Një histori plot mistere
rreth flamurit të Princ Vidit

Një histori plot mistere<br />rreth flamurit të Princ Vidit<br>
Ngjarjet e vitit 1913 ishin shumë të rënda për Shqipërinë. Luftohej kudo. Ushtritë e vendeve fqinje, po copëtonin dhe dërrmonin Shqipërinë e dobët, për ta servirur në gostinë e pabesë të shteteve triumfuese. Anarkia e brendshme, përçarja, pavarësisht përpjekjeve të Qeverisë së Vlorës, si dhe falimentimi ekonomik po e çonin situatën drejt katastrofës. Ishte kjo situatë që çoi në delegimin e princ Vidit në Shqipëri.

Në 28 nëntor 1912, Qeveria e Vlorës u kërkoi Fuqive të Mëdha njohjen e shtetit shqiptar. Konferenca e Ambasadorëve e njohu pavarësinë e Shqipërisë më 28 korrik 1913 dhe vendosi që “Shqipëria të bëhej principatë autonome, sovrane dhe e trashëgueshme me garancinë e gjashtë fuqive që do të zgjidhnin Princin. “Detyra për zgjedhjen e sundimtarit, iu la Austro-Hungarisë dhe Italisë. Ato propozuan gjermanin Vilhelm fon Wied. Në nëntorin e vitit 1913, Fuqitë e Mëdha e pranuan këtë propozim. Gazeta PERLINDJ E SHQIPENIES, dt 27, Vjeshta III, 1913, f 6, shkruante:
 

                                   “Princi Wied në fronin e Shqipëniës

     Gazeta Frankfurter Zejtung shkruan që krejt Fuqiet e Mëdha kanë pelqyer kandiaturen e princit Ëied në fronin e Shqipëniës.

     Regji Karol i Rumaniës, ungji i princit, i ka treguar Fuqëve qyshket (konditat) të kerkuar nga nipi i tij.

     Fuqiet’ i kanë pranuar dhe j’a kanë deftuar qeverriës së perkohshme të Valonës që Ëilhelmi de Ëied âsht i zgjedhur nga ana e tyre per princ. Qeverria e pertashme ka me mbledhur tani në Vlonë krejt perfaqësonjësit’ e fisëve shqipëtare nga mesi i dhetorit kú ka per t’u bâ e zgjedhura formale e princit.

     Mbasi të behet e zgjedhura një komitat shqipëtarësh ka me vajtur në Potsdam m’i paraqitur Ëilhelm Ëieldi-t fronin. Në kallnuër mandej princi e principesa Ëied kanë me marë në dorë principatin”.

            Edhe rrethet borgjeze patriotike shqiptare e pritën me gëzim këtë zgjidhje, që do t`i jepte fund përçarjes dhe anarkisë nëpërmjet formimit të një qeverie të vetme, që do të bashkonte Shqipërinë. Për t`i ofruar kurorën princ Vidit, shkoi në Noi Vid, në Gjermaninë Jugperëndimore, një delegacion shqiptar prej 14 vetësh, i drejtuar nga Esad pashë Toptani. Kurora iu dorëzua Vidit, prej këtij të fundit në 21 shkurt 1914. Princi erdhi në Durrës me 7 mars 1914, i shoqëruar nga anijet e flotës së Austro-Hungarisë, Anglisë, Francës dhe Italisë. Ferdinando Salleo, në librin e tij “Shqipëria gjashtë muaj mbretëri”, shkruan: “Kapiten i Shtatmadhorisë gjermane, ushtar me një ndjenjë të fortë të nderit dhe detyrës, por pa kurrfarë përvoje diplomatike, apo në punët e qeverisjes, Vilhelmi i Ëied-it do t`i hynte një aventure të pashoqe, që veç të tjerash lypte talent të jashtëzakonshëm dhe sidomos, fat”.

    flamuri

 

Krijimi i simboleve

 

