Një kryeprokurore – që Kosova s’e ka!

Një kryeprokurore – që Kosova s’e ka!
Rrjetëzimi medial dhe me këtë edhe publik mes Kosovës dhe Shqipërisë, është bërë aq i fortë sa viteve të fundit janë të rralla, për të mos thënë të paikshme, qasjet herë komparativiste e herë intervencioniste rreth diskurseve, dukurive e në të shumtën anomalive politike, ekonomike, financiare, kulturore në të dy shtetet e këtij kombi. Pa e zgjatur shumë, nuk del një ngjarje a fenomen politik për të cilin nuk provohet të gjykohet nga Prishtina për Tiranën apo kjo e dyta për të parën.
Sidoqoftë, nganjëherë ngjet që “njëra” apo pala “tjetër” o të mos e kuptojë o të mos provojë të kuptojë ndonjë fenomen të fortë që skenën e akëcilit kryeqytet e godet. Thuhet që heshtja është (si) ar. Por edhe ari si i tillë – para se të marrë atë shkëlqim duhet të kalojë nëpër ca sita llaçi e shoshitjeje në mënyrë që fare në fund ta ketë atë fuqi që e ka... Kjo për marrëdhëniet e ndërsjella.
Kurse, për shembullin e heshtjes së Kosovës për një trandje politike, publicistike e nëse doni edhe historike të Tiranës, nuk po e vonojmë aspak por po e themi menjëherë: Ina Rama. Paraqitja e javës së kaluar e kryeprokurores në kështjellën mediale të doktorit- “Opinion” të TV Klan, ishte një leksion – për dikë shkatërrues e për dikë tjetër adhurues... sesi flitet, gjykohet dhe para së gjithash punohet. Në punën e prokurorisë në veçanti dhe drejtësisë në përgjithësi.
E ndër shqiptarë – kudo që ata janë, të jesh profesionist në këtë fushë dhe jo vetëm këtë – do të thotë që paraprakisht je ose i rreshtuar politikisht ose i shitur pafytyrësisht. Neutraliteti profesional perceptohet si defekt. Diçka pra, që për konceptin modern dhe thellësisht demokratik në mentalitetin perëndimor të shtetmbajtjes është thjesht e paimagjinueshme.
Me sprovën për të mbajtur distancën e duhur me Tiranën e rraskapitur nga (vetë)rrahjet politike në vjedhjen e votës, mosrespektimin e gjyqësorit dhe pandeminë e korrupsionit, nuk ka si të mos konstatohet që në të tre këto fusha ngecin edhe sivëllezërit e tyre në Kosovë – e nëse doni edhe në Maqedoni. Pra, gjithandej ku ka politikanë shqiptarë të tre këto fenomene janë pjesë e pashkëputshme e politikës dhe përditshmërisë. Për “Gërdecin” e “Metën” e “21 janarin” e Tiranës as të mos flasim këtu sepse të gjitha këto, ditë për ditë në metastazat e tyre ngjajnë në çdo mejhane Tirane, Prishtine, Prizreni, Shkupi e Tetove. Kurse janë vetë politikanët ata që luajnë rolin edhe të xhelatit edhe viktimës. Kadiut dhe Myftiut. Ky është mentaliteti i tyre, i cili këtij kombi po i kushton aq shumë dhe po e lë aq larg “proceseve integruese” e që i bie në periferinë e Perëndimit dhe me këtë edhe të Evropës.
Natyrisht që kalkulimi i Ina Ramës në atë paraqitje thellësisht jopolitike ishte më tepër se politik. Sepse ajo, dhe sidomos ajo, e di fare mirë që as në SHBA e as në Gjermani, por as në shtete shumë të vogla por për këtë demokratike është e pamundshme që një prokuror(e) shteti të ulet në studio televizive të një gazetari dhe të flasë e flasë për gati dy orë për punën e saj. Sidoqoftë, siç edhe ajo vetë e pranoi, kjo gjë (më në fund) duhej bërë... Në çastin dhe kohën e duhur. Që do të thotë t’i jepej një dru i fortë lukunisë së të çmendurve të politikës së Kadiut e Myftiut.
Edhe prokurorja shqiptare e di me siguri që betejat e saj të hapura nga “Meta” përmes “Gërdecit” e deri tek 21 janari do të humbasin sepse janë hallkat zinxhirore në forma “Shpresash” ato që në fund shënojnë “pesë me zero”. Por, fitorja e Ina Ramës është e padiskutueshme: ajo ka vënë kritere dhe masa të reja në mentalitetin shqiptar.
Dhe, nëse deri pardje ishte “lavirja” e nga e diela “shoqja” e Bulevardit, pikërisht ata që i japin asaj këso epitetesh e dinë fare mirë që e hëna nuk do jetë dita as java e nëse doni as viti i tyre... por i Ina Ramës dhe kolegëve të saj... Shqipëria, dhe me këtë edhe Kosova dhe krejt shqiptarët, janë ngopur nga politikanët e tyre. Tirana e ka një Ina Rama. Prishtina do të duhej ta ëndërronte dhe siguronte një të tillë.
Viti 2012 nuk do të duhej të ishte viti i politikanëve të pacipë, të pangopur dhe plangprishës shqiptarë – kudo që ata janë.
Njëqindvjetori i shtetit të shqiptarëve do të duhej të ishte viti i prokurore/ëve shqiptarë, të cilët do të duhej të ndjekin e burgosin kryeharbutët dhe kryehajnat e politikës shqiptare...
(Marrë nga gazeta “Zëri”)

(aq/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Censi 2023, popullsia u tkurr me 419 mijë në 12 vite, cili është shkaku?



×

Lajmi i fundit

‘Kam qenë duke u nda me gruan’, banori i Thethit i drejtohet Ramës pasi merr certifikatën e pronësisë: Më solle pajtimin dhe unitetin

‘Kam qenë duke u nda me gruan’, banori i Thethit i drejtohet Ramës pasi merr certifikatën e pronësisë: Më solle pajtimin dhe unitetin