Studiuesit pretendojnë se janë një hap më pranë krijimit të jetës nga ‘hiçi’, pasi kanë ndërtuar masa të vogla, që dridhen lehtë, të cilat përdorin ADN të prodhuar në laborator për t’u ushqyer, për t’u rritur dhe për t’u shumuar në një enë laboratorike.
Qelizat sintetike u krijuan nga përzierjet kimike dhe besohet se janë të parat që demonstrojnë ciklin e plotë qelizor të rritjes, shumimin gjenetik dhe ndarjes për të prodhuar gjeneratën e ardhshme.
Ky zhvillim hap mundësinë për krijimin e organizmave artificialë të projektuar për të prodhuar ilaçe, ushqime, lëndë djegëse dhe materiale të tjera. Ai mund të ndihmojë gjithashtu në zbardhjen e pyetjes themelore se si grumbullime të caktuara të materies së pajetë kalojnë pragun për të krijuar jetë.
Dr. Kate Adamala, e cila udhëhoqi kërkimin në Universitetin e Minesotës, tha: “Nuk është aq e qëndrueshme, aq e shpejtë apo aq e aftë në shumicën e funksioneve të saj sa një qelizë natyrore, por është një provë parimore se molekulat mund të rikrijojnë sjellje që deri tani i kemi lidhur vetëm me qelizat e gjalla natyrore. Nëse duam të jemi në gjendje të krijojmë biologjinë, duhet të kuptojmë saktësisht planin bazë dhe çdo komponent të tij, në mënyrë që të dimë çfarë po ndryshojmë.”
Ekipi nisi të krijonte me sfera të vogla të mbushura me ujë, të quajtura lipozome, me gjerësi prej disa të mijtat e një milimetri, dhe shtuan një sasi të vogël ADN-je sintetike për të siguruar funksionet bazë.
Qelizat funksionojnë vetëm në një lëng të pasur me substanca jetike si ATP-ja, molekula kryesore që transporton energjinë dhe që qelizat e gjalla e prodhojnë nga lëndët ushqyese. Për t’u rritur, ato bashkohen me lipozome shumë të vogla “ushqyese” që ndodhen në lëng. Këto përmbajnë molekula, enzima dhe struktura mikroskopike të quajtura ribozome, të cilat u nevojiten qelizave për të prodhuar proteina. Gjenomi përmban gjithashtu udhëzimet për t’u kopjuar dhe ndarë.
Qelizat nuk janë të gjalla, por mund të bëhen një platformë mbi të cilën mund të ndërtohet jeta.
Adamala tha se ishte mbresëlënëse t’i shihje qelizat duke u ndarë. “Janë ndër imazhet më të bukura që kam parë ndonjëherë, megjithëse sigurisht jam e njëanshme. Për shumicën e njerëzve, kur i shohin në mikroskop, nuk duken si ndonjë gjë e veçantë… Janë thjesht toptha.”.
Qelizat varen plotësisht nga substancat dhe përbërësit e lëngut ku ndodhen. Këto qeliza nuk mund të ndërtojnë vetë mekanizmat për prodhimin e proteinave, nuk mund të kontrollojnë metabolizmin dhe as të eliminojnë mbetjet. Kur ndahen, shpesh transmetojnë një sasi të gabuar të ADN-së dhe pushojnë së funksionuari pas disa gjeneratash.
Adamala dhe studiues të tjerë po krijojnë një institucion të quajtur Biotic për të bashkuar ekspertizën ndërkombëtare dhe për t’i zhvilluar qelizat në diçka edhe më të avancuar. Synimi është të ndërtohet “një sistem operativ për jetën”, i bazuar në gjene dhe biokimi. Studimi është publikuar si një parapublikim shkencor, përpara rishikimit nga kolegë të shkencës, në mënyrë që laboratorë të tjerë ta shqyrtojnë pa vonesë.
Komente







