Një libër odeon për bardin e
madh të çiftelisë

Një libër odeon për bardin e<br />madh të çiftelisë
Libri i Ndue Shytit ishte sa i shkruar (nga dhjetëra autorë, në një gjysmë shekulli, në aq e aq artikuj e gjer monografi të shkurtëra kushtuar artistit), aq i pashkruar, ndaj studiuesi i përkushtuar Mark Mesuli, në librin e tij “Gjeniu i Çiftelisë”, që sapo ka dalë nga botimi, ka meritën se e bëri “njësh” atë lëndë të bollshme që ishte e hallakatur në kronika, reportazhe, studime etj. Nga ana tjetër libri, është origjinal jo vetëm nga prurja për herë të parë e mjaft materialeve të vjelura nga bisedat e gjata me protagonistin Shyti, tashmë 80-vjeçar, por dhe nga rrokja e figurës së tij dhe përgjithësimet rreth profilit të tij si artist.

Autori ka përshkruar bukur gjithë historinë gjysmëshekullore të bardit, shpesh përmes detajesh pikante rreth jetës artistike të tij, si rastin kur ai, i sëmurë, në avionin Shangai-Pekin ironizon me citatet e kryeratit Mao, që lexohen papushim nga përkthyesja kineze në gjuhën shqipe për artistët tanë të Ansamblit të Shtetit, në ditët e para të revolucionit kulturor kinez me 1966. Këto nxjerrin në pah karakterin e këtij malësori që humorin e ka veti të karakterit. Siç do të vemë re nga libri, për të kanë shkruar: Ramadan Sokoli, Tish Daija, Besim Zekthi, Sabrie Nushi, Pirro Miso, Josif Papagjoni, Xhevahir Spahiu, Roland Gjoza, Riza Tafilaku, Sulejman Sula, Pashk Lekaj, Fran Vukaj, Esat Ruka, Namik Selmani, për të ardhur te monografia “Gjeniu i Çiftelisë” e studiuesit tashmë të afirmuar në lëmin e monografive, do të thonim të një stili antologjik, Mark Mesuli.

Kësisoj, ky është si një libër orkestër, pasi janë të shumtë ata “instrumentistë” të fjalës dhe muzikologjisë shqiptare që kanë shprehur vlerësime të merituara për artistin Ndue Shytit, duke e rikrijuar bashkë me autorin portretin e tij prej artisti të madh. Çdonjëri nga ata sjell dëshmi, se si një njeri i urtë doli nga vendi ku dhe dheu i kuq, balta e Gojanit, në duart e mjeshtërve, merr forma artistike dhe bëhet enë gatimi, shkrolohet e zbukurohet me elemente dekoruese artistike.

Hartuesi i monografisë ka përdorur disa forma të punës kërkimore: intervistën me vetë bardin e çiftelisë, kujtimet e bashkëkohësve dhe shënimet enkas për këtë botim të disa personaliteteve të muzikës dhe kulturës shqiptare, studime të mëparshme muzikologjike, si dhe ka sjellë larminë e pasqyrimit të veprimtarisë së tij në shtypin e kohës, si instrumentist elitar, po dhe si drejtues i Ansamblit “Puka” dhe veçanërisht në përbërje të Ansamblit të Shtetit, ku Ndue Shyti ishte “i brendshmi” i jashtëm. “Ai komunikonte me instrumentin e tij përditë, ia përkëdhelte drurin çiftelisë, s’i t’i bënte asaj magji, i përpunonte pareshtur meloditë”, shkruan autori, duke na krijuar plotërinë e kësaj figure emblematike të muzikës popullore.

Është pohuar nga bashkudhëtarët në koncertet jashtë vendit, se atij i ishte ndaluar t’i binte çiftelisë pas mesnate, pasi ashtu do ta zbardhte drita mbi vegël. Vërtet folku ka befasitë e veta, jo më kot në Suedi artdashësit e huaj kishin thënë për të se ky artist na hipnotizon me meloditë e tij, por a ishte e nevojshme gjithë ajo punë kur talenti i tij ishte i pashoq? Duket se një gjeni krijues nuk mund të jetë vetëm me atë qelizën zanafillore, talentin, por dhe me punën deri në vetëflijim. Kësaj i mëshon dhe autori i monografisë, si për të na thënë për të njëmijëtën herë, është puna që e bën artistin.

Ky botim i tij erdhi pas disa sprovash në fushën e monografive për artistë të folkut të Veriut, si rapsodin e njohur Frrok Haxhia, instrumentistin popullor Mark Nikolla, njeriun erudit Pal Nikoll Marku, themelues i shërbimit sinoptik shqiptar në Tiranë, më vonë i bibliotekës shkencore të naftës në Kuçovë etj. Ndue Shyti e kishte fort për zemër njeriun që do të shkruante monografinë e tij, por aspak për këtë qëllim, por që 15 vite më parë. Me Mark Mesulin, thotë ai, njihemi pa qenë partitë, si të flasë për një kohë të largët të njerëzimit, si me thënë përtej politikës.

