TIRANE-   Para se të votohet në Kuvend Bujar Nishani i ka dorëzuar kryeministrit Berisha dorëheqjen nga posti i ministrit të Brendshëm, për t’i hapur rrugën ligjërisht kandidimit të tij për postin e presidentit. Lajmi është konfirmuar për Shqiptarja.com nga zëdhënësi i ministrisë së Brendshme, Fatmir Konja.

Dorëheqja është dorëzuar pasditen e së hënës. Ndërsa paradite Nishani vazhdonte të mbante detyrën e ministrit të Brendshëm.

Me këtë ofice, Nishani takoi dje paradite drejtorin Ekzekutiv të Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Krimin dhe Drogën në OKB, ku kishte marrë dhe vlerësimin për rezultatet e arritura nga Shqipëria në luftën kundër krimit dhe trafikut të drogës.

Takimi me Drejtorin Ekzekutiv të Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Krimin dhe Drogën u zhvillua në kuadër të turit që ai kishte ndërmarrë në rajonin tonë.

Në media përflitet se vendi i lënë bosh në ministrinë e Brendshme do të zëvendësohet nga kreu i LSI-së Ilir Meta.

(sg/shqiptarja.com)