Nisi punën në Fast Food në Durrës
tani shef kuzhine në Gjermani

Nisi punën në Fast Food në Durrës<br />tani shef kuzhine në Gjermani
Pyetja më e zakonshme për të nisur bisedën me një fëmijë është “Çfarë do bëhesh kur të rritesh?”, ama përgjigja është gjithmonë e jashtëzakonshme. Doktor, futbollist, balerin, këngëtar, piktor, janë disa nga përgjigjet më të shpeshta bazuar sa tek profesioni i prindërve, aq edhe te ajo që të vegjëlve u ekspozohet më tepër. Por në larmishmërinë e dëshirave fëminore të projektuara në të ardhmen ka edhe zgjedhje paksa më ndryshe. “Kur të rritem dua të bëhem kuzhinier”, kështu i përgjigjej Hekuran Ceka atyre që në vegjëli e pyesnin për profesionin e së ardhmes. Ai tani është 28 vjeç dhe punon si shef kuzhine në Gjermani në restorantin “Due Fratelli”.

Por djali nga Burreli nuk shprehu këtë dëshirë dhe menjëherë u rrit për ta realizuar me magji. Ai ka treguar për suplementin “Drejt Punës” të Shqiptarja.com se rruga nga fëmijëria deri te puna e ëndrrave është shoqëruar me pengesa e sakrifica, ama tashmë shijon frytet e këmbënguljes dhe pasionit.

Hekurani ka studiuar për stomatologji në Durrës por paralelisht me këtë ka ndjekur edhe një kurs gatimi. Ai ka vendosur të kujdeset për stomakun e njerëzve, ua ka lënë në dorë dentistëve të tjerë të “merren” me buzëqeshjen edhe pse këtë të fundit ua mundëson shumë prej atyre që kanë pasur rastin të shijojnë gatimet e tij.
 
Hekurani nisi të punonte kur ishte 16 vjeç. Fillimisht në Fast Food. Më pas vitet pasuan vitet dhe restorantet, restorantet, deri sa i erdhi një mesazh nga Gjermania. “Kam parë fotografitë e gatimeve tua, do kisha dëshirë të të jepja një mundësi që të gatuash në restorantin tim”. Pas këtij mesazhi Hekurani shkoi në Gjermani për të provuar veten, pak ditë mjaftuan që të nënshkruante një kontratë 3-vjeçare me pronarin e restorantit në Gjermani i cili kuptoi menjëherë talentin e tij të pazakontë.
  
Në historinë e të riut ka edhe një episod tejet interesant që ai na e rrëfen gjatë bisedës. Në fillimet e tij si ndihmës kuzhinier një nga klientët, aktori Ermal Mamaqi e kishte përgëzuar për aftësinë dhe me nota humori i kishte thënë se ai do të bëhej një shef shumë i mirë kuzhine. Pasi kaloi një kohë e gjatë Hekuranit i vjen një klient në kuzhinë për ta komplimentuar. Ishte sërish Ermal Mamaqi. “Paskam qëlluar në shenjë”, i ka thënë këngëtari tashmë “Shef Hekuranit”.
 
Intervista

Kur lindi pasioni yt për gatimin?
Gatimi më ka pëlqyer shumë që kur isha i vogël. Kur mësuesja në klasë të parë apo njerëz të tjerë më pyesnin se "çfarë do të bëhem kur të rritem", gjithnjë përgjigjesha: “Kuzhinier”. Më pëlqente gjithnjë që në shtëpi të “përzihesha” me të rriturit për të gatuar. Kur kishim mysafir dhe pyesja si kam gatuar ata flisnin me superlativa. E bënin për të më bërë qejfin, por kanë ndikuar shumë pozitivisht sepse më kanë shtuar dëshirën për të gatuar si dhe për të mos e lënë pas dore gjatë viteve.
 
Ti u rrite me këtë dëshirë, por si e konkretizove atëherë kur kuptove që nuk është më një “lojë në kuzhinën e shtëpisë” por diçka që mund të ishte e ardhmja jote?  
Pasi mbarova shkollën 8-vjeçare, duke qenë se pata rezultate shumë të mira fitova një bursë për të vazhduar studimet në Durrës. Gjatë gjimnazit fillimisht punova në Fast Food paralelisht me shkollën, më pas një mik të cilit i kisha folur për dëshirën e madhe që kisha për gatimin më prezantoi me të njohurin e tij që kishte restorant dhe ai më punësoi si ndihmës kuzhinier. Aty filloi gjithçka. Tashmë kam 12 vite i angazhuar në këtë profesion.
  
Sot je shef kuzhine në Gjermani, cilat ishin sakrificat dhe punët që t’u desh të bëje para se të arrije këtu?
Kam punuar në disa restorante në Durrës. Qëndroja në një vend derisa mendoja se kam marrë maksimumin, kur mendoja se nuk kisha më ç’të mësoja kërkoja më tepër nga vetja. Nuk mund të bëhesh një kuzhinier i mirë nëse nuk alternon eksperienca të ndryshme. Kam punuar me shefa të ndryshëm kuzhine, kjo është mënyra më e mirë për të fituar eksperiencë dhe për të zgjeruar aftësitë. Për vite me radhë kam punuar në restorantet më me emër në Durrës derisa për një periudhë 2-vjeçare pata fatin të mësoj shumë nga një shef italian. Pasi ai u largua vendin e tij e zura unë. Ky ishte dhe momenti që pasoi kontaktin me pronarin e restorantit “Due Fratelli” në Hamburg të Gjermanisë.
 
