Një vit bisedime - Qeveria nuk i raporton Kuvendit

Një vit bisedime - Qeveria nuk i raporton Kuvendit
Një vit më parë, në kryeqytetin administrativ të Evropës, në Bruksel, kryenegociatorja e Kosovës dhe zëvendës kryeministrja Edita Tahiri u ul përballë kryenegociatorin serb Borislav Stefanoviq në tryezën e bisedimeve që Kosova i quante teknike e në anën tjetër Serbia i quante bisedime me qytetarët e krahinës së saj.
 
U zgjodh edhe ndërmjetësi evropian Robert Cooper ku shpeshherë caktonte edhe çfarë temash palët do të diskutonin. 
Filluan me bashkëpunimin rajonal, lëvizjen e lirë dhe sundimin e ligjit. 

Mirëpo, edhe një vit pas, Kuvendi i Kosovës asnjëherë nuk u informua zyrtarisht nga Qeveria, si bartëse e këtij procesi lidhur me marrëveshjet e arritura, përveç rasteve kur kryenegociatorja Edita Tahiri dhe Qeveria u pyetën nga deputetët apo thirrën në interpelancë parlamentare.

Qeveria dhe kryenegociatorja obligohen përmes rezolutës së Kuvendit për bisedime që në baza të rregullta të raportojë për për dialogun me Republikën e Serbisë. 

Një vit pas, këto bisedime shihen dhe vlerësohet ndryshe nga përfaqësues të pozitës dhe opozitës. 

“Kanë raportuar dhe kanë dhënë sqarimet e nevojshme" thotë shefi i grupit parlamentar të  PDK-së Adem Grabovci. Ai beson se edhe tash gatishmëria e Qeverisë dhe institucioneve është që të raportojë dhe të japë informacione mbi rrjedhat e bisedimeve me Serbinë.

"Ne duhet të kemi parasysh edhe rezolutën e parlamentit të Kosovës që me atë rezolutë janë përcaktuar  vijat e kuqe jashtë të cilave nuk guxon të bisedohet me Serbinë dhe me askënd” shtoi Grabovci duke mos sqaruar mos raportimin para Kuvendit për konkluzionet e Brukselit.
 

Ismet Beqiri, shefi i grupit parlamentar të LDK-së kritikon Qeverinë duke thënë se është filluar  mbrapshtë, pa agjendë, pa ndonjë cak, pa dobi pë Kosovën, por vetëm për Serbinë.
"Nëse është vit jubilar i këtyre bisedive, është edhe vit jubilar edhe ceremonial vetëm për Serbinë, për përfitimet që i ka pas Serbia dhe pak për ne" u shpreh Beqiri duke treguar se për një vit nuk janë sjellur as dokumentet se çka është nënshkruar ose çka është arritur si marrëveshje.

Kundërshtarët e vetëm dhe më të zëshmit, Lëvizja VETËVENDOSJE! ishte kritike dhe kundër bisedimeve me Serbinë pa i plotësuar kushtet si kërkimfalja, dëmshpërblimi për gjenocidin gjatë luftës në Kosovë dhe pranimi i Kosovës si shtet.

Visar Ymeri nga Vetëvendosje thotë që Qeveria e Kosovës e ka mohuar rolin e kuvendit.

“Procesi ka qenë jo vetëm jo-transparent, por edhe qëllimisht, me vendosmëri, Qeveria e Kosovës e ka mohuar rolin e kuvendit dhe e ka shpërfill kuvendin gjatë këtij procesi siç e shpërfill edhe gjatë proceseve tjera" shtoi Ymeri nga Vetëvendosje.
Ai mori si shembull marrëveshjen e fundit ku ka kaluar një javë e gjysmë dhe ende në Kuvend nuk është teksti i marrëveshjes të dorëzuar nga qeveria.


Bisedimet përgjatë këtij viti u përshkuan me 9 raunde takimesh, prej të cilave u arritën disa marrëveshje si ajo për lëvizjen e lirë, diplomat universitare, dokumentacionit kadastral, menaxhimi i integruar i kufijve dhe së fundmi edhe marrëveshja për përfaqësimin e Kosovës në nismat rajonale pa emrin Republikë, përmes një fusnote e cila përmban në vete rezolutën 1244 dhe mendimin këshillëdhënës të GJND-së.

(rg/shqiptarja.com/ )


  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se protestat mund ta forcojnë pozicion politik të PD-së?



×

Lajmi i fundit

Debati në ‘Frontline’/ Baçi: Rama përdor drejtësinë për të goditur PD! I kthehet Lita: Gjyqtarët që dënuan Salianjin iu dhanë vulën

Debati në ‘Frontline’/ Baçi: Rama përdor drejtësinë për të goditur PD! I kthehet Lita: Gjyqtarët që dënuan Salianjin iu dhanë vulën