TIRANE - Presidenti i Republikës, Bujar Nishani zhvilloi gjatë orëve të paradites së sotme një tele-konferencë me misionin paqeruajtës në Afganistan. Duke uruar ushtarakët e Forcave të Armatosura të Shqipërisë në Afganistan për Vitin e Ri 2013, Presidenti vlerësoi kontributin e tyre për vendin.

“Të dashur komandantë, oficerë të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, aleatët tanë. Ju uroj një vit të mbarë dhe plot suksese në misionin tuaj heroik. Jeni në shërbim të çështjes më madhore të njerëzimit, të paqes, lirisë dhe sigurisë. Na keni bërë ne shqiptarëve të ndihemi krenarë. Anëtarësimi në NATO dhe kontributi juaj e ka ngritur emrin e Shqipërisë dhe flamurin e saj në dinjitetin më të madh të të gjitha kohërave”, u shpreh Presidenti Bujar Nishani.

Për Presidentin Nishani, këto Forca përfaqësojnë krenarinë e vendit.

“Jam krenar për ju dhe misionin që po kryeni. Ardhshi faqebardhë dhe shëndoshë pranë familjeve tuaja”, tha Nishani.

Urime të ngrohta kanë ardhur edhe nga Afganistani, ku ushtarakët i kanë përcjellë mesazhet e tyre vendit në kuadër të festës tradicionale të Vitit të Ri.

I pranishëm në këtë video-konferencë, ministri i Mbrojtjes Arben Imami ka uruar Forcat e Armatosura të Shqipërisë në Afganistan për Vitin e Ri, duke vlerësuar njëkohësisht rolin e tyre ruajtjen e paqes.

Redaksia Online

(Gre.M/Shqiptarja.com)