Një vit me Ecovolis, biçikletat në Tiranë

Një vit me Ecovolis, biçikletat në Tiranë
Ka mbushur plot një vit Ecovolis, nisma që ndërmori vendosjen e pikave të marrjes së biçikletave me qira nëpër Tiranë. Një lajm i mirë jo vetëm për organizatorët energjikë të kësaj nisme, por edhe për të gjithë ata që kanë besuar përgjatë viteve të fundit te biçikleta si mjeti më i mirë i transportit në qytet.

Përgjatë një viti aktivitet Ecovolis ka ecur shumë përpara, jo vetëm pikat e biçikletave në kryeqytet janë shtuar e madje janë shtrirë edhe në Durrës, por kanë qenë të vazhdueshme aktivitetet massive mbështetëse e promovuese në dobi të një qyteti më të pastër e të një mjedisi më të shëndetshëm.

100 karafila kanë shpërndarë nëpër qytet aktivistët e Ecovolis. Kjo ka qenë mënyra për të festuar një vjetorin, karafila për ata burra e gra, të rinj e fëmijë që kanë vazhduar të përdorin biçikletën në një qytet që nuk është aspak miqësor me këtë mjet transporti. Çiklistët janë ata që rrezikohen më shumë nga makinat, por edhe nga ndotja që shkaktojnë automjetet. Si për ironi, të vetmit që nuk sjellin asnjë ndotje në transport, thithin pa asnjë mbrojtje gazrat helmues (siç mund ta dijë çdo çiklist që i është dashur të presë në semafor pas ndonjë makine).

Ka qenë një vit jo pa vështirësi për Ecovolis, I kemi ndjekur nëpër kronika mediash apo në rrjete sociale problemet e tyre me vjedhjet dhe dëmtimin e biçikletave. Por ata nuk u dorëzuan dhe njerëzait që frekuentojnë pikat e tyre sa vijnë e shtohen. Ka qenë dhe një vit me plot kënaqësi, sepse Ecovolis ka marrë pjesë edhe direkt në planifikimin e një qyteti ndryshe, me korsi të ndara për çiklistët, me më shumë frymëmarrje për ata që nuk janë në timone makinash.

Gjatë këtij viti të parë Ecovolis ka arritur mbi të gjitha një fitore të madhe në perceptimin publik të biçikletës. Ecovolis e bëri biçikletën ‘trendy’ dhe kjo është një kthesë me rëndësi në bindjen e publikut drejt një jete më të pastër e të shëndetshme. Asnjë program për sensibilizimin e publikut në këtë drejtim nuk do të kishte sukses përsa kohë biçikleta do konsiderohej si ‘pabukse’ përballë makinave luksoze. Ndryshimi i këtij perceptimi e sheh tashmë biçikletën si një zgjedhje që po përkrahet gjithnjë e më tepër ndër të rinjtë e Tiranës. Natyrisht, beteja e biçikletës për të rizënë një vend respekti në rrugët e qyteteve tona është ende në nisje, prandaj edhe për këtë arsye, ‘100 vite të tjera Ecovolis!’.
(ep/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Censi 2023, popullsia u tkurr me 419 mijë në 12 vite, cili është shkaku?



×

Lajmi i fundit

Luna feston 2 mujorin e lindjes, Kiara publikon foton e ëmbël

Luna feston 2 mujorin e lindjes, Kiara publikon foton e ëmbël