Meqenëse mazhoranca dhe opozita akoma nuk kanë rënë dakord për numrin e votave 3/5 apo 2/3 për zgjedhjen nga Parlamenti të disa funksionarëve të Drejtësisë, unë mendoj se një kompromis, një zgjedhje e mesme do të ishte e mundshme.
 
Unë propozoj që zgjedhja nga Parlamenti e funksionarëve të Drejtësisë që parashikon Projekt-Reforma e Drejtësisë të bëhet me më shumë se 3/5 e të gjithë votave të Kuvendit. 
 
Në këtë mënyrë mazhoranca tregon se ka vullnet dhe bën kompromis me opozitën, ndërsa opozita duhet të ndjehet tepër e kënaqur sepse me insistimin e saj votimi nw Parlament do të kërkojë jo 3/5 e votave sa parashikon drafti i sotëm dhe sa insistonte mazhoranca, por më shumë se 3/5 e votave, ndonëse jo 2/3 e votave sa insitonte opozita. 
 
Me këtë zgjidhje si opozita, ashtu edhe mazhoranca duhet të ndjehen fituese. Por më kryesorja është se të gjithë qytetarët dhe Shqipëria fitojnë nëse Parlamenti e miraton Reformën sa më shpejt, mundësisht brenda muajit Maj 2016.
 
Këtë sugjerim unë ia kam dërguar disa ditë më parë Komisionit Parlamentar të Refomës në Drejtësi.
 
Unë mendoj se ndarja midis opozitës dhe mazhorancës e numrit të gjykatësve dhe disa funksionarëve të tjerë të Drejtësisë do të ishte tepër e dëmshme sepse do t’i politizonte gjyqësorin e Prokurorinë edhe pas kësaj reforme, pra do t’i bënte këto institucione po aq të politizuara sa janë edhe sot dhe reforma do të dështonte në qëllimin dhe objektivat që ajo synon të përmbushë.
 
Zef Brozi
Uashington, DC   16 Maj 2016


Redaksia Online
Shqiptarja.com