“Ka qenë kryetar i komunës së Gjegjanit, në vitet 2000, kur erdhi në shtëpinë time në Durrës, ai nuk e këqyri që unë isha demokrat e unë nuk e këqyra që ai ishte socialist. Më ka ardhur dhe në fatkeqësinë e humbjes së djalit, në anën njerëzore më asht tregue vëlla e shkue vëllaut. Ai ka kuptuar se gjithnjë vlerësimin e kam marrë vetëm prej artit dhe kjo asht arsyeja që unë e besoj në ato që shkruan për mua.” Por edhe pse kishin këtë raport ndjesor e miqësor të ndërsjelltë mes tyre, deri vonë nuk kishin ndërmend të venin te ky libër, Ndoi mbase mendonte se nuk ishte dikush i ngeshëm t’ia hynte një libri kushtuar tij, Marku se e dinte sa punë kishte një monografi e tillë, për më tepër kur punë kësdodore nuk gjejnë fort mbështetje nga ata që e kanë për detyrë të krijojnë lehtësirat e nevojshme.

Por më në fund Ndoi u bind që të dëshmonte mbi jetën e tij artistike, ku pas kësaj, autori e ka intervistuar me orë e ditë të tëra në shtëpinë e tij në Durrës, ka gjurmuar në arkiva e biblioteka çdo të dhënë e detaj rreth jetës artistike të artistit virtuoz, ka shfletuar botimet dhe shtypin e kohës, ka thirrur në “ndihmë” një varg specialistësh të fushës së muzikologjisë nga më të njohurit e vendit, për të kumtuar rreth veçorive krijuese të institutit Ndue Shyti, gjë që e ka bërë librin e tij më solid e profesional. Është interesante se ai shihet si atëherë si sot, pa kërkuar t’i rrëzojne diçka nga krijimtaria e tij, kinse të natyrës ideologjike, siç ndodh me këngëtarët, pasi meloditë e tij ishin krejtësisht jashtë “ideologjikës” dhe socrealizmit.

Falë lëndës së bollshme që Mesuli ka sjellë dhe mbarështrimit të saj, lexuesi kupton se ky artist i Popullit (me germë të madhe) kur rrëfen për veten, thotë gjithmonë më pak se sa të tjerët, mjeshtrit e mëdhenj të muzikës, thonë për të. Autori ka bërë një punë skrupuloze me këtë botim, duke i bërë nder bibliotekës së tij të dijes dhe asaj studimore, që në këto dhjetë vitet e fundit ka krijuar një profil të admirueshëm. E kemi shënuar dhe më parë se ky studiues posedon një bibliotekë të pasur që është identiteti i tij, që rrallë mund ta gjesh tjetërkund në male, të cilën e trajton si një krijesë të gjallë dhe pasuron në vazhdimësi me libra, dokumente, fotografi, ku nuk mungon as ditari i tij prej 40 vitesh. Libri ka qenë pasioni më i madh i tij, të cilit në këtë dekadë ai iu kthye jo vetëm si lexues, kumtues e artikullshkrues, por si një autor i mirëfilltë në rrafshin e librave të natyrës studimore.

Mark Mesuli rron në vendlindjen e tij në Gjegjan, duke nxjerrë nga duart punë të vyera monografike, por ai është përherë në lëvizje, në kontakte me studiues, biblioteka e arkiva, në kërkim të vlerave, në Tiranë, lezhë, Shkodër etj. Ai është një shembull se si mund të punohet mbi letra kudo, nëse nuk të mungon zelli dhe përkushtimi, ku herë-herë pena mund të këmbehet me gërsherën e krasitjes së hardhive. Përndryshe, mund të rrosh mes metropolit dhe të mos shkruash gjera të vlefshme. Ndërkohë që ka një marrosje të jo pak shkruesve (asesi autorë) pas publikimeve për njerëzit e fisit e të familjes, paçka mospasjes së meritimeve të nevojshme për të qenë njerëz publikë.

“Fisi” i Mark Mesulit përkundrazi janë korrifejtë meteorikë të trevës së tij me renomë kombëtare, veçanërisht ata të luginës së Fanit të Madh, që përndryshe mund të thirrej Mirdita e Epërme. Gjithsesi, ky libër është një odeon për një artist të papërsëritshëm të skenës popullore shqiptare, ku ndërthuret mjeshtërisht rrëfimi i protagonistit me një lëndë të tërë dëshmuese nga ana e të tjerëve.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 14 Shtator 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com) 

  • Sondazhi i ditës:

    Partia e Mitsotakis kandidon Fredi Belerin për eurodeputet, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kukës, procedohet një 45-vjeçar nga Kosova, tentoi të fuste nga Morina 24 900 euro të padeklaruara

Kukës, procedohet një 45-vjeçar nga Kosova, tentoi të fuste nga Morina 24 900 euro të padeklaruara