“Nisma për Fëmijët”, iniciativë e një grupi prindërish, në ditën e 1 qershorit ka nisur mbledhjen e firmave për të propozuar një ligj i cili të detyrojë shtetin të financojë plotësisht trajtimet shëndetësore për fëmijët, brenda ose jashtë vendit.

“Projektligji konkretisht është të kërkojmë financim publik për shërbime shëndetësore për fëmijët tanë sa herë që këto shërbime nuk plotësohen nga institucionet tona shtetërore.", tha Suela Koçibellinj, një ndër organizatoret e kësaj nisme.

“Ne kemi konsultuar thuajse gjithë legjislacionet e vendeve rreth e rrotull, kemi konsultuar kuadrin europian dhe besoj që ligji që kemi në dorë sot është një ligj realisht i mirë dhe lehtësisht i zbatueshëm.”, tha Ardit Konomi, një tjetër organizator i nismës.

Komiteti i prindërve mori edhe nënshkrimin e Avokatit të Popullit i ofroi mbështetje për t’iu drejtuar Kuvendit duke kërkuar një dëgjesë me ligjvënësit për këtë çështje.

“Është e pajustifikueshme që ende në Shqipëri të na duhet të ngremë ‘GoFundMe’ për të financuar trajtimin shëndetësor të fëmijëve shqiptarë.”, tha Avokati i Popullit, Endri Shabani.

Deri tani janë mbledhur mbi 17 mijë firma dhe synimi është që brenda javëve të ardhshme të arrihet pragu 20 mijë nënshkrime, i nevojshëm për paraqitjen e projektligjit në Kuvend.