* * *
Me 28 prill 2012 bëhen 100 vjet nga themelimi i Federatës Panshqiptare të Amerikës “VATRA”. Ky përvjetor ka privilegjin që t’i paraprijë 100 vjetorit të ditëlindjes të shtetit të Pavarur Shqiptar. Le të bashkohemi të gjithë rreth Vatrës , që i bëri nderet e merituara kombit dhe ishte faktori kryesor në ruajtjen e integritetit të Shqipërisë, duke siguruar miqësinë e çmuar dhe mbrojtjen e Amerikës.
Vatra shpëtoi Shqipërinë
Pavarësia e Shqipërisë u vu në udhëkryq pa u ngritur ende shteti në këmbë, dhe falë kontributit të shqiptarëve të Amerikës me anë të Vatrës, e cila, që më 1912 dhe gjer më 1920, veproi në Amerikë si qeveri në mërgim, e shpëtoi atë nga mosnjohja dhe copëtimi.
Pa Vatrën shteti shqiptar do ta kishte të vështirë mbijetesën. Vatra , me fushatën e saj “Shqipëria në rrezik” arriti të mblidhte fonde për të përballuar shpenzimet për mbrojtjen diplomatike dhe mediatike të Shqipërisë në Konferencën e Paqes, ndërsa në vitin 1920, ishte po Vatra, që me anë të Huasë Kombëtare, shpëtoi nga falimentimi Qeverinë e dalë nga Kongresi i Lushnjës. Kontributi i Federatës Vatra për pavarësinë, ruajtjen e Shqipërisë nga copëtimi i fqinjëve dhe financimin e forcimit të institucioneve shtetërore ka qenë jetik për fatet e kombit. Shtatë muaj pas themelimit, në kohëshpalljen e Pavarësisë, Vatra ishte forcuar, ishte e organizuar, ishte e gatshme për të marrë mbi vete misionin e madh të mëkëmbjes së Shqipërisë.
Një gjysëm fitore
Kur po luhej drama e dhimbshme e Kombit shqiptar, u mblodh në Londër Konferenca e Ambasadorëve për të caktuar fatin e Shqipërisë, nën kryesinë e Ministrit të Punëve të Jashtme të Britanisë së Madhe, Sir Edëard Grey. Shqiptarët, nën drejtimin e Vatrës, nga çdo anë e globit e bombarduan konferencën me kabllograme, peticione, thirrje. Nga ana tjetër, grekët ishin hedhur në sulm për të manipuluar Konferencën se
Korça e Gjirokastra përbëheshin nga popullsi greko-orthodokse. Vatra për të përballuar propogandën greke dërgoi në Evropë Faik Konicën dhe Fan Nolin, dhe nisi aksionin e madh të grumbullimit të firmave të shqiptarëve. Ky është një rast interesant, ku të gjithë shqiptarët e Amerikës nën drejtimin e Vatrës, u deklaruan ortodoksë.
Me 27 prill 1913, në Boston, në një miting madhështor , ku perfaqësoheshin rreth 30 mijë shqiptarë, i dërguan rezolutë Edëard Grej, kryesues i Konferencës të Ambasadorëve, kundër copëtimit të Shqipërisë. Emri dhe punët e Vatrës bënë shumë përshtypje në Londër. Kjo ishte një fitore historike e Vatrës. Në maj të 1913-ës, Shqipëria u njoh si shtet i pavarur nga Fuqitë e Mëdha dhe në Vjeshtë një Komision ndërkombëtar u dërgua në Shqipëri për caktimin e kufijëve. Me 17 Dhjetor 1913, Komisioni publikoi raportin, që më vonë mori nënshkrimet në Protokollin e Firences. Natyrisht kjo ishte një gjysëm fitoreje, pasi Kosova mbetej në Serbi, Çamëria nën Greqi. Mirëpo e keqja s’kishte fund, më 1914, Lufta e I Botërore çoi në okupimin e Shqipërisë, shteti i sapo shpallur i pavarur , u shkatërrua; në veri dhe ne Shqipërinë e Mesme msynë austriakët, Gjirokastra me rrethina dhe Vlora, nga italianët, Korça nga francezët. Nuk kishte katastrofë kombtare më shkatërruese sa kjo, por vatranët nuk e humbën shpresën dhe nuk e ndalën luftën për ringjalljen e shtetit.
(Të plotë shkrimin mund ta lexoni në numrin e sotëm të gazetës Shqiptarja.com)
(aq/shqiptarja.com)