Një mea-culpa si
kërkesë e shoqërisë

Një mea-culpa si <br />kërkesë e shoqërisë
Opinioni publik u trondit pse në shqiptarja.com u botua një pjesë e dëshmisë së monstrës Ardian Prrenjas për çështjen e përdhunimit të djalit 10 vjeçar. Dokumenti i dalë nga zyrat shtetërore, (kur në fakt hetimet nuk kanë përfunduar) tmerruan njerëzit më shumë sesa akti makabërr i Prrenjasit që po bëhet personazhi më mediatik i kohëve të fundit.

Nuk e mendova një ditë më parë se reaksioni do të ishte kaq i madh, apo se kjo ngjarje do të kalonte përmasat e të zakonshmes. Por, tashmë, detyruar nga reagimi i madh në faqet online, sidomos në facebook, po bëj këtë ndjesë publike me argumentet përkatëse.

Ndjesë për botimin e një materiali që është tërësisht i vërtetë, por që nuk pëlqehet nga opinioni publik, nuk përtypet nga ata dhe për më tepër, nuk shikohet si një moment refl ektimi për të njohur të gjithë shoqërinë tonë.

Ndjesë se nuk e mendova se ende nuk i kemi thyer tabutë në shoqëri, se nuk e pranojmë të vërtetën sado e hidhur dhe e dhimbshme është ajo, se nuk duam ta shohim të vërtetën në sy dhe si shoqëri nuk duam t’i shkojmë të keqes deri në fund për ta shkulur nga rrënjët.

Ndjesë shumë miqve që në mesazhe private, por jo publike, nxitur nga një lloj “histerie” ku mostra dhe unë ishim në një poster, dhanë mbështetje për të treguar se ky rast, do të jetë një rast i mirë për të reflektuar dhe për të parë se nga thellësia e tragjedive të tilla, nga tregimi i të vërtetave të tyre do të mund të krijojmë një mjedis më të sigurt nesër. Ndjesë të gjithë atyre që keqkuptuan mesazhin e informimit që jep media, pasi në duart e saj bien dokumentet. A duhet të publikohen apo jo rastet e tilla?

Më parë, kemi botuar. Në median e huaj, gjenden po ashtu raste të botimit. Discovery channel, ka me dhjetëra prodhime të kësaj fushe deri në detaje, për të nxitur shoqërinë në shikimin më të mirë të fenomenit.

Ndjesë kujtdo që është cënuar nga botimi, familjarë, të afërm, qytetarë, por me thirrjen se përpara se të kërkojmë të keqen brenda medias, duhet ta shikojmë të keqen te krimi i fshehur në tragjeditë tona familjare, e në rastin konkret, aty ku ka jetuar e ka punuar ky person monstër, aty ku çdokush e ka fshehur të vërtetën për të, për ti bërë një të keqe të madhe shoqërisë nesër.

Unë nuk kam turp as frikë të kërkoj ndjesë. Ashtu sikurse personalisht vendosa botimin e atij dokumenti, parë nga rastet e gazetarisë ndërkombëtare për të cilat shkrova më sipër. Ndoshta e vetme, kërkova të thyej një tabu në shoqërinë shqiptare dhe gabova. Ju nuk e kuptuat, dhe unë isha e parakohshme.

Ashtu sikurse mendoj dhe shpresoj, se shoqëria shqiptare do të bëhet akoma më e mirë, nëse të gjithë do të kenë sinqertitet, forcë e vullnet, për të pranuar të vërtetën që na gërryen të gjithëve brenda nesh.


Shkrimi u publikua sot në gazetën Shqiptarja.com(print), 21 mars 2013
(ad.ti/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Ukrainë, lufta dhe pasiguria ndikojnë tek rënia e popullsisë

Ukrainë, lufta dhe pasiguria ndikojnë tek rënia e popullsisë