Rinis Champions League. Sonte startojnë ndeshjet e fazës së 1/8 me dy superpërballje Atletico Madrid-Liverpool dhe Dortmund –PSG. Liverpooli kampion në fuqi rikthehet në “Wanda Metropolitano” me formacion të plotë dhe në formën më të mirë të mundshme. Mane është rikuperuar plotësisht dhe do jetë titular së bashku me Salah e Firmino. Simeone dhe Klopp përballen për herë të parë mes tyre dhe gjermani vlerëson kundërshtarët:”Atletico është si një makinë dhe të përballesh me ta është gjëja më e vështirë për një lojtar”.
Në ndeshjen që starton në orën 21:00 trajneri Simeone pret një stadium që të shpërthejë në mbështetje të skuadrës ndërsa sqaron se ka besim tek lojtarët e tij. Joa Felix dhe Trippier janë të padisponueshëm ndërsa Morata dhe Diego Costa në dyshim por mund të marrin minuta.
Spektakël i vërtetë pritet edhe në ndeshjen tjetër të mbrëmjes Borussia Dortmund-PSG mes dy ekipeve që luajnë një futboll fantastik. Gjermanët nuk kanë të gatshëm Reus por do të mbështeten tek Haaland ndërsa për francezët gati është edhe Neymar që në sulm do jetë së bashku me Icardin e Mbappe.
Ante Rebic është njeriu i momentit tek Milani. Kroati shënoi golin e fitores edhe në ndeshjen e fundit të javës së 24-të kur kuqezinjtë mundën 1-0 Torinon dhe marrin pikë të rëndësishme për Europën.
Në Premier League , Manchester United fitoi pastër 2-0 ndaj Chelseat duelin direkt për një vend në Champions. Nga një gol për çdo pjesë të shënuar nga Martial dhe Maguire i dhuruan fitoren miqve. Chelsea nuk fiton prej 4 ndeshjesh por mbetet në zonën Champions./ Përgatiti Andi Kapxhiu
Komento