Paralajmërimi i Edi Ramës se do të mbante mëngjesin e djeshëm një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp, sapo të kthehej nga SHBA, kapi në befasi dhe trazoi emocionalisht politikën e Tiranës. Në SHQUP dhe në rrethin e flamingove u përhap me shpejtësi versioni sipas të cilit Edi Rama do deklaronte nga Rinasi dorëheqjen pas kërkesës ultimative të shefit të CIA-s për t'u larguar nga pushteti, pasi kupa ishte mbushur me 'love story' SHISH-krim.

Valës së entuziazmit ia zunë shumë shpejt vendin ankthi dhe ethet për qeverinë e re. Deri në orët e para të mëngjesit të djeshëm, u konstituan të paktën pesë qeveri pretendente; Qeveria e SHQUP-it, qeveria e Flamingove, qeveria e Pilinçit, qeveria e Ditmir Bushatit me Elisa Spiropalin dhe qeveria e Gones me Sanço Pançon e tij, Erald Kapri.

Teksa thashethemet për dorëheqjen e Ramës në kokën disa opozitarëve morën trajtën e një realiteti politik, çuni Fahriut, i cili njeh vetëm shkronjat kapitale, përhapi fjalë se priste urime për emërimin në postin e ministrit të Brendshëm, duke renditur si merita betejën e tij kundër Unazës së Madhe, përplasjet me policinë, denoncimet, librin e tij që ia ka shkruar një analist dhe sidomos rezistencën ndaj ofertës së Ramës për t'a bërë ministër të Brendshëm të qeverisë Rama IV, duke dëshmuar besnikëri ndaj Doktorit.

Mëngjesin e së dielës, çuni Fahrit kishte formuar kabinetin e tij, madje kishte 'emëruar' drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, ndërsa ballin e kishte ekspozuar më shumë se sa zakonisht. Krekosja e çunit të Fahriut si ministër i Brendshëm, ndonëse gjysmë imagjinare, pezmatoi Mul Nokën dhe Belo Këlliçin, të cilët nuk e kanë fshehur ambicien e tyre për postin e ministrit të Brendshëm kur PD-ja të vijë në pushtet (nëse do të vijë ndonjëherë).

Muli u qetësua disi kur çuni Fahriut, përmes Lelos, i çoi fjalë se do t'ia lironte postin e ministrit të Brendshëm mandatin e dytë. Ndërkaq, rivaliteti i heshtur për postin e Ministrit të Drejtësisë u ndez mes Gjin Gjonit, Genc Gjokutajt dhe Arjan Ndojës.

Për postin e ministrit të Bujqësisë kanë 'rrahur gjoksin Xhelo Mziu nga njëra anë dhe Saimir Korreshi nga ana tjetër. Gon Gjekmarkaj, Luç Boçi dhe Ina Zhupa ishin 'mprehur' për postin e ministrit të Arsimit. Tritan Shehu dhe Peço Vasili mësohet se kanë zhvilluar edhe biseda paralele me pronarë të depove farmaceutike, secili në silësinë e ministrit të Shëndetësisë.

Pas humbjes së luftës për ministrin e Brendshëm, Belo Këlliçi vijoi betejën deri në mëngjes me Fate Mediun për postin e ministrit të Jashtëm, duke paraqitur të dy si kredenciale album fotosh me senatorë në SHBA.

Mufkat, fërkimet dhe intrigat në SHQUP për ndarjen e posteve qeveritare u qetësuan disi në drekë, kur Edi Rama shthuri ëndrrën që u kishte thurur vetë gjatë natës, duke sinjalizuar se nuk kishte ndërmend edhe disa vite për t'i hyrë punës së artit të punimit të baltës./ Marrë nga Facebook