Me rikthimin e  fëmijëve në shkolla më 11 shtator prindërve iu shtohet një faturë financiare sepse duhet të mendojnë për veshjen dhe pajisjen me materiale shkollore.

Nikoleta hyn në klasë të gjashtë dhe Erjola motra e saj e vogël në të dytën. Për përgatitjen e tyre për në shkollë po kujdesen gjyshërit të cilët po përpiqen t’u përgjigjen dëshirave të tyre brenda mundësive ekonomike.

Rrobat e reja i  kanë blerë tashmë ndërsa sot I takuam duke zgjedhur çantat e shkollës dhe mjetet shkollore.

Gjyshja Naxhie dhe gjyshi i Nikoletës dhe Erjolës, na tregojnë se për secilën nga mbesat kanë shpenzuar në treg të shumicës, të paktën 10 mijë lekë të rinj. Faturë kjo për atlete, xhinse, një bluzë, lapsa e fletore. Kurse librat i kanë falas

‘Janë rritur çmimet ka ndikuar dhe lufta Rusi-Ukrainë. Për dikë që s’ka mundësi çmimet janë të papërballueshme’- u shprehën gjyshërit.

Gjyshërit e dy vogëlusheve pavarësisht shpenzimeve, janë të gëzuar, sepse vajzat kanë prindër, të dy në punë. 

Këtë vit shkollor, për herë të parë krahas nxënësve të klasave të para, edhe ata të klasave të dyta dhe të treta do t’i kenë librat falas me një përdorim, pa qenë nevoja t’i përcjellin te brezi pasardhës.

Nga skema mbështetëse e teksteve falas do të jenë të gjithë nxënësit e shkollave publike 9-vjeçare, si dhe nxënësit e 16 kategorive të veçanta në arsimin e mesëm të lartë.