Një zgjidhje për t’u mësuar me humbjen!

Partia Demokratike paralajmëroi se nuk do të njohë më zgjedhjet nëse humbet, siç ka humbur në zgjedhjet lokale të vitit 2015, në zgjedhjet e pjesëshme në Korçë, Ersekë dhe Dibër.

Në një dalje publike, Edmond Spaho bëri të qartë se opozita, nuk do të pranojë më zgjedhje të këtij standardi, të cilat mundin thellë opozitën dhe që sipas Spahos, ky rezultat vjen jo nga vota e qytetarëve, por nga trafiku.

Është pak e vështirë të marrësh seriozisht Spahon për të gjykuar PD, por në këtë rast ai duket se vetëm sa ka përcjellur shqetësimin e Lulzim Bashës.
Kjo parti ka kohë që po përpëlitet në debate pesimiste për hyrje ose mos-hyrje në zgjedhje, për shkak të një rezultati të pritshëm të tyre.
Deklarata e Spahos është e besueshme që vjen nga Lulzim Basha, pasi ky e ka tejkaluar dilemën e futjes në zgjedhje, por do thjeshtë të mos njohë rezultatin.

Në mbledhjen e fundit të grupit parlamentar, ai u desh të sqaronte në fund, se do të hynin në zgjedhje, pasi gjithë grupi ishte duke debatuar të mos hynte fare në zgjedhje. Dhe e vetmja zgjidhje që i ka dhënë Basha kësaj dileme është që të hyjë në zgjedhje, por të mos njohë rezultatin, duke filluar të bëjë “stërvitje” qysh tani që të mësohet me këtë gjë.

Pra ndryshe nga çdo lider apo parti, që merr rezultatet e zgjedhjeve, i analizon, nxjerr mësime dhe ecën përpara, Basha i ka rënë shkurt. Ka marrë rezultatet e katër zgjedhjeve që ka humbur, i ka analizuar, ka arritur në përfundimin që kështu nuk fiton dot dhe ka deklaruar “anulim loje”, që do të thotë se ai, nuk i quan më garë këto zgjedhje.

Pra në pamundësi për të ndryshuar veten dhe PD, Basha i ka rënë shkurt, do të ndryshojë standardet e humbjes dhe fitores në zgjedhje, duke mos e quajtur humbjen.

Edhe pse e gjitha është joserioze, ka dicka të dhimbshme në këtë histori.

Nëse gjashtë muaj para zgjedhjeve, kryetari i opozitës flet për mosnjohje zgjedhjesh, dhe humbje të tij, duke treguar dhe se si do të mbrohet në rast se humbet, ai është shërbëtori më i keq i partisë së tij, pasi e çmobilizon atë, ende pa filluar gara. Si një njeri i vogël që ka hall vetëm se çdo të bëhet me të, në rast humbjeje, ai mendon se dhe halli i demokratëve, është vërtet halli se çdo të bëhet me Lulzim Bashën.

Sot PD, ka një kryetar partie të trembur, që nxjerr ca burokratë partie të fillojnë të qajnë pse do humbasin gjashtë muaj para, që njerëzit të mësohen me këtë ide. Është pak a shumë si ajo anekdota për një të sëmurë të pashpresë, që e këshilluan të merrte mjekim alternativ, se dhe gjashtë muaj jetë kishte.
-Çfarë është ky mjekim, pyeti pacienti?

-Do shkosh tek një mjek kinez, e do të lyejë me baltë çdo natë, i thanë.

-Po pastaj çdo ndodh me mua,  tha pacienti, do shërohem?

-Jo, do mësohesh me varrin i thanë.

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 13 Janar, 10:25

    Nisi regjistrimi, a do të marrë pjesë masivisht në zgjedhje diaspora?



×

Lajmi i fundit

Ylli Pata: Pse Gaz Bardhi i trembet primareve në PD?!

Ylli Pata: Pse Gaz Bardhi i trembet primareve në PD?!