Një fermer palestinez ka zbuluar një mozaik të zbukuruar bizantin në një pjesë dyshemeje ndërsa përpiqej të mbillte një pemë ulliri në tokën e tij në Rripin e Gazës. Salman al-Nabahin tha se po gërmonte në tokë bashkë me të birin kur zbuluan edhe disa seksione të tjera që formonin me pllaka të vogla guri shumëngjyrësh kafshë dhe zogj.
Ekspertët e kanë quajtur atë një nga thesaret më të mëdha arkeologjike të gjetura ndonjëherë në Gaza. Nabahin tha se kishte kuptuar se mozaiku i përkiste epokës bizantine pas kërkimit në internet.
"Unë e shoh atë si një thesar, më të shtrenjtë se një thesar. Është një trashëgimi palestineze," tha Nabahim.
Arkeologu René Elter, nga Shkolla Biblike dhe Arkeologjike Franceze e Jerusalemit, tha se mozaiku ishte "i jashtëzakonshëm".
“Këto janë dyshemetë më të bukura të mozaikut të zbuluara në Gaza, si për nga cilësia e paraqitjes grafike ashtu edhe për nga kompleksiteti i gjeometrisë. Kurrë nuk janë zbuluar dyshemetë me mozaik të kësaj finese, kjo saktësi në grafikë dhe pasuri e ngjyrave në Rripin e Gazës”.
Ministria Palestineze e Turizmit dhe Antikiteteve tha se ekspertë ndërkombëtarë do të dërgoheshin për të përfunduar gërmimin e vendit. Rripi i Gazës dikur ishte një rrugë tregtare për qytetërimet e vjetra. Perandoria Bizantine ishte gjysma lindore e Perandorisë Romake, që daton në vitin 330 pas Krishtit dhe mbijetoi për më shumë se një mijë vjet.