Njeriu më gjithëpëlqyes dhe më i votuar nga politika e sotme, Guvernatori i ri i Bankës së Shqipërisë, u prezantua para pak kohësh në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave të Parlamentit. Dha idetë e tij për mënyren se si do të drejtonte bankën tonë qëndrore. Ai është një ekonomist me eksperiencë në sektorin bankar.

Pritshmëria publike dhe e specialistëve është e madhe. Njerëzit presin që Guvernatori i ri të kthejë besimin e qytetarëve ndaj bankës qëndrore, të tronditur nga vjedhja skandaloze e 7 milionë dollarëve nga kasafortat e saj. Ai ka gjithë mbështetjen e spektrit politik të vendit për të ndërmarrë dhe përfunduar reformat që do ta shndërrojnë bankën tonë qëndrore në një mjet të sigurtë dhe të fuqishëm për t’i shërbyer rritjes ekonomike të vendit, dhe jo në një aleate të bindur të interesave afatshkurtra politike qeveritare, sikurse ka qenë deri tani.

Banka e Shqipërisë ka nevojë të rrisë mbikqyrjen bankare në treg, për të mos lejuar abuzimet e shumta që vihen re sot nga shumë veprues bankare. Ajo duhet të kufizojë në minimum hemorragjinë e parave të shqiptarëve, që në nivele miliarda dollarësh i largohen çdo vit Shqipërisë.

Banka jonë qëndrore duhet të ndihmojë dhe t’u japë zemër bankave tregtare të riskojnë më shumë me huadhënien për sipërmarrësit dhe qytetarët. Kosto e transaksioneve bankare është shumë e lartë, më e larta në rajon dhe “qeveria” e sistemit bankar, Banka e Shqipërisë duhet të marrë masa të forta që përqindje shtesë apo të fshehta për depozituesit apo huamarrësit, pra për klientët e bankave, të mos shtohen si papritmas.

Nga ana tjetër, Guvernatori i ri duket i mirëpozicionuar në vazhdimin e politikës lehtësuese monetare, pra atë të interesave të ulta për paranë dhe të hedhjes së më shumë parave në qarkullim.  Ai foli për disa instrumenta të reja, si injektimi, futja e parave në treg, apo blerja nga banka qendrore e bonove të thesarit. Është i mendimit për të ulur edhe më tej normën bazë të parasë, për të lehtësuar kredidhënien.

Për këto do të konsultohet me FMN-në dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë, duke shpresuar paralelisht që politikat lehtësuese të Bankës Qëndrore Evropiane të mund të ndihmojnë edhe kredidhënien në Shqipëri, nga bankat tregtare filiale të disa bankave të mëdha në Austri, Francë, Itali, etj.

Guvernatori i ri foli po ashtu për një plan masash të bërë, për të ristrukturuar kreditë me probleme. Sipas tij, bankat tregtare duhet të gjejnë gjuhën e bashkëpunimit me klientët. Specialistët kanë idetë e tyre për rritjen e rolit aktiv të bankës sonë qëndrore në ekonomi dhe në financat publike dhe këto ide, është mirë që Guvernatori i ri dhe stafi më i ngushtë i tij t’i marrë parasysh. Koha nuk pret dhe deputetët, vetë bankat tregtare dhe strukturat e tjera publike duan lëvizje kurajoze nga Banka e Shqipërisë.

Po qytetarët? Pyetjes së si do të vepronte me nivelet e tanishme të pagave në Bankë, Guvernatori i ri nuk i dha një përgjigje të saktë. Tha thjesht se do të rishikonte raportet e pagave. Një shërbestar i së mirës publike do të kishte folur ndryshe. Rroga e Guvernatorit sa trefishi i Presidentit të Republikës nuk mund të qëndrojë e tillë. Sikurse e ka rekomanduar me të drejtë Kontrolli i Lartë i Shtetit, caktimi i pagave të drejtuesve të bankës sonë qëndrore duhet të respektojë ndjeshmërinë e publikut.

Nëse njerëzit u ngritën dhe protestuan kundër zullumeve të paraardhësit të këtij Guvernatori të ri, e bënë pse Guvernatori i mëparshëm i kishte caktuar vetes një rrogë tej mase të madhë, nga sa mund ta lejojë morali për një punonjës publik në kushtet e Shqipërisë: 10 mijë dollarë në muaj! Njerëzit protestuan, duke kërkuar dorëheqjen e tij, jo vetëm për skandalin e vjedhjes së parave në bankën qëndrore, por edhe për këtë politikë pagash që Guvernatori kishte ndjekur. Nukmund të lejojë morali publik që një nëpunës shtetëror, sado i lartë, të marrë 120 mijë dollarë rrogë në vit, ose sa njëzet e pesë rroga të një nëpunësi mesatar publik.

Guvernatori i ri mund të kishte propozuar rrogën e tij të paktën pak më të vogël nga ajo e Presidentit të Republikës, ndërsa honoraret e anëtarëve të Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë, të paktën dy herë më të vogla nga paga e një ministri (deri tani kanë qenë më të mëdha se kjo pagë për dy takime në muaj që këta zhvillonin!).Nuk e bëri. Qytetarët e këtij vendi shohin dhe gjykojnë. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë duhet të jetë i qytetarëve, pse banka jonë qëndrore është mirëfilli pronë publike, e jona.

Dhe ai nuk mund të jetë një guvernator i tillë, nëse nuk respekton kërkesat e moralit publik, të shfaqura aq qartë nga protestat në lidhje me sjelljen e Guvernatorit të mëparshëm.
Besimi tek banka jonë qëndrore kthehet vetëm nëse drejtuesi numër një i saj do të dijë të sillet si një shërbestar publik.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 3 Mars 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)