Bashkimi Evropian ka refuzuar dy herë dhënien e statutit të vendit kandidat për Shqipërinë. Më 2010 përgjegjëse u bë problematika elektorale, më 2011 ishte mungesa e dialogut politik. Më 2012 pak gjë ka ndryshuar, ndaj BE është detyruar të shpikë një formulë të re në raportet me Shqipërinë: statut me kushte. Janë dy faza vlerësimi: katër kushte për në dhjetor dhe nëse ato realizohen, janë disa kushte të tjera deri me 30 qershor 2012 kur do të zhvillohen zgjedhjet parlamentare. Në historinë e BE-së ky është rasti i parë që aplikohet ky model vlerësimi. Shqipëria gjithashtu është vendi i parë ish komunist që nuk arrin tre herë radhazi të fitojë statutin e plotë për bisedimet e vendit kandidat. Për BE, kancelaritë perëndimore dhe ekspertët e politikës mesazhi është i qartë: Shqipëria ende nuk meriton të jetë përbërëse e Evropës Politike. Për Tiranën zyrtare mesazhi lexohet ndryshe: e kaluam edhe këtë radhë. SHBA dhe BE folën për shans historik, kurse Kryeministri, kryetarët e partive aleate të tij, por edhe disa deputetë, ministra e militant të tjerë të administratës së (de)politizuar mbushen dje median dhe rrjetet sociale për “ngjarjen historike”, “suksesin historik”, etj.
Dallimi midis shansit dhe suksesit historik përbën edhe dallimin themelor midis dy Shqipërive, asaj virtual dhe asaj reale; asaj që përjeton inagurime e jetë luksoze dhe asaj shumice që mbijeton në varfëri e mjerim; asaj që e sheh BE-në si interes madhor dhe asaj që e sheh atë si mjet për qëllime elektorale; asaj që beson në parime, moral e vlera dhe asaj që për synime pragmatiste nuk kanë rëndësi vlerat dhe as mjetet. Mbi të gjitha, midis asaj Shqipërie që Evropa prêt të jemi dhe asaj Shqipërie që ne jemi në gjendje të ofrojmë. Bruksel prêt që në Shqipëri të ketë zgjedhje të lira, të burgosen të korruptuarit, të veprojë shteti i së drejtës, të garantohen liritë kushtetuese, të ketë administratë dhe institucione kushtetuese të pavarura, të bëhet reformë në gjyqësor dhe politika të bashkëpunojë për çështje me interes publik. Ajo që Shqipëria e dytë ofron është diçka tjetër: zgjedhje ku lejohen shkelje sepse “edhe në SHBA ka probleme numërimi”, zyrtarë të korruptuar që fitojnë pafajësi për shkaqe procedurale, shtet në funksion të një klike të ngushtë njerëzish me pushtet, liri selektive kushtetuese dhe të drejtë të qeverisë ti kufizojë ato, administratë militante të gatshme për mitingje dhe institucione kushtetuese që emërohen nga kryeministri, dialog politik për të detyruar opozitën të votojë gjithçka propozon mazhoranca. Nuk janë fiction, por janë kushtet që BE ka përmendur dhe ka kërkuar të përmbushen deri në dhjetor 2012. Diferenca del e qartë dhe midis tyre ndodhet edhe rruga e vërtetë e Shqipërisë për në Evropë.
Paradoksi midis një Bashkimi Evropian dhe dy Shqipërive u përsërit edhe dje në fjalimet patetike të parisë së Tiranës. Në retorikën e mazhorancës janë plotësuar të gjitha standardet e anëtarësimit dhe se kushtet (vota në parlament, rregullorja parlamentare, reforma në drejtësi, zgjedhjet 2013, dialogu politik) janë çështje e opozitës, e cila nëse e do integrimin duhet ti votojë dhe ti pranojë ashtu siç ofrohen nga qeveria. Vota kritike apo vota kundër konsiderohen votë anti-BE. Sipas kësaj logjike parademokratike, edhe grevisti i urisë që dje tentoi vetëvrasje në shenjë proteste për refuzimin e qeverisë në zbatimin e ligjit për kompensim financiar nuk ka bërë asgjë tjetër vetëm sa ka dashur të errësojë arritjen historike të qeverisë. Të gjithë ata që e kritikojnë atë, që nuk mendojnë njësoj si kryeministri, që shprehin pakënaqësi për politikat e qeverisë apo që janë pesimiste për ecurinë e vendit, - sipas kryeministrit dhe qeverisë, - nuk janë asgjë tjetër përveçse “fundërrina” që duan të pengojnë integrimin në BE! Një gjuhë dhe mentalitet ideologjik e dëgjuar për dekada nga Enver Hoxha, Ramiz Alia dhe bashkëpunëtorët e tyre. Nga ana tjetër, një opozitë që mban me ushqim pushtetin, refuzon ta luajë rolin e saj kushtetues dhe parlamentar dhe në fund përmes twitter apo blackbarry ofron zgjidhjen universal: gjithçka do të zgjidhet dhe bota do të jetë më e mirë kur unë të vij në pushtet!! Imagjinoni Shqipërinë pas 10-15 vitesh, atëherë kur aktorët e sotëm do të jenë në muzetë e historisë. Me siguri do të ndjehemi të turpëruar kur të kujtojmë se më 2012 nuk morën ftesën në BE sepse patëm probleme me rregulloren e parlamentit apo se nuk flisnin së bashku Berisha e Rama, siç ndjemi sot me turp kur kujtojmë se më 1996 humbën shansin e integrimit se doktori deshi mandat të dytë presidencial dhe se Sudja na rrëzoi sistemin bankar!
Shansi për BE-në kërkon diçka tjetër; atë që SHBA dje me të drejtë e quajtën përgjegjësi për reforma dhe demokracinë. Pra, një kurs të ri politik dhe institucional, që nuk matet me hijen e vetes por me standardet e familjes ku duam të shkojmë. Një qeveri që nuk u nxjerr fëmijët nga mësimi për tu mbajtur leksione kundër opozitës; një mazhorancë që nuk i ndan institucionet kushtetuese dhe administratën në përqindje tregtie mes partive aleate; një President që mendon më shumë për qytetarët sesa për kryeministrin; një sistem drejtësie që prodhon besim dhe jo vendime selektive politike e korruptive; një parlament nuk bëhet politikë jo sherre e mizaskena nga ato të pazarit të Rrogozhinës; një proces zgjedhor që heq dorë nga tradita bizantine se populli voton por qeveria numëron; një vend ku njerëzit nuk vetëvriten me kërkesë për tu dëgjuar nga qeveria, por ku qeveria nuk resht se dialoguari me qytetarët dhe se angazhuari për ruajtjen e jetës së tyre. Pra, BE pret një Shqipëri tjetër nga ajo që jemi, një Shqipëri normale dhe një klasë politike të përgjegjshme, të aftë dhe me sjellje qytetare, - cilësi të cilat në Tiranën tonë, në tetor e në dhjetor, në janar e në qershor, për faj të atyre që marrin vendime në emrin tonë - janë e mbeten ende të huaja.