Në të gjitha shkollat e Lezhës sot është ndërprerë mësimi pasi ka patur prezencë uji në oborret dhe katet e para të tyre. Ndërsa në fshatra me dhjetëra banesa janë nën pushtetin e ujit e mbetjeve inerte të lumenjve. Sipas Drejtorisë Arsimore, është pezulluar mësimi dhe zjarrfikëset po punojnë për thithjen e ujit. Po kështu i gjithë qyteti po përballet me mungesën e ujit të pijshëm, për shkak të mungesës së energjisë elektrike në stacionin e pompave.
Dhjetra banesa janë ende nën pushtetin e ujit dhe qindra hektarë të mbulura tërsisht. Mungesa e energjisë elktrike si pasojë e përmbytjes së nënstacionit elektrik bëri që hidrovoroët të mos punojnë për rreth 18 orë, ndërsa uji mbuloi edhe qendren e qytetit. Banorët tregojnë se, uji vërshoi vrullshëm duke i gjetur të papërgatitur dhe duke u shkaktuar dëme të mëdha.
Qindra punonjës të sipërmarrjeve të ndryshme nuk munden të shkonin në punë pasi gjithçka u mbuluan nga uji.
Kështu në fshatin Ishull-Lezhë dhjetëra shtëpi janë të pabanueshme. Në fshatin Barbullojë po kështu situata është kritike dhe banorët po “luftojnë” për të shpëtuar bagëtinë dhe ato pak orendi që kanë mbetur pa u përmbytur. Në lagjen “Nënë Tereza” të qytetit të Lezhës ka prezencë të madhe uji, ndërsa në lagjen “Besëlidhja” zjarrfikëset kanë arritur të thithin ujin paraditen e sotme dhe banorët po lëvizin normalisht.
Ndërsa në fshatin Manati situata është edhe më e rënduar. Për shkak të vërshimit të përrenjve malorë, pirgje me inerte kanë zaptuar tokat bujqësore, kanalet kulluese dhe rrugët e këtij fshati. Atje është vendosur ushtria e cila po iu vjen në ndihmë banorëve të zonës.
Ende nuk është marrë vendim për lidhur me dëmshpërblimet për dëmet që janë të shumta, pasi verifikimi i dëmeve sipas Shtabit të Emergjencave do të bëhet në një fazë të dytë.
Redaksia Online
(Shqiptarja.com)