Nisin punimet për fazën e dytë të TEDA Tirana, Veliaj: Do punësohen 5-7 mijë persona

Nisin punimet për fazën e dytë të TEDA Tirana, Veliaj: Do punësohen 5-7 mijë persona

Erion Veliaj

Zona e parë e Lirë Ekonomike në Shqipëri (TEDA Tirana), po merr formën e saj përfundimtare. Teksa ka nisur puna për ndërtimin e objekteve të shërbimit, kryetari i Bashkisë Tiranë tha se do të gjenerohen 5-7 mijë vende pune.

“Në këtë fazë do të ndërtojmë të gjitha ndërtesat e administratës, si dogana, tatimet, sigurisht edhe për Bashkinë e Tiranës, e cila administron për herë të parë si ent lokal një zonë të lirë ekonomike. Jemi mësuar se këto gjëra i bën privati, por është hera e parë që këtë punë e bën një ent publik. Ajo që shikoni është një hapësirë disa hektarëshe, e cila do të parcelizohet, duke u ndarë në seksione dhe rrugica më të vogla, ku secila prej kompanive do të marrë hapësirën e saj për të zhvilluar aktivitetin ekonomik. Pra, një one-stop-shop, afër Bashkisë së Tiranës, doganave, tatimeve, duke u siguruar që çdo gjë ndodh brenda këtij kantieri”, tha ai.

Veliaj shtoi se TEDA Tirana është e dedikuar kryesisht për punët e së ardhmes, kryesisht për ‘data center’. Kreu i Bashkisë nënvizoi se Tirana i ka të gjitha mundësitë për të qenë e para në Ballkan, duke shërbyer si një nyje për qendrat e të dhënave të të gjithë rajonit.

“Zona e lirë ekonomike TEDA është kryesisht për punët e së ardhmes, kryesisht për “data center”, pra për qendra të mëdha të të dhënave, për teknologjinë e informacionit, për inteligjencën artificiale dhe të gjitha punët që lidhen me sektorin e IT. Ftesa për të rinjtë është fokusohuni te punët digjitale. Mund të jemi të parët në Ballkan, që shërbejmë si një nyje për qendrat e të dhënave të të gjithë Ballkanit, e më pas kthehet në një frymëzim edhe për të tjerët, për ta ndjekur këtë hap. Ne jemi pionerët e parë në këtë eksperiment. Kemi disa kompani të para nga Izraeli dhe nga vende të tjera të BE, të cilat duan të instalohen këtu”, u shpreh ai.

Veliaj ftoi të rinjtë të ndjekin shkencat kompjuterike, ndërsa i siguroi se mbështetja me bursa nga ana e Bashkisë së Tiranës nuk do të ndalet.

“Kam një ftesë për të gjithë gjimnazistët: Kurset te Qendra Tumo paguhen 100% me bursa nga Bashkia e Tiranës. Do të thotë se janë pa asnjë shpenzim, në zemër të qytetit, në ndërtesën më të bukur të qytetit, pra falas për të bërë gati një brez të ri për punët e së ardhmes. Bashkia e Tiranës fillon nga subvencionimi me bursa të plota, për të gjithë çunat e gocat që mësojnë shkencat kompjuterike, deri te punët që paguhen shumë më mirë se disa vende dhe punë të tjera. Të jetosh në Shqipëri, me ato rroga të mira, vërtet ia vlen”, deklaroi Veliaj.

Zona e Zhvillimit Ekonomik dhe Teknologjik (TEDA) përbën një potencial të madh për zhvillimin e mëtejshëm dhe tërheqjen e investitorëve të huaj. Përmes TEDA Tirana, Bashkia e Tiranës synon të thithë investime të huaja direkte, duke zgjeruar gamën e industrive operuese në tregun shqiptar, me fokus tek industritë prodhuese, si sektori automotiv, teknologjia e informacionit, elektronikë, bioteknologji, tech-logistics etj.

Xh.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 23 Janar, 09:41

    Secila parti në zgjedhje me 46 deputetët e parë të fiksuar, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Pas telefonatës me Presidentin Trump, sauditët 600 miliardë dollarë investime në SHBA

Pas telefonatës me Presidentin Trump, sauditët 600 miliardë dollarë investime në SHBA