Nga u njoh ai me punën tënde, si të kontaktoi? 
Para rreth një viti më erdhi një mesazh në Facebook. Pronari i restorantit në Gjermani pasi kishte parë fotografitë e gatimeve të mia më kërkoi të shkoja për disa ditë që të testoja aftësitë e mia. U largova një javë nga puna në Durrës për të shkuar atje. Klientët ishin tejet të kënaqur dhe kjo dukej edhe nga bakshishet që u shtuan ndjeshëm. Kjo mjaftoi që unë të nënshkruaja një kontratë 3-vjeçare.
  
Një eksperiencë kaq e gjatë duhet të ketë edhe momente interesante që të bëjnë të harrosh lodhjen. Ka një histori që do ta veçoje? 
Kur isha në fillimet e mia si ndihmës kuzhinier erdhi një klient shumë i veçantë të cilin gjej rastin ta falenderoj. Ai është Ermal Mamaqi. “Ti do të bëhesh shef kuzhine një ditë "më tha dhe me humorin që e karakterizon shtoi: ‘Kam besim te ti”. Pas disa vitesh isha në kuzhinë si shef dhe dikush vjen për të më përgëzuar për gatimin, ishte prapë Ermali. “Paskam qëlluar në shenjë, e kam ditur që do të bëhesh një shef kuzhine i zoti”, më tha ai. Është shumë kënaqësi kur klientët vijnë dhe të përgëzojnë për gatimin, kjo ndodh shpesh dhe padyshim që më lumturon pafund.
 
Një punë e tillë me siguri që kërkon fantazi por edhe shumë sakrifica, a mendon se ke bërë zgjedhjen e duhur?
Fillimet si në çdo punë tjetër janë të vështira, të paktën për mua kështu kanë qenë. Por, me dëshirë dhe pasion arrihet gjithçka. Ajo që mund ta cilësoj si suksesin tim është puna. Qëkur kam hedhur hapin e parë në këtë profesion nuk jam shkëputur më. Edhe gjatë shkollës kam punuar duke mos pasur kurrë kohë për të pushuar. Në 12 vite punë mund të numëroj shumë pak ditë pushimi, ndoshta 2 muaj. Që të arrish shumë duhet punë por dhe sakrifica, ama aq sa është lodhja aq e madhe është edhe kënaqësia që merr kur shikon që njerëzit janë të kënaqur me atë që ti bën.
  
Pse zgjodhe stomatologjinë kur e dije mirë çfarë doje?
Ishte programi i studimit i bazuar më shumë në llogari matematikore se në preferencë që bëri të nis atë shkollë, sepse faktikisht unë kisha dëshirë të studioja Mjekësi të Përgjithshme. Më shumë më zgjodhi se e zgjodha, unë gjithmonë e kam ditur që doja të bëhesha kuzhinier.
  
Zakonisht familjet që kanë një kuzhinier mes tyre janë më të lumturat, ti gatuan për ta?
Kështu thuhet por edhe ne kur jemi në shtëpi kemi nevojë për pak pushim. Megjithatë në oraret e vakteve jam thuajse gjithnjë në punë dhe familja s’e ka atë luks, por kur kam mundësi patjetër që e bëj me shumë dëshirë.

Sa e rëndësishme është pjesa estetike në një pjatë në një kohë që shumica e konsumuesve i hedhin fotot në Instagram, na pëlqen kjo apo jo?
Sigurisht që një nga elementët kryesorë të pjatës është edhe dekori pasi është gjëja e parë që shikohet dhe nëse klientit i pëlqen kjo pjesë jemi në rrugë të mirë. Por krahas kësaj dhe para kësaj ajo që ka më shumë rëndësi është shija. Ideja e ushqimit është të shijohet por jo vetëm me sy. Fundja pjata është aty që të konsumohet, s’mjaftojnë fjalët dhe liket e Instagramit.

Ke plan apo dëshirë që të kesh restorantin tënd një ditë dhe ku, jashtë apo në Shqipëri?
Dëshira patjetër që është e madhe por edhe planet nuk mungojnë. Brenda 3,4 viteve kam në plan të kem restorantin tim këtu në Hamburg, megjithatë në një të ardhme jo shumë të largët do kisha dëshira të kthehesha në Shqipëri.

Ke një këshillë për të rinjtë që janë pesimistë se kjo nuk është bota e duhur për të realizuar ëndrrat?
Kam një këshillë për të gjithë të rinjtë që kanë pasione dhe që mendojnë se nuk do mund t’i realizojnë. Nuk duhet të mërziten kur ndonjë gjë nuk shkon mirë dhe ta lenë në mes atë që kanë nisur, gjithnjë duhet të vijojnë të mësojnë dhe të ecin përpara.

[gallery]20991[/gallery]

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?



×

Lajmi i fundit

Shpërthim me tritol në banesën e 50-vjeçarit në Fushë-Krujë (EMRI)

Shpërthim me tritol në banesën e 50-vjeçarit në Fushë-Krujë (EMRI)