Libri paraprihet nga një parathënie e historianit Pëllumb Xhufi (f. 13-16) dhe është i ndarë në katër krerë (pjesë). Pjesa e parë e studimit mban titullin: “Krishtërimi-katolicizmi ndër shqiptarë nga fillimet deri tek rënia nën sundimin osman shek. XV”, (f. 31-58), e që vështrohet ndryshe dhe më i zgjeruar se sa ç’tregon titulli që specifikohet duke nisur nga shekulli XI. Aty trajtohen provincat kishtare të Ilirisë dhe krishtërimi i hershëm, organizimi kishtar në Provalitanë dhe provincat e tjera kishtare deri në shekullin XII, kishat e Dioklesë dhe Tivarit gjatë periudhës së dominimit sllav dhe persekutimit të Stefan Dushanit. Pjesa e dytë mban titullin: “Sundimi osman shek. XV-XIX” (f. 61-98), dhe trajton zonën e pushtimit osman në Shqipërinë veriore bazuar nga të dhënat e regjistrimit osman në Defterin Kadastral të vitit 1485 (f. 72-77), për të vijuar më tej me kryengritjet e para antiosmane në këtë Sanxhak si dhe disa vëzhdime rreth fisit dhe të drejtës zakonore kryesisht në zonën e Kelmendit. Vlen të theksohet se autori lë krejtësisht pa prekur në këtë periudhë fillimet kryengritëse të Ipeshkvit të Stefanisë Nikollë Mejkashit dhe një nga kryengritjet më të rëndësishme të kohës të udhëhequr nga Arqipeshkvi i Durrësit Imzot Mark Skura. Të dy këto pjesë të studimit duke llogaritur studimin nga shek. XI deri tek shek. XVII, kanë një shpërpjestim jo të vogël vëllimor krahasuar me pjesën vijuese, sepse 6 shekuj të trajtur deri këtu përbëjnë vetëm 1/7 e vëllimit të studimit.
Pjesa e tretë e studimit me titull: “Islamizimi i shqiptarëve në veri shek. XVII-XVIII (f. 101-210), përbën një pjesë me mjaft interes studimor që i shtohet studimeve të mëhershme të kryera nga Don Shan Zefi dhe Peter Bartl. Aty trajtohet ky fenomen në dioqezat e Shkodrës, Lezhës, Pultit, Sapës dhe Arkidioqezat e Tivarit, Durrësit dhe Shkupit, pas shuarjes së dioqezave të Balesit, Drishtit, Shasit dhe Ulqinit. Mjaft interesant dhe si një risi vjen relacioni i vitit 1697, i Arqipeshkvit të Tivarit Imzot Mark Giorgio (1696-1709), i cili sjell të dhëna të reja lidhur me gjendjen demografike dhe atë kishtare në Arkidioqezën që mbulonte. Sigurisht nuk mund të mungonte as relacioni i mirënjohur i Vinçenc Zmajeviçit (1702). Një vend të posaçëm zënë kryengritjet për pavarësi të kryesuara nga prijës nga kleri katolik si Abat Preng Doçi, Nikollë Kaçorri etj.
Pjesa e katërt e studimit me titull: “Kisha Katolike në trevat shqiptare dhe sfidat gjatë shek. XX” (f. 211-391), përbën jo vetëm gjysmën e studimit në pikëpamje sasiore, por edhe pjesën më të rëndësishme të kontributit të autorit sidmos për sa i takon kryedioqezave Shkupit dhe Tivarit. Autori ka bërë një punë jo të vogël kërkimore në Arkivat vendase dhe të huaja, duke sjellë fakte të reja për gjendjen e Kishës Katolike në Shqipëri, sidomos përgjatë periudhës së shekullit XX, para dhe pas luftës së dytë botërore, kryesisht sa i takon padrejtësive në Shqipërinë e mbretërisë së Ahmet Zogut dhe vuajtjeve e persekutimeve të diktaturës komuniste të Enver Hoxhës si dhe shtypjes dhe represionit mbi bazë nacionale që kisha katolike përjetoi gjatë kësaj kohe në Jugosllavinë e Karagjergjoviçëve, të Titos e të Millosheviçit në Mal të Zi, Kosovë e Maqedoni. Autori ka sqaruar edhe disa diferenca midis hierarkisë së Klerit Katolik në Shqipëri dhe Selisë së Shenjtë lidhur me emërimin e klerikëve të huaj në Shqipëri të cilët sipas hierarkisë së klerit shqiptar gjykoheshin se mund të ndikonin negativisht për shkak të mosnjohjes së rrethanave kulturore apo edhe njëfarë zelli të tepruar që druhej se do të ndikonte negativisht në marrëdhëniet ndërfetare në vend si dhe rolin e diplomacisë së Selisë së Shenjtë përmes nucve apostolikë si Ernesto Cozzi, Giovanni Battista Della Pietra, Ildebrando Antoniuti dhe Leone Giovanni Battista Nigris.
