Presidenti Nishani, priti sot në një takim Kryeministrin e Landit gjerman të Hessen-it, Volker Bouffier.

Reforma në Drejtësi ka qenë një çështje kyçe për të cilën kryeministri i Landit gjerman dhe presidentit Nishani. Ky i fundit është shprehur se përmbushja e Reformës në Drejtësi varet nga transparenca dhe aplikimi i një standardi dhe jo e standardeve të dyfishta.
 
“Përmbushja e saj me sukses varet nga transparenca dhe aplikimi i një standardi dhe jo e standardeve të dyfishta. Vetëm kështu mund të rritet besueshmëria mes palëve dhe të përmbushet reforma me sukses” – u shpreh Presidenti Nishani.
 
Nishani e ka konsideruar vizitën e Bouffier shumë domethënëse e të rëndësishme për zhvillimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Gjermanisë. Gjithashtu presidenti ka vlerësuar interesin e Landit të Hessen-it për të zhvilluar marrëdhënie të bashkëpunimit ekonomik e tregtar me Shqipërinë.
 
“Procesi i integrimit evropian, si projekti më madhor i vendit lidhet me arritjen e standardeve evropiane, ku krijimi i shpresës dhe mundësive për një jetë më të mirë në vend mbetet standardi themelor e që lidhet ngushtësisht me të gjithë elementet e tjerë të reformave që do ta afrojnë vendin me BE-në” – u shpreh Kreu i Shtetit.
 
Nga ana e tij, zoti Bouffier, duke iu referuar potencialeve ekonomike e njerëzore të Shqipërisë, shprehu gatishmërinë e Landit që drejton për të qenë aktiv në mbështetjen e zhvillimeve në Shqipëri, si dhe krijimin e një klime të përshtatshme për kapitalet, ekspertizën dhe investimet gjermane në Shqipëri.

Redaksia Online
(B.K/Shqiptarja.com)