TIRANË- Një ditë pas zjarrit që shkrumboi të gjithë pallatin 10 katësh në rrugën ‘Sali Butka’, në zonën e njohur si ish-Parku i Autobusëve në Tiranë, është zbardhur ekspertiza paraprake. Dyshohet se vatra e parë që përhapi me shpejtësi flakët ishte në katin e 9-të në banesën e mjekut. Shkak i zjarrit është bërë kondicioneri.

Disa nga banorë e kaluan natën jashtë. Jo se nuk gjetën të afërm apo hotel për tu strehuar, por ende nuk i ka kaluar dëshpërimi dhe dhimbja teksa panë tu shuhej në pak orë ndoshta investimi i gjithë jetës, shtëpitë që i kanë blerë deri në 1600 euro metri katror, shumica edhe me kredi.

“E kam në katin e katërt. Mbrëmë kemi fjetur jashtë. Shteti duhet të vinte të na stresonte. Të gjendet fajtori si u hodh zjarri dhe ti rimbursojë këta banorë. I kemi blerë me djersë” thotë një banore.

“Dëmet në pamje të jashtme janë shumë të mëdha por ende nuk e dimë” thotë një banore tjetër.

Këtë të premte, (15 shtator) shumë të tjerë u kthyen në pallatin 10-katësh që ende lëshon aromën e rëndë të djegies. Po marrin nga shtëpitë e tyre veshje dhe sende personale.  Ende askush nuk është lejuar të qëndrojë në apartamentet e pallatit  te ish-Nesharaku në Tiranë.

Çfarë ka mbetur gjithandej. Katër apartamente u shkrumbuan totalisht, dhe 12 të tjerë patën djegie të pjesshme. Flakët shkrumbuan totalisht dublexin në katin e fundit të pallatit, nga ku dyshohet se nisi gjithçka dhe depërtoi përmes fasadës së jashtme deri në katin e parë. Por burime nga grupi hetimor thanë për Report Tv se zjarri dyshohet të ketë rënë në apartamentin e një mjeku kardiolog në katin e parafundit të pallatit, në kat të 9-të, dhe prej andej të përhapet edhe në dublexin me tarracë. Megjithatë kjo tezë pritet të verifikohet në vijim.

I marrë në pyetje nga policia administratori i pallatit mësohet se nuk ka dhënë asnjë dëshmi që do të ndihmonte hetuesit, duke deklaruar se nuk di nga buroi gjithë ai zjarr.

Grupi hetimor u rikthye që në mëngjes (15 shtator) për të gjetur shkakun e zjarrit. Ata po vijojnë verifikimit, ndërsa paraprakisht burime pranë zjarrfikëses së Tiranës i thanë Report Tv se vatra fillestare në katin e dhjetë mund të jetë shkaktuar nga ndonjë pajisje elektroshtëpiake që ka sjell zjarrin në qoshe të pallatit, njëlloj siç kjo video tregon flakët e para në tendencë për t’u përhapur.

Bashkë me hetuesit pallati u inspektua edhe nga sytë e inxhinierëve dhe ekspertëve të ndërtimit për të përcaktuar llojin e materialit të përdorur për veshjen e fasadës së jashtme dhe nëse janë kryer siç duhet masat anti-zjarr në këtë pallat që përfundoi ndërtimin vetëm 2 vite më parë nga biznesmeni vlonjat Tanush Mhillaj.

Forcat zjarrfikëse të Tiranës, të ndihmuara nga ato të Kamzës dhe Vorës, luftuan me flakët për rreth 4 orë pasditen e së enjtes, 14 shtator. Ndërhyrja ishte tejet e vështirë për shkak të vatrës së zjarrit në katin më të lartë të pallatit. Për fat të mirë, askush nuk u lëndua nga banorët, përveç disa zjarrfikësve që luftuan mes tymit e flakëve, të cilët morën mjekim.
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj garantoi se do ofrohet grant për çdo familje që ka dëmtime orendi dhe elektroshtëpiake.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:35
Flakët në pallatin në Tiranë, zbardhet ekspertiza paraprake! Shkak u bë kondicioneri në banesën e mjekut në katin e 9-të

Është zbardhur ekspertiza paraprake për zjarrin që ra në pallatin 10-katësh në Tiranë. Report Tv ka mësuar se sipas ekspertizës paraprake, shkak i zjarrit është bërë kondicioneri në katin e 9-të të pallatit, në pronësi të mjekut.

