investigohen më tepër. Çështjet e korrupsionit kanë impakt në të gjitha sferat e shoqërisë.
 
Arrestimin e Guvernatorin e konsideroni si veprim që duhej bërë nga Prokuroria apo si veprim që erdhi nga presioni?
Çështja në ndjekje nga Prokurori është nën hetim, nuk ka kaluar akoma në Gjykatë. Arrestimi nuk do të thotë fajtor. Është Gjykata ajo që përcakton është apo jo fajtor. Faktet bëhen publike në sallën gjyqit. Dhe unë padyshim do kem qëndrimin tim në lidhje me atë që do thotë drejtësia.
 
Nëse drejtësia thotë se qe një masë e nxituar ju do merrni masa?
Presidenti nuk merr dot masa. Është prokurori i përgjithshëm ai që vepron. Por qëndrim institucional padyshim që do të kemi. Është një çështje serioze e cila ka disa pikëpyetje. Më ka bërë përshtypje që pjesa më e madhe u zhvendos nga akti kriminal i vjedhjes, tek përgjegjësia institucionale e guvernatorit. Kjo është çështje e prokurorisë, dhe mund të kenë shumë herë më shumë të dhëna. Ndaj them se duhet të presim vendimin e gjykatës.
 
E keni pyetur prokurorin pse nuk ju njoftoi për arrestimin e guvernatorit?
Nuk kanë thënë që nuk më ka njoftuar, por që nuk kam qenë në dijeni. E kam vlerësuar si një rast që presidenti duhet të ishte në dijeni, por nuk di të them se cila ka qenë arsyeja. Por prokuroria nuk është e detyruar të vërë në dijeni presidentin e republikës. Por unë e kam konsideruar të arsyeshme që të vihej, në mënyrë që presidenti të kontribuonte në rastin e një tentative, apo krizë që mund të shpërthente në situatën financiare, për ruajtjen e stabilitetit financiar të vendit. Unë e kam mësuar nga televizionet.
 
Ju nuk keni patur informacion se mund të arrestohej Guvernatori?
Nuk di se çfarë i ka thënë kryeministrit, nuk kam asnjë kuriozitet të di.
 
Sa i takon komisionit hetimor, jeni shprehur se jeni kundër komisionit parlamentar?
Pavarësisht se nuk është pjesë e drejtimit të gjyqësorit, KLD është pjesë e tij. Ka një natyre dhe kompetencë specifike brenda pushtetit të gjyqësorit. Nuk buron nga legjislativi, veç ministrit që është anëtar i tij, dhe tre anëtarë nga parlamenti. Nuk mundet të hetojë legjislativi, dhe aq më keq akoma një procedurë kuazi-gjyqësore, një sistem tjetër. edhe anëtarët e zgjedhur nga parlamenti nuk përfaqësojnë parlamentin, ata janë të pavarur. Vendimet e KLD janë vendime kolegjiale me shumicën e votave. Ligji e ndalon mosbotimin. Çdo anëtar i KLD sipas ligjit është i detyruar të votojë pro ose kundër, nuk mund të abstenojë, dhe parlamenti nuk mund të hyjë kurrsesi të hetojë. Ata po hetojnë vendimet e KLD, që në basë të kushtetutës mund të bëjë vetëm gjykata e lartë.
 
E njëjta gjë ndodhi edhe në rastin e shkarkimit të Kreshnik Spahisë?
E kam dëgjuar këtë, dhe më vjen keq që spekulohet. Spahiu ka dhënë dorëheqjen, ka pasur një komision për shkak se zoti Spahiu u përfshi në politikë. Është një rast krejt tjetër. Nuk është hetuar zoti Spahiu për ndonjë qëndrim të tij si pjesë e KLD.
 
Ju u shpjeguat se po ju bëjnë presione, deri edhe të familjarët e anëtarëve të KLD?
Në KLD ka edhe qëndrime që mbahen individuale, por anëtarët e KLD në më shumë se njëherë kanë deklaruar në mbledhje që janë të terrorizuar dhe se nuk mund të kryejnë dot gjyqe me çka kanë ndeshur në punën e tyre të përditshme. Një të afërmi të një të anëtari të KLD që ka një biznes i kanë vendosur gjoba të majme. Dikujt tjetër i shkohet për t’i hequr licencën. Nëse thirrën në ILDKPKI si në hetuesi, normale që ka shqetësim. Të gjithë duhet të jemi të barabartë para ligjit. Nëse ka dallime të tilla, ka probleme, kjo është një situatë që nuk duhet të ndodhë.
 
