Në raportin e fundit të SPAK për vitin 2025, të dorëzuar në Kuvend, Prokuroria e Posaçme shprehet se ndryshimet e mundshme ligjore mund të pengojnë punimet e saj. I pyetur për këtë fjali gjatë konferencës për shtyp, kryeministri Rama tha se nuk e ka lexuar raportin, por SPAK s’mund t’i tregojë parlamentit ç’të bëjë. Secili organ duhet të vijojë punët respektive dhe SPAK ka mbështetje të plotë.
“Nuk e kam lexuar këtë raport dhe s’mund të komentoj diçka që se kam lexuar vetë, s’është puna e SPAK që t’i thotë parlamentit seç’të bëjë. SPAK të shohë punën e vet, ne tonën dhe aq më mirë do të bëhet Shqipëria. SPAK e ka gjithë mbështetjen tonë. Parlamenti është sovran, nuk varet nga SPAK, ambasadat dhe askush tjetër”, tha kryeministri.
I pyetur edhe për ndryshimet ligjore në Kodin e Procedurës Penale, Rama u përgjigj prerë se ndryshimet do të bëhen patjetër.
“Ndryshimi nuk ka të bëjë me raportin e SPAK-ut sepse raporti është normalisht një raport pune për një periudhë të gjatë kohe, nuk besoj se është i lidhur me javën e fundit. Është një ndryshim që do të bëhet, nuk ka diskutim fare. Nuk ka shans të çohet një prokuror me një gjykatës të pezullojnë funksionarë se këtu nuk pezullohet personi, pezullohet funksioni”, tha kryeministri.
Sa për ndryshimet e tjera, Rama tha se ka bashkëpunime me ndërkombëtarët për Kodin e ri Penal dhe po rishihen të gjitha vërejtjet.
“Ndryshimet e tjera, do t’i bëjmë patjetër sepse kemi Kodin e ri Penal, ndëhyrjet e domosdoshme, nuk kanë ngut. Po punojmë, kemi një material shumë voluminoz dhe me shumë brumë për t’u diskutuar. Është ripunuar dhe është në ripunim mbi bazën e vërejtjeve që janë bërë, kemi aleatë Ministrinë e Drejtësisë në Francë e Itali dhe me ekspertët që na kanë vënë në dispozicion do të rishikojmë Kodin e ri, Kodin e Procedurës Penale dhe çdo gjë është nën kontroll dhe në respekt të plotë të të gjitha standardeve europiane. S’ka asnjë vullnet, tendencë, qëllim, ëndërr për të kthyer mbrapsht gjërat që kanë shkuar përpara”, tha Rama.
Lajmi kryesor:
Vendimi për Ballukun, Rama: Gënjeshtër se dëmton integrimin, debate konstruktive me disa ndërkombëtarë, por asnjë presion! Zero frenim për rrugën drejt BE












