Tahiri përmendi si kohë limit për rezultatet e punës së tij kundër kultivimit të drogës, muajin shtator, një bast shumë i rëndë ky që, nëse nuk realizohet, do të ketë pasoja, jo vetëm për atë si ministër.
Suksesi apo dhe dështimi do të lidhen sërish me një emër dhe me një fshat: Lazaratin. Kultivuesit e drogës në këtë zonë i janë përgjigjur me armë policisë në të kaluarën, duke u dhënë një justifikim kështu ish-shefave që të tërhiqeshin nga fshati, të cilin e kthyen në një problem vetë, më pare, duke e marrë në mbrojtje.
Policia e dinte se cila familje kultivonte hashash në këtë fshat, se kush ishin bosët që e transportonin atë jashtë, por, për shkak të lidhjeve e përfitimeve ekonomike, por edhe politike, ata nuk ngacmoheshin. Gjatë drejtimit të policisë nga Kuliçi dhe Burgaj, të vetmet që kapeshin pranë Lazaratit ishin botet me ujë apo karrocat me pleh, e më pas ishte po policia që niste zjarrfikeset për të shuarr zjarret që binin mbi ferrat pranë Lazaratit. Në të vërtetë, ujin e shkarkonin për të ujitur tokat e mbjella me kanabis.
Kuliçi s’është më, Burgaj s’ka më asnjë gjë në dorë, tani në drejtorinë e policisë së Gjirokastrës janë të tjerë drejtues dhe është e qartë se Tahiri e ka vullnetin për ta zgjidhur çështjen e Lazaratit. Grupi i punës që Tahiri përmendi në intervistën e dhënë duket se është mbledhur së fundmi dhe vërtet që ndërhyrja e parë në Lazarat nuk është aspak larg. Se si do të bëhet ajo, nuk është e qartë ende, ndërkohë që në këtë fshat rebel ka nisur kultivimi i prodhimit të ri. Krismat e ndonjë arme në këtë fshat do të venë në provë edhe vetë opozitën dhe kryetarin e saj të ri, të cilëve do t’u duhet të mbajnë një qëndrim, mbase dukshëm të ndryshëm nga ai, që PD mbajti kur ishte më parë në opozitë dhe kur kultivuesit e drogës qëllonin me armë helikopterët që filmonin parcelat e mbjella.
Ndërhyrja në Lazarat dhe bindja e banorëve që, në vend të hashashit, të mbjellin domate apo tranguj do të ishte një fitore e madhe për policinë, por aspak zgjidhje e problemit të drogës, kultivimit të saj apo edhe trafikut. Shqipëria, nga jugu, në Lazarat, deri në Dukagjin, ka shumë zona të tilla, ku kultivohet hashashi dhe kërkesa e madhe që vjen nga vendet perendimore prej grupeve kriminale për trafikun e saj bën që edhe kultivuesit të bëhen me agresivë. Nuk do të mungojnë rastet e përballjes me armë, ashtu siç nuk kanë munguar edhe në të kaluarën. Por këtë herë situata është tërësisht e ndryshme.
Aksionet e para, kryesisht në zonën e Vlorës, janë shoqëruar vetëm më shkuljen e bimëve të sapombjella dhe asnjë reagim kundër. Nisja e një kontrolli nga ajri do të krijojë një hartë të qartë të zonave se ku është mbjellë bima problematike.
E megjithatë, të gjithë sytë janë të Lazarati, që ka një sipërfaqe shumë më të vogël të mbjellë me hashash, në krahasim me pjesën tjetër të vendit. Por sfida që i ka bërë shtetit ky fshat është kolosale dhe e krahasueshme me shumë pak zona në botë. Këtë gjë e kanë kuptuar edhe vetë banorët e këtij fshati, të cilët në pjesën më të madhe nuk merren me kultivimin e hashashit.
Avioni që ra në Divjakë po përdoret politikisht, si nga opozita, por edhe nga mazhoranca. Por avioni si argument politik do harrohet shumë shpejt, sepse në skenë do të dalë Lazarati…
Shkrimi u përditësua në 28 maj 2014
(d.a/shqiptarja.com)