Që përpara ardhjes në Shqipëri, Princ Vidi ishte interesuar për të krijuar flamurin e principatës dhe simbolet e tjera. Në shtypin e kohës mund të lexoheshin herë pas here njoftime lidhur me këtë çështje. Për shembull, gazeta “Përlindja e Shqipëniës”, që ishte dhe gazeta zyrtare e Qeverisë së Vlorës, shkruante më 29/11 Kallënduar 1914, që sipas kalendarit te ri i bie 11 janar 1914, kështu:

                   “ SI DO BAJË PRINCI ËIED

                    ARMURËN E SHQIPËNIËS

Pas sa shkruan gazeta Reichpost një nga kujdeset mâ të para të Princit Ëied ka për të qenë ay që t’i bêjë armët shtetit të ri. Këto armë a kjo armaturë do të jetë shqiponja e Skanderbegut me dy krena që do të kenë në parzëm armët e Princit Ëied, që janë nji pavon pallua që ka të përshtjellun bishtin në shtresën e florinjt”.

 Po kjo gazetë shkruan me datën “5/18 Shkurt 1914 faq’3

flamuri

                         Flamuri i Shqipëniës e uniforma e Princit

Nga Vjena e lajmërojnë gazetën “Temps” se arma e Shqipëniës ka për të qenë kështu; një shqiponjë me dy krena dhe me shqeta ndër theterra, një hyll’ i bardh mbi dy krena dhe në parzem shqyti i Princit Ëied qe perbahet nga një pavon që sillet per rreth.

Të një robaqepës i Parizit âsht porositun uniforma mbretënore e Princit Ëied.

Fëtyra që âsht berë per të diftuar petkat e uniformës të princit âsht shum e bukurë”.

Shtypi i atyre ditëve shkruante vazhdimisht lidhur me këtë çështje.

Në datën 19 shkurt 1914 nën titullin “Arma e Shqypnies”, në organin “Shqypnija e Re”, botohej ky njoftim: “Arma e Shqypnijës ka me kenë:  nji shqype e zezë me dy krena, me shigjetë për çaponj, ni fushë të kuqe. Midis dy krenave të shqypes ka me kenë një hyll i bardhë, e midis gjoksit të shqypes ka me kenë arma mbretnore e princit, nji pavonë”.

 Më 28 shkurt 1914, gazeta “Përlindja e Shqipëniës” shkruante: “Kurora e Shqipërisë prej ari e me astar të mëndafshtë ka dhjetë maja. Maja e mesit që asht ma e shkurtën nga të tjerat, ka përsipër yllin e Shqipnisë me 5 çipa. Në mantel në mes ka shqiponjën dykrenare të Shqipnisë me gjuhën e kuqe e me katër rrufe ndërthonjë. Veç kësaj, shqiponjës i është shtuar një mburojë a shqyt, me armët: palloi me fushë të artë, i lyer me të kuq e me të zezë... Princi do të quhet Karl-Viktor-Scanderbeg”.

Në të njëjtën gazetë në datën 4 mars shkruhej se Vidi do të proklamohej regjent i Shqipërisë, pasi të kishte mbushur një vit, prej ditës së dorëzimit të kurorës, pra më 21 shkurt 1915.

Ekzistojnë të gjitha mundësitë që flamuri të jetë përgatitur në Gjermani. Kjo vërtetohet edhe prej disa të dhënave teknike. Flamuri ka përmasa 156x140 cm, pra gati katror. Copa është një pëlhurë e hollë dhe e leshtë, e ngjyer në të kuq. Thuajse në të gjithë sipërfaqen e tij, nga të dyja anët është “stampuar” me spruco një shqiponjë e zezë dykrerëshe, aspak e ngjashme me shqiponjën e flamurit tonë. Ka ndryshime në krahë, kthetra, e sidomos në dy krerët, tepër të vegjël, për atë madhësi shqiponje. Në gjoksin e saj dallohet shqyti i verdhë dhe një pallua blu. Është ky një shartim i simboleve shqiptare me ato të familjes së fon Ëied. Ky flamur u shpalos në Durrës në 7 mars 1914. Gazeta “Dielli” e datës 28 nëntor 1928 shkruante: “ Me 7 tє Marsit, Flota hyn nє limán tє Dúrєsit, edhé Flámuri i Shqipєrisє lartєsohet nє Pallát tє Mbretit”. Gjashtë muaj me radhë ai shoqëroi ceremonitë princërore dhe të gjitha ngjarjet, që shoqëruan qëndrimin e princit, deri në 3 shtator 1914, ditën e largimit të tij. Në lidhje me këtë  Fan Noli do të shkruante “Mund të kritikohej, vetëm se nuk arriti të bënte mrekullira”.