Ora 14:36
Zjarri në pallatin 11 kate, mjeku për Report Tv: Dupleksi s’është i imi, apartamenti e kam një kat më poshtë! Banesa m’u dogj

1694705627_pallatiidjegur.jpg

Mjeku kardiolog Rezar Deveja që u përfol se ka në pronësi dublexin në katin e fundit ku ka rënë zjarri, flet për Report Tv. Mjeku tha se dupleksi nuk është i tij e se apartamentin e ka një kat më poshtë.

‘Dublex nuk është i imi. Unë kam një apartament në katin e nëntë, i cili është djegur i gjithi sepse dritaret kanë qenë hapur. Mbi apartamentin tim është edhe një tjetër në kat të dhjetë. Nuk jam marrë në pyetje në polici’- thotë mjeku.

Ora 13:13
Çdo gjë e shkrumbuar, pamjet nga brenda apartamenteve të djegura në pallatin 10 katësh në Tiranë (FOTO + VIDEO)

Report Tv sjelle fotot nga brenda apartamenteve të pallatit 10 katësh i cili u përfshi një ditë më parë nga flakët. Siç shihet nga pamjet dëmet materiale kanë qenë të shumta.Gjithsej janë 69 hyrje dhe secila nga apartamentet ka qenë e banuar me familjarë,  4 – 5 anëtarë.

Deri paradite famijarët nuk janë lejuar të hyjnë pasi rrezikoheshin ose dhe mund të dëmtonin provat, ndërkohë që në drekë familjarët janë parë dhe të marrin sendet personale dhe të largohen.

Deri me tani banorëve nuk ju është komunikim nëse do futen në apartamente. Ende ka disa specialistë nga policia gjyqësore, bashkia, njësia administrative, emergjencat civile në pllat. Ata pritet që te dalin me një vlerësim mbi gjendjen e pallatit, a është i sigurtë apo jo dhe me pas do dilet me nje komunikim për banorët.

Grupi hetimor u rikthye që në mëngjes për të gjetur shkakun e zjarrit. Ata po vijojnë verifikimit, ndërsa paraprakisht burime pranë zjarrfikëses së Tiranës i thanë Report Tv se burimi fillestar i zjarrit është në katin e dhjetë, më i larti i pallatit. Paraprakisht dyshohet për një pajisje elektroshtëpiake që ka sjell zjarrin në qoshe të pallatit, njëlloj siç kjo video tregon flakët e para në tendencë për t’u përhapur.

Ora 11:30
Zjarri në pallatin 10-katësh, Teliti: Dëmet mund të ishin evituar, kërkoj informacion nga Veliaj për këtë dosje

Anëtari i Grupit të Rithemelimit, Dorian Teliti ka reaguar për zjarrin që ra në pallatin 10-katësh në zonën e ish-parkut të Autobusëve.

Teliti ka depozituar një kërkesë në Bashkinë e Tiranës drejtuar Erion Veliajt dhe drejtorëve të tij për të marrë një dosje të plotë teknike për projektin e ndërtimi të godinës që u “përpi” nga flakët pasditen e djeshme.

Deputeti thotë se që pas ngjarjes së rëndë ka qenë në kontakt me disa ekspertë të fushës, inxhinierë dhe arkitektë, të cilët pas konstatimeve që kanë bërë edhe në terren, kanë konfirmuar që ishte tejet e mundur evitimi i dëmeve që shkaktoi pasditen e djeshme zjarri që ra në pallatin 10-katësh.

Deklarata e plotë e Telitit:

Ditën e djeshme ishim dëshmitarë të një ngjarje tejet të rëndë. Një nga pallatet e Tiranës u përpi nga zjarri dhe falë punës heroike të zjarrfikësve të Tiranës, ia dolëm të mos kishim asnjë humbje jete. Gjithsesi, dëmet materiale ishin tejet të mëdha dhe ajo që ndodhi dje ku disa apartamente janë shkrumbuar plotësisht, mund të ishte tërësisht e evitueshme. Pasi zjarri u vu nën kontroll, kam qenë në kontakt me disa ekspertë të fushës, inxhinierë dhe arkitektë, të cilët pas konstatimeve që kanë bërë edhe në terren, më kanë konfirmuar që ishte tejet e mundur evitimi i dëmeve kaq të mëdha. Nuk është e thënë që nuk do kishte rënë zjarri, por ama dëmet nuk ishin këto.