Nëse ILDKPKI ju kërkon shpjegime, pasi të gjithë thonë se gjyqtarët janë pjesa më e korruptuar, pse duhet të jetë ky shqetësimi?
Jo nuk flas për këtë, por për mungesën e transparencës. E inkurajoj standardin ligjor maksimalisht. Ata kanë zgjedhur rrugën ligjore për të adresuar problemet e tyre. Po kështu kanë të drejtën e tyre për ta bërë publike.
 
Sa i takon SHISH, a keni dijeni për përgjime të paligjshme?
Unë s’kam marrë asnjë raport, nuk kam dijeni për raportin e përgatitur nga deputetit. Si president, emëroj kreun e SHISH, por të gjitha informacionet e deritanishme të miat janë se nuk ka kryer asnjë përgjim të paligjshëm. Duhet të shoh materialin dhe të shoh se çfarë pretendohet. Nga raportimi i medias kuptoj se kanë dale raste të investigimit të personave të tjerë. Po marr një hipotezë. Nëse një person hetohet për një çështje të caktuar, përmend emrin e presidentit, nuk do të thotë se presidenti është i përfshirë në përgjim. Krimi është mjaft i sofistikuar dhe përdor metoda nga më të ndryshmet. Por ajo që unë garantoj në dijeni time, është se SHISH ka kryer detyrën e tij, dhe se nuk ka dalë nga objekti i punës, dhe nga detyra e tij. Nuk kryen SHISh përgjime pa miratimin e Prokurorit të Përgjithshëm apo Gjykatës. Do t’i kërkoj zyrtarisht sqarime, kur të ketë diçka zyrtare.
 
Në raport thuhet se janë përgjuar telefonata të kryeministrit, të kryetarit të parlamentit?
Nuk e kam parë raportin, dhe nuk di të them. Nuk di sa është e bazuar në fakte. Nuk di të them rast të përgjimit të telefonit të kryeministrit. Mund t’i jepet komisionit informacioni që i lejohet nga ligji. Nëse jepet informacioni që nuk e lejon ligji, ata persona që e japin, përballen me përgjegjësi penale.
 
Listën e atyre që janë përgjuar që ka dalë në media e keni parë?
E kam parë në media, por nuk kam asnjë informacion zyrtar. Unë pres të kem një raport.
 
Ju ka bërë përshtypje që në atë listë nuk ka mbështetës të zotit Berisha?
Çdo të thotë se nuk ka mbështetës të zotit Berisha, kur ai është larguar nga drejtimi i qeverisë apo PD-së prej kohësh.
 
Ka akuza se SHISH prej kohësh ka qenë me konotacion politik?
Unë nuk e njoh një detaje përbërjen e SHISH në emra, por ka patur debat se në shërbim janë marrë njerëz jashtë ligjit. Por pas ardhjes së Vishi Ajazit ka qenë i limituar rekrutimi i njerëzve, dhe është bërë shumë korrekt dhe në zbatim të ligjit. Nuk ka gjasa të ketë individë, apo përfshirë edhe ish-kryeministrin Berisha që të ketë influenca.
 
Kryeministri ua ka shprehur si shqetësim çështjen e përgjimeve?
Jo nuk kam pasur të shprehur një shqetësim të tillë.
 
Nëse ju vjen një raport që ka shkelje ju do të firmosni kërkesën e kryeministrit për shkarkimin e kreut të SHISH?
Nëse vërtetohet se kreu i SHISH ka shkelur ligj do të firmos shkarkimin.
 
Redaksia Online
(e.s/a.h/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria hap negociatat me BE për kapitullin 1, kur do ndodhë integrimi?



×

Lajmi i fundit

Kapiteni Elseid Hysaj: Goli i dytë na 'preu' këmbët, edhe mund të fitonim

Kapiteni Elseid Hysaj: Goli i dytë na 'preu' këmbët, edhe mund të fitonim