Një ditë pasi Kosova dhe Izraeli lidhën marrëdhënie diplomatike, Ushtruesja e detyrës së Presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar një bisedë telefonike me kryetarin e Kuvendit të Izraelit, Yariv Levin.
Sipas njoftimit në zyrën presidenciale, Osmani e ka falënderuar Levin për vendimin e shtetit të tij për ta njohur Kosovën, duke shfaqur shpresën se hapja e këtij kapitulli të ri do të jetë mundësi e mirë për intensifikimin e marrëdhënieve në shumë sfera.
“Ushtruesja e detyrës së presidentit Osmani ka thënë se shteti i Kosovës me njohjen nga Izraeli e ka forcuar edhe më tej pozicionin ndërkombëtar, teksa ka shfaqur shpresën se veprimin e këtij shteti ta ndjekin edhe shtetet e tjera që nuk e kanë njohur vendin”, thuhet në komunikatë.
Nga Presidenca kanë thënë edhe se Levin e ka ftuar Osmanin për një vizitë në Izrael në një kohë të përshtatshme për të dy palët.