TIRANE- Irena Seli, gruaja që prej më shumë se 10 vite nuk ka asnjë adresë lidhur me vendodhjen e saj, është shpallur zyrtarisht e zhdukur nga gjykata e Tiranës. Historia e 40-vjeçares është një ndër dosjet më misterioze të policisë dhe prokurorisë, ku në disa raste dyshimet për zhdukjen ranë mbi bashkëshortin e saj Agim Musho dhe një person tjetër, që Irena Seli kishte lidhje jashtëmartesore.

Por në fakt asnjë detaj, asnjë provë, asnjë dyshim nuk ka arritur të provojë implikimin e dy emrave të dyshuar nga prokuroria e Durrësit dhe ajo e Krimeve të Rënda. Dhjetë vjet nga zhdukja e Irena Selit, djali i saj, Bruno Musho i është drejtuar Gjykatës së Tiranës ku ka kërkuar shpalljen zyrtarisht të zhdukur nënën e tij, dhe kalimin e pasurisë së saj në administrim të Bruno Mushos. Vendimi është pranuar nga gjykata në datën 18 nëntor 2014, ndërkohë që pas botimit në fletoren zyrtare, shtetësja Seli është shpallur zyrtarisht e zhdukur.