TIRANË - Gjykata Administrative në të gjithë vendin, kanë nisur punën sot për herë të parë. Ngritja e tyre ka qenë një nga kushtet e vëna nga BE-ja, në lidhje me rrugën e Shqipërisë drejt integrimit. Në nisjen e punës në Gjykatën Administrative të Tiranë, ishin të pranishëm ministrit i Drejtësisë, Nasip Naço dhe nënkryetari i KLD-së, Elvis Cefa.

Gjatë fjalës së tij, ministri Naço tha se, janë plotësuar të gjitha kushtet për nisjen normale të punës. Ndërsa nënkryetari i KLD-së, Cefa tha se, kjo gjykatë do jetë gardian e veprimtarisë së administratës.  
 
NAÇO: GJYKATAT ME KUSHTE MODERNE
Në fjalën e tij në këtë ceremoni të nisjes së punës së Gjykatës Administrative, ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, u ka uruar punë të mbarë kryetarit të gjykatës dhe trupës gjyqësore. Sipas tij, “janë marrë të gjitha masat për nisjen normale të gjykatës administrative në Tiranë dhe në të gjitha gjykatat në vend”.

“Kushtet janë optimale për të nisur punën. Me këtë gjykatë do të procedohet më shpejt për ankesat e qytetarëve”, tha ministri i Drejtësisë.
 
Duke folur për Gjykatën e Lartë dhe vendet e mbetura bosh, ministri Naço tha se, shumë shpejt do të bëhen plotësimet. “Nëse në Gjykatën e Lartë janë 10 çështje, do të thotë që nisja e punës duhet të bëhet sa më shpejt”, tha Naço. Ai bëri të ditur se, në Kuvend do dorëzohen ndryshimet në Kodin e Procedurës Civile dhe të gjitha ndryshimet që do të bëhen në Kode dhe ligje e tjera.
 
CEFA: DO TE PLOTESOHEN VENDET BOSH
Ndërsa nënkryetari i KLD-së, Elvis Cefa, gjatë kësaj ceremonie, deklaroi se, gjykatat do të jetë një gardian poër veprimtarinë e administratës. “Këtu jemi për të siguruar qytetarët se KLD-ja dhe sistemi i drejtësisë do ta kenë në qendër të tyre veprimtarinë e kësaj gjykate”, tha Cefa. Sipas tij, “kjo gjykatë ka 7 salla që do të krijojë një lehtësi në punën e saj. KLD do jetë dhe do konsiderojë të rëndësishme marrëdhënien me publikun”.
 
Sipas nënkryetarit të KLD-së, “vendet vakante në gjyqësor momentalisht nuk përbëjnë një emergjencë për punën e këtyre gjykatave.” “KLD që në mbledhjen e ardhshme do të nisë punën për plotësimin e vendeve bosh”, përfundoi fjalën e tij, nënkryetari i KLD-së, Elvis Cefa.
 
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)