Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku ka risjellë në fokus nismën për miratimin e “Statusit të Minatorit”, propozim ligjor që është depozituar prej 1 viti për shqyrtim. Tabaku thotë se kjo është një punë e gjatë së bashku me minatorët, të cilët kërkojnë kushte të mira pune dhe paga dinjitoze.

Sipas Tabakut, propozimi synon përmirësimin e kushteve të punës, organizimin përmes kontratave kolektive dhe mbi të gjitha rritjen e përfitimeve financiare për minatorët, si dhe uljen e moshës së daljes në pension.

“Gjatë të 3 viteve të fundit bashkë me një grup minatorësh jemi përpjekur shumë për të sjellë statusin e minatorit si propozim ligjor në parlament. Më në fund është duke u diskutuar. Statusi i minatorit është një domosdoshmëri për një nga profesionet më të vështira, me një impakt më të madh mbi jetën e shëndetin. Për një profesion, i cili fatkeqësisht merr një pagesë shumë të vogël ndërkohë që nëntoka shqiptare është kaq e pasur, kaq e çmuar ndërkohë që shfrytëzohet kaq keq nga kontratat koncensionare që nuk i japin asgjë minatorëve.

 Propozimi për statusin e minatorit ka parasysh përmirësimin e kushteve në punë, organizimin e tyre në kontrata kolektive, por ajo që është e rëndësishme dhe përfitimet financiare në të ardhmen. Përfitime financiare që i kanë të domosdoshme për shkak të shpenzimeve shumta shëndetësore për to dhe familjarëve ato kanë nevojë për kurim dhe pasi dalin nga ky profesion.

Qeveria shqiptare ka dështuar që të kontrollojë kontratat koncensionare në miniera apo t’i ofrojë këtyre minatorëve një pension dinjitoz. Për 3 vite ata janë duke protestuar çdo të enjte në hyrje të kuvendit. Ky propozim me rritje të përfitimeve, por dhe me ulje të moshës së punës nëpër miniera, unë besoj që është ajo që i duhet industrisë. Ka nevojë vetëm për vullnet politik për t’i zgjidhur gjërat”, tha Tabaku.