Arben Frroku, i dënuari me burgim të përjetshëm për vrasjen e kryekomisar Dritan Lamajt, u arrestua nga policia holandeze në lagjen Schipol, pranë aeroportit të Amsterdamit, gjatë një kontrolli rutinë.
 
Sipas burimeve nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, 46­vjeçari është ndaluar fillimisht më 6 mars të këtij viti.
 
Gjatë kontrollit, atij i është kërkuar verifikimi i dokumentacionit dhe ka pasur dyshime për vlefshmërinë.
 
Kjo pasi, Arben Frroku iu ketë paraqitur policëve lokalë një pasaportë dhe patentë greke, me identitetin Renato Tsepa, i lindur në Korçë, më datë 15 nëntor të vitit 1967.
 
Ajo që ka ngjallur dyshime për autoritetet holandeze ka qenë afati i vlefshmërisë së pasaportës, që ishte 5­vjeçar.
 
Në pasaportë shkruhej se dokumenti ishte lëshuar në vitin 2013 dhe skadonte në vitin 2018.
 
Për këtë arsye Frroku u ndalua, me dyshimet se dokumentet ishin të falsifikuara, dyshim që u konfirmua 3 ditë më vonë, më 9 mars. Sipas autoriteteve greke, ku Holanda kishte kërkuar informacion, personi me emrin Renato Tsepa nuk ekzistonte dhe pasaporta e patenta nuk ishin lëshuar asnjëherë nga Greqia
 
Më datë 9 mars, kur Holanda mori konfirmim nga Greqia për pasaportën e patentën false të Arben Frrokut, ai u zhvendos nga dhomat e paraburgimit në Qendrën Rezidenciale për Shtetasit e Huaj të Parregullt në Amsterdam.
 
Aty do të qëndronte në pritje të identifikimit e më pas të deportimit të tij drejt vendit të origjinës, sapo të mësohej zyrtarisht.
 
Në sistemin kombëtar holandez të gjurmëve të gishtave u krye një verifikim paraprak, por nuk u arrit identifikimi i tij.
 
Burime nga Policia thanë dje se menjëherë pas deklaratës së bërë nga ish– Kryeministri Berisha, më 26 prill, Interpol Tirana i ka kërkuar menjëherë informacion Interpol Hagës, nëse një person me emrin Arben Frroku, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për vrasje, mbahej apo jo i ndaluar në Holandë.
 
“Nuk kemi asnjë person të ndaluar me gjeneralitet Arben Frroku. Na duhet një format i gjurmëve të gishtave. Na jepni edhe burimin e këtij informacioni. Formati që ka Interpoli nuk mund të krahasohet me formatin e sistemit tonë kombëtar”, ishte përgjigjja zyrtare që Interpol Haga i ktheu Interpol Tiranës, më 27 prill.
 
Po të njëjtën ditë, rreth orës 11:00, autoritetet shqiptare u dërguan homologëve holandezë të dhënat që ata kishin kërkuar. Përgjigjja që Arben Frroku rezultonte i ndaluar ka mbërritur të enjten, më datë 28 prill, rreth orës 17:10 minuta dhe pas marrjes dijeni nga autoritetet shqiptare, ai është arrestuar.