Një vend me rëndësi zënë në studim marrëdhëniet shpesh problematike (jo për fajin e saj), ndërmjet kishës katolike shqiptare dhe shtetit shqiptar në Shqipëri por edhe në Mal të Zi, Kosovë e Maqedoni, ku bashkësia katolike shqiptare ka pasur historikisht struktura kishtare katolike shqiptare, sidomos ndjeshmëria e treguar përmes Memorandumit mbi gjendjen e shqiptarëve në Jugosllavi drejtuar Lidhjes së Kombeve në vitin 1930 nga Dom Gjon Bisaku, Dom Shtjefën Kurti dhe Dom Luigj Gashi. Janë trajtuar shfaqja e dhunshme e qeverisë së Ahmet Zogut në rastin e kryengritjes së Dukagjinit, pjesmarrës të së cilës ishin edhe klerikë katolikë si Dom Gjon Gazulli dhe Loro Caka, apo çështja e mbylljes së shkollave dhe e institucioneve social-kulturore të drejtuara nga kleri katolik, (madje për këtë të dytën kleri shqiptar u drejtua për zgjidhje ligjore në forumet përkatëse ndërkombëtare) si dhe çështja e bisedimeve të dështuara midis qeverisë shqiptare dhe shtetit të Vatikanit lidhur me nënshkrimin e një Kongordati. Do të jetë pikërisht ky moment që do të shënojë edhe përballjen e Kishës katolike me shtetit laik, përballje e cila do të merrte formën e saj më të dhunshme të njohur ndonjëherë, pikërisht pas vendosjes së regjimit komunist, i cili nën darën e ateizmit të institucionalizuar me ligj, shënoi me këtë rast një nga krimet më të rënda në historinë e Kishës Katolike në Shqipëri mbas pushtimit turk.
Në mbyllje jepet një pamje e përgjithshme e ringjalljes së Kishës Katolike në Shqipëri përgjatë periudhës 1990-2006. Paraqesin mjaft interes dhjetë ilustrime hartografike si dhe disa faksimilje të disa dokumenteve nga Emzot Lazer Vlladanji e Carlo Pooten etj., që shoqërojnë studimin në fund të tij në trajtën e një shtojce (f. 402-425), si dhe burimet dhe literatura (f. 428-447) relativisht e pasur. Ajo që bie në sy është se autori nuk ka marrë në konsideratë mjaft studime të vlefshme e serioze të kryera vitet e fundit, ndërkohë që janë marrë në konsideratë në mënyrë selektive autorë shpesh edhe periferikë duke lënë jashtë monografi dhe studime të çmuara si ato të kryera nga Aleksandër Meksi, Aurel Plasari, Engjëll Sedaj, Injac Zamputi, Kristo Frashëri, Isak Ahmeti, Imzot Mark Sopi, apo tash së fundi Gjokë Dabaj, Gjon Berisha dhe Rokin Daberdaku (përmenda vetëm disa emra), dhe në mënyrë habitshme Dom Frok Zefi i cili ka botuar 3 vëllime vetëm për historikun e Arqipeshkvisë së Tivarit në shekujt XVII-XIX. (Skopsko-prizrenska nadbiskupija I, II, III/1) si dhe At Zef Pllumin me kryeveprën e dëshmisë “Rrno vetëm për me tregue”. Madje autori i ka lejuar vetes përdorimin e burimeve të dyshimta të proceseve të montuara të periudhës së regjimit komunist.
