PRISHTINE- Presidenti Bujar Nishani në mënyrë aksidentale është bërë pjesë e një incidenti insititucional gjatë vizitës së tij në Kosovë. Në axhendën zyrtare të shpërndare për mediat në Tiranë krahas takimeve me personalitetet më të larta kosovare të bie në sy dhe vizita e Nishanit në universitetin AAB ku është parashikuar që kreu i shtetit të mbajë dhe një fjalim. Por kjo ka shkaktuar shumë polemika në Kosovë për shkak të akreditimeve të institucioneve të larta arsimore në Kosovë.

Ministria e Arsimit të Kosovës ka vendosur që një pjese e institucioneve të arsimit universitar në Kosovë të cilësohen si kolegje dhe jo universitete. Por në ftesën zyrtare drejtuar Nishanit AAB cilësohet si Universitet dhe jo si kolegj siç është akredituar zyrtarisht. Mediat kosovare e kanë cilësuar këtë si manipulim që po i bëhet kreut të shtetit shqiptar në vizitën e tij të parë që po bën në Kosovë.

Ndërkaq krerët e këtij kolegji e cilësuan këtë një gabim teknik i bërë në ftesa nga administrata. Gazeta “ Zëri” në Kosovë kontaktoi dhe Ambasadën e Shqipërisë në Prishtinë, por kjo e fundit mohoi që të ketë marrë ndonjë ftesë zyrtare për këtë ceremoni.

Nga zyra e ambasadorit, Andi Gjoji i është përgjigjur gazetës përmes telefonit se ambasada nuk ka marrë ftesë me shkrim për këtë ceremoni. Ndërkohë agjencia për Akreditim e Kosovës (AAK) e ka cilësuar këtë si antiligjore dhe zipas zyrtarëve të kësaj agjencie është shkelje shumë e rëndë të quhesh universitet kur je kolegj i akredituar. Kurse Ministria e arsimit të Kosovës tregohet më e ashpër në qëndrimet e saj.

 Zv ministri Nehat Mustafa ka deklaruar se nuk do marrë pjesë në këtë cermoni për shkak të kësaj shkelje. Ende nuk dihet qëndrimi i kreut të shtetit shqiptar nëse do jetë pjesëmarrës dhe nësë do flasë ose jo, në kushtet kur në xhep mban ende ftesën e një institucioni arsimor që po bojkotohet dhe nga autoritetet në vend
(ns/sg/shqiptarja.com)