Një histori me Belindin, që vetë ngre gishtat e mesit teksa Meta ngre dy gishtat e demokracisë

Një histori me Belindin, që vetë ngre gishtat e mesit teksa Meta ngre dy gishtat e demokracisë

Posteri joetik i Këlliçit

Në maj të vitit 2021, pak pasi PD dhe LSI kishin pësuar disfatën e thellë në zgjedhjet e atij prilli, rastisi të përballesha në një studio televizive me Belind Këlliçin. Ishtë një debat i nxehtë sepse i zgjedhuri për herë të parë si deputet, kishte ardhur me një video që nuk provonte asgjë. Bëhej fjalë për makinat private që kapnin militantët e PD në rrugë dhe u shqyenin kroskotët në emër të Strukturave të Mbrojtjes së Votës. Në një rast kishin gjetur një zarf në një makinë diku në Vaqarr. Belind Këlliçi këmbëngulte se brenda kishte lekë, ndërsa unë i kërkoja përse nuk e kishte hapur para kamerës zarfin dhe ta vërtetonte akuzën deri në fund dhe ne të shihnim lekët. Sepse, siç thashë unë, aty mund të ishin dokumentet e makinës apo diçka personale që i përkiste shoferit.. Pasi tentova t’i shpjegoja se nuk kisha asgjë personale dhe isha i vetmi që kisha shkruar në shtyp se Belindi duhej të ishte në listë që në 2017 bashkë me Mateo Spahon, Besard Kadinë etj që i mbajtën gjallë çadrën Bashës, gjithçka ishte e kotë.

Kjo jo vetëm s’e kënaqi, por e acaroi aq sa në një moment tentoi të më prekte në ‘sedër’ me fjalët “Më vjen keq që një djalë i ri si ty flet kështu”. Përgjigja ime ishte pak a shumë se “Do të shohim ty se si do të flasësh nga shtatori e tutje që do të jesh zyrtarisht deputet”. Në fakt këtu nuk bëhej fjalë për një debat mes një të riu dhe një të moshuari. Ne jemi bashkëmoshatarë, por Belindi sapo kishte filluar të përjetonte për herë të parë emocionet e ligjvënësit tipik të PD që nuk kursen as gazetarët, e as mendimin ndryshe. Ndonjëherë duket sikur demokratët e kanë në ADN këtë ndjesi ndaj njerëzve të medias.

Dy ditë pas kësaj historie, Sali Berisha u shpall non-grata nga SHBA. Moderatori i emisionit, ndoshta duke vlerësuar ‘agresivitetin’ tim në debat, më ftoi sërish. Unë nuk e pranova ftesën sepse doja sërish Belind Këlliçin në studio që dy ditë më parë desh me nxori sytë për Lulzim Bashën. (Pak muaj më vonë mori, mandatin dhe kërceu tek Berisha).

Ishte pikërisht ky momenti që ia kisha paralajmëruar në sy se çdo të ndodhte me të si deputet. Jo se unë dija përplasjen e madhe që do të përfshinte PD-në, por dija fjalët e Berishës në 1992 për francezët se “pushteti ka prishur burra më të mirë se unë”. Pa llogaritur ato që kisha parë deri atëherë nga opozita; Çizmen e Kryemadhit, vezët e Hasës, bojën e Palokës dhe fjalorin prej rrugaçi të Vasilit në foltore. Kjo shoqëri e re në Parlament, sipas meje, do ta infektonte Belindin pa asnjë mëdyshje.

E bëra këtë hyrje sot që ai ka filluar të flasë ‘çëmbra’ nëpër video për të treguar se është çun tironc lagjesh që e ka kaluar fëmijërinë nga trendi i të folur mbrapsht, tek loja ‘Koman’ dhe ato goglat rrake-take që çmendnin dynjanë në vakt dreke. Sot, që Belindi e ka çuar fushatën e tij përtej premtimeve me transport falas e tunele në bulevard. Sot, që vetë ka ngritur gishtat e mesit dhe dy gishtat e demokracisë i ngre veç Ilir Meta, si të ishte themelues i PD-së.

Panorama që ofron opozita është më shumë sesa e padenjë. Shqiptarët nuk duhet të harrojnë se Sali Berisha në moshën 79-vjeçare dhe gjysh për të disatën herë, kërcënonte se ka video me orgjira ambasadorësh ndërsa Ilir Meta premtonte prerje duarsh me hanxhar, sipas Sheriatit. Ndaj, pikërisht se qytetarët s’i falin këto lajthitje, Këlliçi duhet ta mendonte kur vendosi së garojë për një forcë politike të Berishës pa emër partie dhe të Ilir Metës me emër të ndryshuar me shpresën se do të harrohen gjynahet e LSI-së.

Sot si votues pres prej Belind Këlliçit qarime për shumë tema, si personi që kërkon të drejtojë bashkinë e kryeqytetit. Fjala bie: Mund të premtosh transport falas, por a nuk duhet të nxjerrësh dy ekspertë e ta sqarojnë si e keni menduar këtë punë? Mund të premtosh një mbikalim nën sheshin Skënderbej, por a nuk duhet të dalë në publik urbanistia apo arkitekti që ta ka mbushur mendjen? Mund t’u thuash qytetarëve se Policia Bashkiake s’do të vendosë më gjoba, por na thuaj kush do të merret me ndërtimet pa leje, parkimet e gabuara dhe trotuaret e zaptuara? Apo askush s’i del për zot këtyre ‘projekteve’ që ngjajnë si të hartuara në kafene. Dhenë fakt, sipas videove që vetë Këlliçi poston, duket se aty e kalon më të shumtën e kohës.

Unë nuk e di kush ia ka këshilluar posterin e fundit me dy gishtat e mesit të ngritur, por di që s’janë aspak gallatë si e folura mbrapsht nëpër spotet e Fejsbukut. Ose ato videot ku kinse një qen i bukur i del përpara në video mirëpo ai s’e prish terezinë dhe neve na duhet të shohim bythën e qenit. Një keqardhje e madhe shkon edhe për disa kolegë brenda Rithemelimit që kanë nxituar ta marrin Belindin  në mbrojtje pavarësisht apelit të komuniteteve fetare dhe disa institucioneve që merren me fëmijët dhe edukimin.

Tirana zgjedh më 14 maj atë që i ka duart me kallo nga puna dhe jo gishtat e “F*ck You” që janë simbol i importuar nga Amerika. Apo mos ndoshta e ka për ata që shpallën non-grata Berishën? Çfarë nuk pret nga këta që fushatën e stisin në kafene sot për nesër! Me zemrën te Saliu, sytë tek Iliri dhe në fund: Gishtin!

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Shaqo: 26/04/2023 10:52

    ...gishtin e mesit ka per te fituar...

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

Meta në 'sulm', Milaim Zeka në 'Frontline': Arrestimet e mëdha bëhen fundjavave! Nuk mund askush të fitojë luftën ndaj Amerikës

Meta në 'sulm', Milaim Zeka në 'Frontline': Arrestimet e mëdha bëhen fundjavave! Nuk mund askush të fitojë luftën ndaj Amerikës