Në dalje të qytetit të Elbasanit në të djathtë të rrugës për në Librazhd, gjendet spitali Psikiatrik “Sadik Dinçi”. Në dy godinat shtyjnë ditët e tyre 310 të sëmurët mendorë, kryesisht nga rrethet e jugut të Shqipërisë.
Jashtë tyre, ambienti është i mbushur me lule, mure të lyera me bojë mavi sipër suvasë të rënë, si për të krijuar një fasadë e cila është larg realitetit. Në oborr përballemi me një grua të moshuar. Buzëqeshja pa shkak ndaj një të panjohuri dhe veshja e saj, nuk të kërkon shumë kohë të mendohesh për statusin e saj.
Pamundësia për të përballuar një moment të vështirë në jetë, kushtet e rënduara ekonomike e sociale, por edhe trashëgimia gjenetike, i kanë detyruar këta pacientë të bëjnë ecejake të shumta dhe ta shkelin dhe ta rishkelin këtë vend pafund. Ndodhemi në spitalin më të madh psikiatrik në vend. Spitali Psikiatrik “Sadik Dinçi” në Elbasan mbulon 11 rrethe të Shqipërisë. Megjithatë 3 janë rrethet më të prekur. Sipas psikologes pjesa më e madhe e tyre vijnë nga Korça, Durrësi dhe Lushnja.
“Dikur njihej si Spitali i verdhë”, dhe u ngjallte frikën të gjithëve që kishin një kontakt me të. Sot gjërat kanë ndryshuar disi. Dy qendra ditore tentojnë të shtojnë koloritin ditor të pacientëve. Përshembull, 5 maji ishte “Ditën e bukurisë”. Në këtë ditë, pacientet femra rregullonin njëra- tjetrën dhe kujdeseshin për veten. Në dhomën ku zhvillohet aktiviteti bien në sy objekte të punuara me dorë, vazo të pikturuara shumëngjyrëshe, punime artizanale dhe një kënd ku vendosin fotografitë e tyre.
“Shpresa është ajo që të mban gjallë dhe të bën ta shohësh dritën e diellit edhe kur ajo nuk ka dalë. Këtu ajo që ju duhet më shumë këtyre të sëmurëve është të kuptojnë se dhe brenda këtyre mureve mund ta gjejnë një qëllim për ta bërë jetën të shikohet me një sy ndryshe. "Këtu vijnë nga të gjitha shtresat. Vijnë edhe njerëz me arsim që e kanë më të lehtë për ta kaluar. Varet nga personaliteti. Varet nga sëmundja sa ka degraduar", thotë psikologia e spitalit Psikiatrik, Adela Lamçja. Meshkujt zinin pjesën më të madhe të pacintëve. Këtë e tregojnë edhe statistikat.
Psikologia e spitalit, Adela Lamçja na informon se pacientët meshkuj janë dyfish më shumë se femrat. Sipas saj, kjo e ka një shpjegim. “Kjo ndodh për shkak të natyrës së tyre më të dobët, janë më të mbyllur ndaj shoqërisë dhe mund të braktisen më lehtë nga familjarët”, shprehet psikologia e spitalit Adela Lamçja. Ndonëse të rinjtë e sotëm janë të ekspozuar ndjeshëm nga alkooli apo droga si dhe jeta e shthurur, sipas statistikave të spitalit nuk ka shifra në rritje për të rinjtë, por nga ana tjetër ka një ndërgjegjësim në rritje të të rinjve për të kërkuar ndihmë për çdo problem të shëndetit mendor.
"Të rinjtë e sotëm janë më të prekur sepse janë më të varur nga substancat narkotike", thotë psikologia. Sa i takon periudhave të vitit kur njerëzit janë më të predispozuar nga sëmundjet mendore, stina e pranverës është ajo që ndikon më tepër humorin dhe gjendjen emocionale. "Periudhat që kanë numrin më të madh të pacintëve janë kur fillon pranvera sepse ka luhatje të temperaturave dhe koha e gjatë që mund të shpenzojnë në diell. Dielli e ngacmon sëmundjen dhe e shfaq më lehtë. Por nuk është e thënë sepse nuk ndodh tek të gjithë", thotë Lamçja. Disa syresh teksa ecin rrugicave të brendshme të spitalit duken të qetë, të qeshur.
Tepër normalë. Mesa duket kufiri mes normales dhe anormales është shumë i hollë. “Të gjithë kemi një përqindje të vogël "çmendurie", çështja është se si e menaxhojmë atë.
Redaksia Online
(M.Ç/Shqiptarja.com)