Në zonën veriore të Pukës, atje ku dhjetëra familje jetojnë në vështirësi, skamje dhe mjerim, duket se festa e Vitit të Ri nuk do të sjellë dhimbjen e shpirtit që sjellin tryezat bosh.

Një nga emigrantët e zonës, artisti Fran Gjoka, me banim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në bashkëpunim me gazetarin Armir Mehaj, për të dhjetin vit radhazi, edhe në këto pragfestash, kanë ndërmarrë nismën humane “Askush ndër ne pa festa”, nisme e cila këtë vit dhuroj dhe një banesë për një nënë të moshuar me tre djem e saj të sëmur. Kjo nismë ka për qëllim që asnjë familje në zonën veriore të Pukës dhe Fushë-Arrëzit të mos përjetojë mungesën e festës në tryezat e tyre.

“Gëzuar dhe sa më pak varfëri në kë këtë situatë ku realisht fshatrat po shkojnë drejt boshatisjes së plotë. Edhe në ato fshatra ku ka ende familje, janë të moshuar që kanë mbetur vetëm dhe pa përkujdesje, duke krijuar një situatë që në fakt kërkon një dorë solidariteti qëllimi i të cilit është edhe aksioni “Askush ndër ne pa festa” që ne e organizojmë prej 10 vitesh",- thotë gazetari Mehaj.

Për Fran Gjokën, kjo nismë dhuron gëzim jo vetëm për familjet përfituese, por edhe për vetë atë dhe familjen e tij, teksa shpreson që çdo vit të ketë gjithnjë e më pak familje në vështirësi në zonën veriore të vendit.

"Dua të uroj në mënyrë të veçantë familjet e varfra ku do që jetojnë, por kryesisht ato të rrethit të Pukës, prej nga vij edhe unë, duke dëshiruar që viti që vjen t’i gjejë me jetë më të mirë, më të begatë, më të lumtur. Falenderoj nga zemra edhe ekipin që punon në këto ditë të vështira, në terren të vështirë, i udhëhequr nga gazetari, miku im shumë i dashur, Armir Mehaj",- thotë filantropi Fran Gjoka.

Paketat, në përbërje të të cilave janë shporta bazë ushqimore, pije, fruta, perime dhe bakllavaja e festave, janë një simbol solidariteti, por edhe një kujtesë se edhe familjet në nevojë të kësaj zone nuk duhet të humbasin shpresën, ndaj dhe sjellin gëzim për ta.

Në zonën veriore të Pukës, shpopullimi është i ndjeshëm, teksa në shumë prej familjeve që ende mbajnë dyert hapur kanë mbetur vetëm të moshuar, në shumicën e rasteve në vështirësi ekonomike.

Tradita e krijuar në Pukë është një nismë unike, që synon të zgjerojë aktivitetin dhe kontributin për vendlindjen nga filantropi Fran Gjoka dhe emigrantë të tjerë të zonës.