Për këtë arsye unë kam depozituar një kërkesë në Bashkinë e Tiranës drejtuar Erion Veliajt dhe drejtorëve të tij për të marrë një dosje të plotë teknike për këtë projekt ndërtimi të kësaj godine.

Sa e sigurt ka qenë kjo godinë? Cilat janë masat e ndërmarra kundër zjarrit? A është respektuar apo jo leja e ndërtimit pasi ne e dimë shumë mirë që për të marrë një leje ndërtimi, duhet të plotësosh të gjithë parametrat për mbrojtjen ndaj zjarrit?

Pse Bashkia e Tiranës nuk ka furnizuar këto godina me hidrantët zjarrfikës? Për të gjitha këto dhe shumë të tjera, ne i kemi kërkuar në shkresën zyrtare, të cilën sapo e kam depozituar këtu në cilësinë e nënkryetarit të Këshillit Bashkiak dhe shpresoj që brenda 10 ditësh të marrim përgjigje nga Erion Veliaj dhe stafi i tij.

E përsëris, dje fatmirësisht nuk pati humbje jete, por ajo që ndodhi kur apartamente të tëra u shkrumbuan, gjë e cila sot ka vënë në dyshim edhe vetë ekzistencën, qëndrueshmërinë teknike të godinës së banimit, është tejet shqetësuese. Gjithashtu dje kemi qenë dëshmitarë se autobotet e zjarrfikësve mbaronin ujin, lëviznin nëpër rrugët e Tiranës për t’u furnizuar me ujë dhe kjo ka rritur më tej kohën për fikjen e zjarreve, duke shtuar akoma më shumë dëmet materiale. Kjo është e papranueshme dhe unë në cilësinë time jam këtu për të kërkuar informacionin e plotë për të zbardhur të vërtetën.

Ora 11:16
Banorja e pallatit 10-katësh që u përfshi nga flakët: Kemi kaluar natën jashtë, të gjendet fajtori e të na rimbursojnë

1694769360_banore.jpg

Një nga banoret, apartamenti i së cilës u dogj nga flakët që përfshinë pallatin 10-katësh në zonën e ish-parkut të Autobusëve në Tiranë, tha se e kanë kaluar natën jashtë. Ajo kërkoi që të gjendet fajtori e shteti t'i rimbusojë.

‘E kam në katin e katërt. Mbrëmë kemi fjetur jashtë. Shteti duhet të vinte të na stresonte. Të gjendet fajtori si u hodh zjarri dhe ti rimbursojë këta banorë. I kemi blerë me djersë. Se di a ka pasur impiant kundër zjarrit.’- tha banorja.

Ora 11:15
U përfshi nga flakët, banorët kanë paguar nga 900 deri në 1500 euro m2 për apartamentet në pallatin 10-katësh në Tiranë

1694722434_pallatizjarr.jpg

Nga 900 deri në 1500 euro m2 kanë paguar banorët për të blerë një hyrje në pallatin 10 katësh që u përfshi në mënyrë të frikshme nga flakët një ditë më parë në zonën e ish-Parkut të Autobusëve në Tiranë. Ata thanë për Report Tv se banesat i kanë blerë me kredi.

Ora 10:19
Zjarri në pallatin 10 katësh në Tiranë, banori: Fat që s’u dogjën apartamentet më poshtë

 

Një nga banorët e pallatit që u përfshi nga flakët një ditë më parë në Tiranë në zonën e ish-Parkut të Autobusëve, u shpreh se është fat që nuk janë djegur apartamentet më poshtë e shtoi se pallati nuk bëhet me metalike.

‘Zjarri ka rënë nga sipër. Fati që nuk janë djegur apartamentet më poshtë. Janë dëmtuar disa pallate. Vajza dy vite ka qenë ka hyrë në të. Nuk bëhet pallati me metalike.’- tha banori.