Blerja e një sërë kompanish në Shqipëri gjatë këtij viti e bëri Kosovën shtetin me vlerën më të lartë të investimeve të huaja direkte në vendin tonë gjatë 9-mujorit.

Shifrat e fundit të Bankës së Shqipërisë tregojnë se për periudhën janar-shtator investimet e huaja arritën 1.2 miliardë euro, duke u rritur me 51 milionë euro krahasuar me vjet.

Fluksi më i madh i parave të huaja erdhi nga Kosova me 153 milionë euro, duke u renditur e para, ndjekur më pas nga Italia me 137 milionë euro dhe Holanda me 130 milionë euro investime në 9-muaj.

Në vend të katërt ka zbritur Turqia, investimet e së cilës për këtë 9-mujor të 2025-ës llogariten në 128 milionë euro, në rënie krahasuar me vjet kur për të njëjtën periudhë kishte investuar 204 milionë euro në Shqipëri.

Dhe në vend të 5-të renditet Austria me 104 milionë euro, që është në rritje krahasuar me vjet, kur pati investuar 81 milionë euro.

Ky vit e ka thelluar edhe më shumë vëmendjen e të huajve për të blerë pasuri të patundshme në Shqipëri, duke u larguar gjithnjë e më tepër nga sektorët tradicionalë si energjia, apo industria nxjerrëse.

Të dhënat zyrtare tregojnë se 30% e parave të huaja kanalizohen në blerje pronash. Gjatë këtij 403 milionë euro para të huaja u futën në sektorin e pasurive të paluajtshme nga 269 milionë euro që ishte vlera vjet.

Praktikisht 1 në 3 lekë të huaja të investuara këtë vit në Shqipëri ka shkuar për blerje pronash. Më pas renditet industria nxjerrëse me 134 milionë euro dhe 132 milionë euro tregtia me shumicë.

INVESTIMET E HUAJA SIPAS SHTETEVE
Kosovë       153 mln euro
Itali             137 mln euro
Holandë      130 mln euro
Turqi           128 mln euro
Austri          104 mln euro

 

INVESTIMET E HUAJA SIPAS SEKTORËVE
Pasuri të paluajtshme           403 mln euro
Industria Nxjerrëse               134 mln euro
Tregtia me shumicë              132 mln euro