Nishani "nuk habit", drejt mos
 dekretimit të ligjit të Arsimit

Nishani "nuk habit", drejt mos<br /> dekretimit të ligjit të Arsimit
TIRANE- Presidenti i Republikës ka lënë të kuptohet se ka rezerva për Ligjin e Arsimit të Lartë dhe se po shkon drejt mos dekretimit të tij. Pasi miratimit nga Parlamenti, Bujar Nishani do të zhvillojë nesër një takim me pedagogë dhe akademikë për tu njohur me rezervat e tyre për këtë ligj. Ky veprim i Presidentit tregon se kreu i shtetit, mund të mos e dekretojë këtë ligj. Bazuar në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, firma e fundit për një ligj pas miratimit të tij nga Parlamenti, i takon Presidentit.

Ky i fundit, si garant i Kushtetutës, përmes stafit të tij teknik e juridik, verifikon nëse ky ligj ka apo jo mospërputhje me Kushtetutën. Në rast se ai konstaton një mospërputhje me aktin themeltar të shtetit, refuzon firmën dhe e rikthen për shqyrtim fillestar në Kuvend. Verifikimi nëse ligji është apo jo kushtetues, në praktikën normale nuk bëhet përmes dëgjesës së palëve, por përmes stafit të specializuar pranë Presidentit të Republikës.

Kjo devijancë nga praktika e zakonshme e shqyrtimit të përmbajtjes së ligjit të sjellë nga ligjvënësit, dhe përfshirja e pazakontë e grupeve të interesit në këtë proces, tregon tentativën e kreut të shtetit për të “justifikuar” rrëzimin e ligjit. Është e vërtetë që akademikët, pedagogët dhe studentët e kanë kundërshtuar ligjin dhe kanë quajtur atë antikushtetues, por ajo që nuk kuptohet, është se cili është qëllimi i kreut të shtetit me këtë takim. Pritet për t’u parë se cili do të jetë veprimi dekretues i Presidentit pas këtij takimi konsultues me grupet e interesit për arsimin e lartë.

Nëse do të ketë një rrëzim të këtij ligji, ky veprim do t’i “shijonte” shumë kreut të opozitës, i cili publikisht i ka bërë thirrje numrit një të shtetit të mos e dekretojë këtë ligj. Madje edhe kërkesa e Bashës erdhi pas një takimi që ai pati me të njëjtët njerëz kritikë për Ligjin e Arsimit të Lartë. Ligji i Arsimit të Lartë, i miratuar nga Kuvendi të martën do të jetë pjesë e diskutimeve që Presidenti i Republikës, Bujar Nishani do të zhvillojë me pedagogë dhe akademikë.

Zyra për shtyp e Presidencës thekson se, takimi konsultues është parashikuar të zhvillohet në Presidencë ditën e hënë në orën 11:00. Tashmë, ligji i Arsimit të Lartë pas miratimit në Kuvend pritet të marrë dhe firmën e kreut të shtetit, për dekretim. Takimi vjen pikërisht në kuadër të kundërshtimeve që disa akademikë dhe pedagogë kanë kundër ligjit.

Procedura
Nëse Presidenti e rikthen për shqyrtim Ligjin për Arsimin e Lartë, do të duhet të pritet shtatori që Komisionet Parlamentare të marrin në shqyrtim dekretin e Nishanit, e më pas të kalohet përsëri për diskutim në seancë. Sidoqoftë, kjo kohë e shtyrë nuk ka efekte të menjëhershme, pasi efektet e tij janë për vitin 2016.
 

Arsimi, Basha: Nishani të mos e dekretojë, e çojmë në Kushtetuese

Kur kishin kaluar pak orë nga miratimi në parlament vetëm me votat e mazhorancës të ligjit për “Arsimin e Lartë”, Partia Demokratike thirri sërish në një tryezë përfaqësues të pedagogëve dhe studentëve. Ky takim, i dyti i organizuar nga opozita brenda 3 ditëve, para dhe pas miratimit të reformës, shërbeu për të dakordësuar “planin e veprimit” të “Lëvizjes për Universitetin” dhe Partisë Demokratike, për të bërë të mundur kthimin e ligjit dhe rishikimin e tij me grupet e interesit dhe në parlament.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i bëri thirrje kreu të shtetit të mos e dekretojë këtë ligj, dhe u angazhua se PD do të përdorë çdo mjet për ta penguar ligjin të hyjë në fuqi, kërkesë të cilën duket se Nishani e ka marrë në konsideratë. Ai u shpreh pas takimit se, opozita do të ndërmarrë një aksion masiv institucional me të gjitha instancat që kanë në dorë të ndalojë ligjin, nga Presidenti tek Gjykata Kushtetuese. Ai tha se PD do të mbështesë “planin e veprimit” të pedagogëve si dhe iniciativën e tyre që t’i kërkojnë Presidentit e Kushtetutës, të mos e miratojnë projektligjin. 

Qendrimi

KE dhe Anglia vlerësojnë pozitivisht ligjin për arsimin
Ligji për Arsimin e Lartë, ligj i cili në Shqipëri u miratua në parlament me shumë debate është përshëndetur nga Komisioni Evropian dhe nga Britania e Madhe. Drejtori i Përgjithshme për Arsimin dhe Kulturën në KE, Xavier Prats Monne ka uruar ministren e Arsimit, Lindita Nikolla për kalimin e ligjit duke i thënë se duhet të ndihet krenare për këtë gjë. “Duhet të jeni krenare për çka keni arritur. Gjithashtu, e di se ky është vetëm fillimi, jo fundi.

Që nga diskutimi ynë në Tiranë, tani që ligji i ri po shkon drejt implementimit, kjo mbetet sfida e radhës. Por unë nuk kam dyshime, se ju do të tregoni sërish që jeni të aftë për të mbajtur barrë mbi supe”,-thuhet në mesazhin e Komisionit Evropian. Edhe ambasada Britanike në Shqipëri ka mbështetur miratimin e ligjit për Arsimin e Lartë.

Ambasadori britanik Nicholas Cannon, gjatë një ceremonie në një universitet privat ka dhënë disa arsye pse ky ligj ishte i nevojshëm. “Prandaj qeveria ime i mbështet fort përpjekjet e Ministres aktuale të Arsimit për të reformuar sistemin universitar, për t’i nxjerrë jashtë biznesit elementët e korruptuar e të papërgjegjshëm si dhe të garantojë standarde të larta ndërkombëtare në qeverisjen e universiteteve”, u shpreh Cannon. Ai theksoi se drafti i qeverisë është mbështetur edhe nga ekspertët britanikë të politikave të arsimit, duke shtuar se asnjë reformë nuk është e përkryer.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 26 Korrik 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)  

  • Sondazhi i ditës:

    Organet e drejtësisë refuzojnë komisionin 'Antikorrupsion', si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

‘Forca që më ktheu në jetë ishte dashuria’, Jeta e dytë e Genci Fugës

‘Forca që më ktheu në jetë ishte dashuria’, Jeta e dytë e Genci Fugës