Dalëngadalë fushata po kulmon dhe është normale që emocionet fillestare -thjesht politike, të zëvendësohen dora-dorës me një reagim më racional të njerëzve. Me të drejtë qytetarët presin shumë më tepër se sa entuziazmi elektoral. Aq më pak ata mund të kënaqen me demonstrime arritjesh të shkuara, e sfilata “veprash” ..pa inventar.

Eksperienca e njëzet e ca viteve garash politike, me arritjet por edhe zhgënjimet e njohura, u kanë mësuar të gjithëve se retorika e përbetimet politike parazgjedhore s’para thonë shumë. Se jeta e tyre, e familjeve të tyre dhe e ardhmja e fëmijve të tyre, mbetet për ta gjëja më e rëndësishme, dhe se pyetja “sa i keq është kundërshtari” s’ka thuajse asnjë peshë përballë pyetjes madhore: cila është Shqipëria ku unë do të jetoj? Sa ofron ajo, punë, shërbime dhe dinjitet?

Kjo e fundit bëhet pikërsisht guri i provës për çdo program që rreket të marrë simpatinë e tyre. Prandaj edhe fushata dora-dorës po na shfaq një pamje të re: ku gjithnjë e më pak vend po ze emocioni e parapëlqimi politik e gjithnjë e më shume vend parësor po zë ..konkurrimi programor dhe argumentat mbi zgjidhjet e mundëshme.

                                       ****

E vetëdijshme për këtë standard të ri në kërkesën e publikut, LSI vjen në këtë fushatë me një kontribut të qartë programor: Ajo insiston jo vetëm për një forcim të përmbajtjes sociale, por edhe për një frymë praktike e realiste të programit elektoral; për një paketë drejtimesh qeverisëse që do t'i jepnin qeverisjes së ardhshme pikërisht atë tipar të munguar: si një qeverisje për qytetarin!

Për më tepër, LSI mendon se këto drejtime qeverisëse duhen zbatuar me ritmin e duhur, pra shpejt. Jo vetëm sepse ky është një detyrim që politika ja ka borxh qytetarëve të vet, por edhe sepse koha është dimension i konkurrencës dhe konkurrenca -elementi bazë i suksesit. Sepse jetojmë në një botë të hapur, rajonale e globale; cdo vonesë në zbatimin e reformave e masave të projektuara, i humbet vendit, ekonomisë e shoqërisë shqiptare, fuqinë e nevojshme konkurruese ndaj të tjerëve, duke këcënuar me një efekt negativ zinxhir. Në se humbet ritmin, nuk qëndron thjesht në vend: mund të zhvendosesh nga të tjerët e ...të shkosh mbrapsht. Kjo shpjegon edhe pse LSI për këtë ofertë zgjedhore ka zgjedhur leitmotivin: të ecim më shpejt!

                                                      ****

Cilat janë tiparet kyçe të programit LSI? Së pari, në të bëhet kujdes që gjithshka të vendoset në kuadrin e Integrimit Europian të vendit. Pra, që masat dhe reformat e propozuara jo vetëm të mos cënojnë, po përkundrazi ta përshpejtojnë këtë proces. Kjo natyrisht buron nga natyra e LSI, nga orientimi bazë i saj, qysh në themelim. Por kjo shërben gjithashtu edhe për t’i dhënë programit një bosht solid, nga pikpamja e frymës dhe natyrës së normave të propozuara. Që ecuria të jetë e qëndrueshme dhe në harmoni me hapat e ardhshëm, deri në antarësim të plotë në BE. Që ky është një orientim i qënësishëm dhe jo formal e spekulativ, e dëshmon edhe kërkesa këmbëngulse e kryetarit Ilir Meta për miratimin e menjëhershëm të tre akteve që i hapin rrugë statusit kandidat.

Por karakteri integrues i ofertës qeverisëse LSI, duket edhe në një dimension tjetër: si “integrim” i të gjitha drejtimeve të qeverisjes në një program harmonik e të unifikuar. Pra masat e propozuara, nuk shifen e nuk veprojnë veçmas, sipas drejtimeve që mbulon kjo apo ajo ministri e agjensi shtetërore, por si një paketë e ndërlidhur masash, me lidhjet ndërsektoriale, me sinergjinë dhe efektin që japin në objektivat e përgjithshëm. Kjo duket edhe brenda sektorëve prioritarë: kur theksohet p.sh. se duhet prodhuar Strategjia e Integruar për Zhvillimin e Turizmit, në fakt nënvizohet nevoja që “synimet turistike” të mos mbeten thjesht dëshira, por të shoqërohen me gjithë mbështetjen e nevojshme për prodhim bujqësor të përshtatshëm, për infrastrukturë e koncept mjedisor, për siguri, rend e qetësi, për kapacitete menaxhuese e shërbimi të kohës, etj. etj.

