Një rekordmen si Sali Berisha

Kryeministri Sali Berisha është një udhëheqës olimpik. Sporti i tij i dashuar është ecja në Dajt dhe noti në Jon. Duke synuar rekordi vit pas viti, edhe pse mosha bën të vetën. Ai e ka bërë ritual tashmë që në fund të korrikut ose fillim të gushtit të hyjë në ujërat e Jonit dhe të vërë kronometrin për të thyer rekordin e radhës. Kësaj radhe është një vit i veçantë. Doktor Berisha sapo është kthyer nga Lojërat Olimpike të Londrës dhe ende është me shpirtin olimpik të garës. Dhe sot do të ketë shansin të arrijë rekordin e vet. Mbrëmë në 20.45, i shoqëruar nga eskorta ai arriti me makinë te vila qeveritare në Dhërmi për të kaluar fundjavën. Dhe për të vënë një rekord të ri të ndjenjes në ujë. Sivjet edhe pse është një vit më i vjetër se vjet dhe dy vite më i moçëm se parvjet, ai synon rekord të ri. Një vit më parë, mesditën e 31 korrikut 2011 ai notoi plot 132 minuta kundrejt 127 minutave të vitit 2010. Gara filloi në ora 11.00 dhe u mbyll pas 132 minutave, më konkretisht në orën 13.12 minuta. Sivjet mendohet se ai do të rrijë në ujë plot 137 minuta, pesë minuta më shumë se vjet dhe 10 minuta më shumë se parvjet. Sivjet duhet një rekord i ri. Sepse është 100 vjetori dhe Pavarësia kërkon që vendi të ketë një udhëheqës rekordmen. Pastaj është një vit për tu festuar më së miri. Vjet kur shënonte rekordin e radhës, kishte prishur me plumba planin e puçistëve për t’i marrë kryeministrinë. Kurse sivjet u ka marrë edhe presidencën. I ka nisur me pushime të gjithë bashkë si opozitë dhe oponentë brenda të djathtës dhe ua mban mbi kokë dorëzimin e imuniteteve, duke shënuar rekordin e kryeministrit më anti-korripsion në rruzull.

Sot në Dhërmi do të jetë një ditë për tu parë. Vërtet Pulaku u përjashtua, sepse përdori doping dhe nuk do të kemi rekord në peshëngritje, qitësi dhe notari tjetër nuk u kualifikuan, apo se kosovarja Kelmendi mund të bëjë ndonjë tentativë, por këto nuk ka fare rëndësi. Doktori sot ka ditën e rekordit dhe ne do ta mësojmë atë. Ai do të rrijë mbi ujë sa të vendosë vetë, gjithnjë më shumë se një vit më parë, për të treguar se nuk ka rekordmen tjetër si Berisha.

Shkrimi u botua sot ne gazeten Shqiptarja.com
(sg/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 16 Janar, 08:35

    Dhëndri i Trump investitor strategjik për resort në Sazan, si iu duket?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi/ Nëse votohet sot, PS merr më shumë se 50% të votave, mazhoranca më e pëlqyer në emigracion

Sondazhi/ Nëse votohet sot, PS merr më shumë se 50% të votave, mazhoranca më e pëlqyer në emigracion