Pogradec - Një 24-vjeçare është arrestuar pasi përplasi me makinë tip ‘Benz’ një 80-vjeçar.

Ngjarja u regjistrua pasditen e sotme aksin rrugor "Pogradec-Qafë Thanë", pranë fshatit Udënisht.

Pavarësisht se i moshuari u transportua te Trauma për mjekim të specializuar nuk mundi t’i mbijetojë plagëve të marra.

“Në vijim të informacionit paraprak të dhënë sot për një aksident të ndodhur në aksin rrugor "Pogradec-Qafë Thanë", pranë fshatit Udënisht, bëjmë me dije se specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetases E. S., 24 vjeç, banuese në Udënisht, për veprën penale "Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor". Kjo shtetase duke drejtuar automjetin ka përplasur këmbësorin Z. D., 80 vjeç, banues në Udënisht, i cili u dërgua për mjekim të specializuar në Tiranë, ku më pas ka humbur jetën”, njoftoi sot policia.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme.

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë