Gazeta e përditshme Shqiptarja.com, website www.shqiptarja.com, që sot, 1 Tetor dhe për tërë muajin në vazhdim, do të kenë një fjongo rozë, simbol i luftës kundër kancerit të gjirit në gjithë botën, për të sensibilizuar gratë dhe nënat shqiptare të kryejnë kontrollet për kancerin e gjirit.

Tetori është konsideruar në të gjithë botën si muaji i parandalimit përmes kontrolleve të mamografisë dhe të ekografisë dhe media ka një rol të rëndësishëm në mesazhet që përcjell nga mjekët te pacientët. Duke qenë një media me vëmendje të veçantë ndaj problemeve sociale, në kontaktet e përditshme me lajmet që vijnë mbarë Shqipërisë, vërejmë një rritje dramatike të rasteve të kancerit të gjirit, edhe në moshat e reja në mbarë vendin.

Shifrat konfirmohen dhe nga statistikat mjekësore: Në Shqipëri kanceri i gjirit zë vendin e parë të vdekshmërisë së gruas. Gjendja vështirësohet edhe më shumë, kur rastet e kapura janë në një stad të avancuar dhe shkenca e mjekësisë, me gjithë arritjet fantastike në këtë fushë, mund të bëjë vërtetë pak për të shpëtuar jetë. Prandaj, ne të "Free and Fair Media Group", vendosëm të sjellim në vëmendjen e të gjitha familjeve shqiptare, përmes një fjongoje të thjeshtë, se pavarësisht mundësive, impenjimeve, është koha për të ndalur pak dhe për të bërë një kontroll: Bashkëshortët t’ua kërkojnë grave, nënat vajzave, vajzat nënave dhe shoqet shoqeve.

Kanceri i gjirit është sëmundja më e përhapur mes grave në vendet perëndimore dhe Shqipëria, për shkak të pozicionit dhe mënyrës së jetesës, nuk përjashtohet nga ajo që shumë e konsiderojnë edhe si “epidemi” për shkak të përmasave të frikshme; e megjithatë, nuk janë gjithnjë të frikshme rezultatet që mjeksia ka arritur në këtë drejtim: Kanceri i gjirit është dhe një nga sëmundjet më të kurueshme dhe vdekshmëria ndaj tij është gjithnjë në ulje nëse kapet në fazat fillestare. Për të arritur këtë edhe në Shqipëri, duhet një sensibilizim i vajzave dhe grave në vetëkontrollet përmes prekjeve të gjirit dhe në kontrollet në qendrat shëndetësore, të paktën një herë në vit.

I gjithë grupi ynë mediatik në këtë muaj, do të jetë i hapur për intervista me mjekët më të mirë të fushës dhe investigime për të verifikuar se sa lehtësira dhe mundësi ka gruaja shqiptare për të bërë kontrollet rutinë. Ne, të Free and Fair Media Group jemi të bindur se një shoqëri e civilizuar duhet të bëjë të pamundurën për të pasur gruan të shëndetshme dhe të fortë.

Ky shkrim u botua sot në gazetën Shqiptarja.com, versioni print, dt. 1.10.2013
Redaksia online