Ka hyrë në fuqi akti normativ i qeverisë për shpronësim të menjëhershëm të pronarëve të tokës prej 5 hektarësh në Mbrostar ku do të ndërtohet spitali i Fierit. Sipas aktit normativ të publikuar në Fletoren Zyrtare dhe njëkohësisht të depozituar në parlament thuhet se pronarët do të shpronësohen me çmimin referencë sipas ligjit në fuqi, dhe jo me çmimin e tregut.

“Autorizimin e Agjencisë Shtetërore për Shpronësimin që të negociojë dhe të nënshkruajë marrëveshje me pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që do të shpronësohen për ndërtimin e spitalit të Fierit. Çdo pronar shpronësohet në përputhje me çmimin e përcaktuar në legjislacionin në fuqi”, thuhet në aktin normativ.

Pronarët e tokës kanë mundësi që të ndjekin edhe rrugë ligjore për çmimin e shpronësimit.

“Nënshkrimi i marrëveshjes së përcaktuar në nenin 1, të këtij akti normativ, nuk pengon pronarët për kundërshtimin në rrugë gjyqësore të çmimit të shpronësimit”, vijon akti normativ .

Më herët pronarët kanë kundërshtuar dhënien e pronës pasi kërkonin shpronësim me çmim tregu.

Spitali i Fierit do të ndërtohet nga qeveria turke dhe pritet të kushtojë 60-70 milionë euro dhe në kulmin e punimeve do të jenë 1000-1200 punonjës, nga të cilët 20-30% do të jetë shqiptarë.

Aktualisht kanë nisur punimet pasi makineritë e rënda kanë zbarkuar në tokën e përcaktuar për ndërtimin e spitalit që duhet të përfundojë brenda 3 muajve sipas premtimit të presidentit të Turqisë Rexhep Tayip Erdogan.