Programi ka në bazë një objektiv madhor ekonomik e social. Ky është Punësimi. Bazuar në llogaritjet e veta edhe LSI ka një objektiv numerik: atë të hapjes së rreth 170-180 mijë vendeve të punës. Por më e rëndësishme se shifra totale këtu është garantimi real i saj; dhe këtu kryesor është kujdesi për të vendosur nën këtë objektiv të gjitha ndërhyrjet e tjera me karakter ekonomik.
Për këtë LSI thekson nevojën e Proritizimit, pra përzgjedhjes të 4-5 drejtimeve kryesore dhe orientimi drejt tyre i burimeve dhe mjeteve –pikërisht sepse ato gjykohet të jenë burimi kryesor i punësimit. Të tilla drejtime janë: bujqësia e agropërpunimi, turizmi e shërbimet, prodhimi me intensitet punësimi, ndërtimet infrastrukturore dhe fusha energjetike.
****
Edhe më e rëndësishme se përcaktimi i drejtimeve, bëhet shqyrtimi i rrugëve e mjeteve për mbështetjen e tyre. Programi i LSI është një përpjekje serioze për të vlerësuar me realizëm mundësitë dhe mekanizmat financiare. Nisur nga gjendja e buxhetit dhe presionet e krizës globale në vazhdim, ai nuk mund të jetë një program euforik. Por tenton të jetë një program racional. Ai ngrihet mbi bindjen se ekonomia ka ende mjaft potenciale që duhen çliruar. Për çlirimin e tyre, propozohen disa masa e rrugë. Mes tyre renditen edhe një sërë lehtësish e përjashtimesh fiskale.

Për të cilat ekziston vetëdija se duhet të jenë të matura e të arësyeshme. Sepse kanë efekt të dyanshëm: ato lehtësojnë biznesin por nga ana tjetër përbëjnë barrë për buxhetin. Prandaj LSI sugjeron që të mobilizohen me prioritet burime të tjera me më pak kosto, madje pa kosto. Të tilla janë masat me natyrë mobilizimi të koordinuar të burimeve financiare, masat me natyrë mirëadministrimi, si dhe eficencë në përdorimin e tyre. Në këtë linjë janë propozimet për ngritjen e Bankës Kombëtare për Investime dhe Zhvillim si dhe Agjensisë qëndrore të monitorim vlerësimit të investimeve dhe reformave –në linjë me prioritetet kombëtare.

Në linjë me orientimin e gjithë të majtës së bashkuar, programi i LSI thekson fort nevojën e një dimensioni social të politikave qeverisëse, të forcimit të solidaritetit social. Ai propozon edhe një rishikim drejt forcimit, të rolit të shtetit dhe prezencës së tij, në rishpërndarje dhe në shërbim të qytetarit. Kështu janë propozuar një sërë masash me ndikim social, në mbështetje të më të varfërve dhe shtresave në nevojë, në drejtim të taksave e tatimeve mbi të ardhurat, çmimeve për energjinë, rimbursimit të TVSH për një kuotë ushqimore “jetike”, etj. Por edhe më të rëndësishme në aspektin social, mbetet propozimi për mbështetjen prioritare të sektorëve të sektorëve të Arësimit dhe Shëndetësisë –duke propozuar arritjen e kuotës buxhetore 5% përkatësisht në gjysmën dhe në fundin e mandatit qeverisës. Kjo do të garantonte edhe ambicjen tonë programore për akordimin e “bonusit jetik” për familjet në nevojë.

Gjithashtu, LSI është për një shtet funksional dhe efikas dhe jo thjesht për një shtet ..të lirë! Një shtet “i lirë” ose “qeveri e vogël”, por që s’është në gjendje të garantojë shërbimet bazë jetike, sigurinë e qetësinë për qytetarët e vet e bizneset, nuk është shteti që ne aspirojmë.

Sigurisht programi LSI do të jetë një paketë e negociuar ndërhyrjesh dhe reformash. Masa e veprimit dhe efektet e axhendës LSI do të varen nga shkalla e përfshirjes së saj në programin qeverisës të Aleancës për Shqipërinë Europiane. Në të cilin pavarësisht variacioneve të lidhura me kompozimin, një gjë ka marrë konsensus të plotë qysh tani. Ajo synon të jetë: një qeverisje për qytetarin!

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 14.05.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)