Një element i cili tregon sesi funksionon shteti ynë!

Një element i cili tregon sesi funksionon shteti ynë!

Pak vite më parë, lajmi kryesor që e pllakosi për ditë me radhë median tonë ishte sesi në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare mori pjesë një biznesmen serbo- boshnjak!

Sot e kësaj dite, politikanët shqiptarë të asaj dite dhe të sotëm nuk “e gjejnë” përgjigjen e prezencës së njeriut që tronditi kinse rëndë jetën shqiptare. Ai u anatemua, iu gjetën lidhje pa fund okulte me administratën pro-Sllobo dhe siç ndodh rëndom u rehabilitua nga vetë media jonë. Tek e fundit çfarë rëndësie ka Mbledhja e Sigurisë Kombëtare?!

Damir Fazlliçit iu përmendën lidhjet me ish-zyrtarët e lartë që shkaktuan luftërat ballkanike, bizneset, por ascila nga ato nuk ishte më e rëndë sesa pjesëmarrja e tij in person në Këshillin më sublim të Shtetit shqiptar.

Asokohe ish-kryeministri i vendit Sali Berisha me tagrin e vet por edhe fuqinë mbi të gjithë strukturën e shtetit shqiptar as nuk e përfilli autoritetin e presidentit duke lehtësuar gjithçka. Mbase s’është koha të rikthehemi në motivin e qëndrimit të tij sesa në faktin sesi një personazh aq i përfolur mundi të jetë në një mbledhje sublime dhe të detyrueshme për shtetin, ku janë prezentë vetëm strukturat më të rëndësishme të vendit.

Është pikërisht kjo instancë, ku Presidenti i vendit kontrollon nivelin e përgjegjësisë së instancave të Ekzekutivit dhe të gjithë shtetit që lidhen me Sigurinë Kombëtare. A ka ndryshuar gjë vallë?

Qysh vjet në muajin Maj kjo mbledhje nuk është realizuar, kurse Shqipëria është përballur vazhdimisht me probleme të Sigurisë së saj dhe cënime të saj. Duke e nisur nga fundi, që vjen me grabitjen në Rinas, në një objekt të rëndësisë së veçantë, duke vijuar me shpërthimet në shtyllat e tensionit të lartë dhe ngjarjet e tjera të rënda ngado, që përfundojnë me një retorikë lufte të opozitës dhe përjashtuese së të gjithë politikës. E të mendosh, Këshilli mblidhet njëherë në tre muaj (Duhet).

Duke u kthyer pas, pas mbledhjes ku pjesëmarrës do të ishte biznesmeni i njohur sllav Fazlliç, radha e mbledhjes së radhës të Sigurisë do të vinte pas plot gjashtë vitesh!! Deri më atëherë, gjumin e presidentëve shqiptarë nuk e prishi as skandali i shpërthimit të frikshëm të Gërdecit por dhe katër të vrarët e 21  janarit, por veçse akti terrorist i ndodhur në mjediset e revistës së përjavshme satirike “Charlie Hebdo” në Paris. Ajo që pasoi Evropën me siguri mund ta prektë dhe vendin tonë, por kjo nuk do të thoshte që të mos respektohej rregulli që ky institucion sublim të mblidhej sipas rregullit njëherë në tre muaj, ku institucionet e shtetit kanë se çfarë mund t’i thonë dhe të paralajmëronin njëri-tjetrin.

Presidenti Ilir Meta nuk është se e ka prishur këtë rregull. Mbledhja e fundit është bërë në Majin e shkuar dhe energjia e tij shkoi më shumë në një ekuilibër formal sesa realisht në problematikat që e shqetësonin vendin. Në fakt, referuar sitit të presidencës mbledhja ishte për të përcaktuar: Gjendjen e Sigurisë Kombëtare dhe direktivën vjetore të sigurisë së Republikës së Shqipërisë për vitin 2018; Kontrollin dhe menaxhimin e integruar të kufijve, luftën kundër krimit të organizuar, terrorizmit dhe emigracionit të paligjshëm; emergjencat civile; siguria e infrastrukturave strategjike portuale dhe aeroportuale dhe mbrojtja kibernetike.

***

Në mënyrën sesi Ekzekutivi e sheh Presidencën apo kjo e fundit reagon, kupton se shteti shqiptar është i paqartë me strukturat e veta. Opozita e trajton maxhorancën si formacion armik me të cilën nuk mund të bisedohet, madje duhet të eliminohet, kurse më keq akoma me mënyrën sesi funksionon shteti ynë kupton se: Këshilli i Sigurisë Kombëtare nuk ka asnjë funksion. Ndaj, kjo bën që në mbledhje të jetë Damir Fazlliç, që Këshilli të mos mblidhet edhe për çështjet më madhore dhe më shumë akoma: Shteti ynë të mos ketë nevojë për një institucion që të kontrollojë gjendjen e sensorëve të Sigurisë. Shqipërisë i pëlqen virtualiteti dhe është pjellë e rastësisë (kujtojmë Konicën), mu asaj që e gjeti normale dhe grupi i fundit që batërdisi Rinasin dhe komplet Sigurinë Kombëtare, ku ende sot e kësaj dite nuk kuptohet realisht se i kujt është realisht faji. (Homo Albanicus)

G.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

Mbledhja e këshillit bashkiak në Himarë, banori pështyn në fytyrë Vangjel Tavon

Mbledhja e këshillit bashkiak në Himarë, banori pështyn në fytyrë Vangjel Tavon