Si ka mundësi që për periudhën në fjalë, autori i është referuar një Raporti të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të vitit 1947 me titull: "Politika e Vatikanit në Shqipëri", dhe nuk i është referuar as edhe një herë të vetme dëshmive autentike të veprës “Rrrno vetëm për me tregue” të P. Zef Pllumit, dëshmitarit okular të historisë së kalvarit?! Nuk besojmë se është më i besueshëm persekutori se sa viktima. Zgjedhja e citimit varet gjithsesi prej autorit të studimit, por të mos marrësh në konsideratë studime të rëndësishme lidhur me argumentin që trajton, nuk mendoj se është serioze dhe për më tepër nuk mund të bësh rolin e të paditurit. Përballë këtij fakti mendoj se studiuesi serioz nuk di se si mund të justifikohet sepse nuk është se mungon një emër apo dy; një apo dy studime, por mungojnë shumë syresh të cilët pa asnjë arsye mendoj se nuk duhej të anashkaloheshin. Lë për të dëshiruar mungesa e një redaktimi gjuhësor të kujdesshshëm e në ndonjë vend edhe shkencor, që e ka lënë studimin për mendimin tim në një kuotim jo fort dinjitar përkundër mundit që ka bërë autori për ta realizuar atë, gjë që mund të ishte meremetuar me pak durim. Në këtë pikë mendoj se përgjegjësia bie mbi redaktorët shkencor të studimit dhe reçesuesit. Po sjell vetëm një shembull, i cili mund të shihet fare mirë tek faqja 201 në fusnotë, ku nga 6 referime për studiuesin Peter Bartl, 3 herë citohet P. BARTL dhe 2 herë P. BARTEL, dhe jo vetëm aty, ndërkohë që është i njëjti emër dhe i njëjti person, në faqen 187, kur rendi i referimit për autorët zhvendoset i përkundërt, kështu i bie që Hajredin Isufi të përmendet jo si H. ISUFI, por I, HAJREDIN tre herë radhazi.
Vihen re mjaft pasaktësi, mjafto të sjell disa syresh, ta zëmë studimi "Toka e katedraleve" i Ndue Dedajt në studim përmendet dy herë: në fillim e në fund të librit (në parathënie dhe në bibliografi), me titull të ndryshëm si "Vendi i katedraleve", apo në faqen 26 thuhet se vepra "Illyrici Sacri" ka 11 vëllime, kur dihet botërisht se janë botuar vetëm 9 vëllime, apo se raporti i Marin Bicit (1610) thuhet se i është dërguar Kongregatës së Propagandës Fide (f. 86), ndërkohë që ky digaster është krijuar 12 vjet më vonë, dhe raporti i dërgohej Papës Pali V (1605-1621), apo vrasja e Hasan Prishtinës që thuhet se është kryer në vitin 1926 (f. 229), edhe pse i referohete Edëin Jacques, por në fakt ajo është bërë në vitin 1933 etj. Të gjitha këto lëshime nuk e cënojnë vlerën e studimit. Është afermendsh e natyrshme se do të ishte mirë që në këtë shkrim të shkurtër të kishte vetëm lavdërime me superlativa për të, sikurse ndodh rëndom sot, por unë kam shtuar edhe këto këto vërejte dhe sugjerime të cilat i çmoj se do të ishin një rast i mirë për të bërë përmirësimet e duhura të studimit nëse do të kishim një ribotim të mundshëm të përditësuar/përmirësuar, të rishikuar dhe të ndrequr të librit “Kisha Katolike në trevat shqiptare nga shek. XI-deri në ditët e sotme”, në të ardhmen, i cili sipas meje do të ishte një vlerë e shtuar e tij.
Redaksia online
a.n shqiptarja.com