Identifikimi i flamurit

Për gati një shekull ai u harrua, madje për 60 vjet me radhë u konsiderua i humbur. Ai u gjet vetëm nëntëmbëdhjetë vjet më parë, më 23 tetor 1998. U mor menjëherë në laborator për ta konservuar. Merita e identifikimit të flamurit të Princ Vidit i takon studiuesit Jaho Brahaj. Kjo ndodhi në vitin 2003.

Gjatë të gjithë kohës më kanë tunduar të fshehtat e tij, e më kryesorja, pronësia e poseduesit. Duhej kërkuar nëpër arkiva! Dhe duke kërkuar gjeta dokumente që flisnin për veprimtarinë e Muzeut Kombëtar, e midis tyre një që lidhej me dhurimin e flamurit të Princ Vidit. Është kjo e mëposhtmja: 

ASH. Fondi 195, Viti 1930, Dosja 122, Faqe 169.

Lexohet kjo shkresë:

Mënistërijës së Arësimitë

                                                Q y t e t

     Kemi nderin të sjellim ndë dijë të Shkëlq. Ministërijë se Zotërija e tijë Zoti Rauf Fico, përveç sendevet (318 copë) të shënuara ndë Fletën me ditë 14 të këtijë  të mpështeturë pas shkresës s’onë ni 151/336 të po asaj dite, pati mirësijën t’i falinj  Bibliotekës dhe Muzejës Kombëtare:

     (Listohen  librat e të dhuruara), e pastaj:

     1 flamur të Shqipërijës që pat gjeturë mbë 1916 të harruarë ndë një zgëq të pallatit të Prenc Vijditë ndë Durrësë.

     Tiranë 24 Vjesht e Tretë 1930  

                                                Drejtori”CX

 

     Pra Rauf Fico ësht ai që e gjeti flamurin të braktisur në një kënd të pallatit ku banoi Princi, e mori, e ruajti dhe më vonë e dorëzoi në Muzeun Kombëtar.  

Flamurit i mungon një pjesë e tërë nga e djathta e tij. Pse?    I bërë kurioz për këtë dëmtim të flamurit dhe restaurimin dosido, herë pas here jam munduar  të gjej shkakun e vërtetë. Kam vëzhguar shumë flamuj që valaviten, nëpër shtylla, e kudo, për të parë se çfar ndodh me ta dhe vetëm rastësisht, duke udhëtuar me vaporr në linjën Korfuz-Ambraki pashë flamurin e anijes që valavitej si i tërbuar. Pjesa e tij, që është në të kundërt të vendit ku kalon litari, ishte shqyer si në rastin e flamurit të Princ Vidit. Pastaj vëzhgova, e vëzhgova shumë raste të tjerë dhe bëra krahasimet edhe me flamujt që valaviten në shtylla në tokë. Dëmtimi i flamujve ndodh në pjesën që valavitet më shumë dhe më me forcë dhe kjo ndodh nga një erë e fuqishme, e vazhduar, që mund të fryjë në hapësirën detare. Po në tokë? Dhe pallati ku banoi princi ishte fare pranë detit! Princ Vidi qëndroi  në Shqipëri në muajt mars-shator, në një sezon pa erëra të fuqishme, që do të shkaktonin dëmtimin deri në shkatarrim të flamurit. Por gjithmonë mbetet në hapësirat e hamendësimit. Se ja, Z. Artan Lame paraqiti në ekspozitën që u bë në Kryeministri me rastin e njëqint vjetorit të shtetit shqiptar nje foto bardh e zi të ndërtesës ku banoi Princ Vidi, mbi të cilën valavitej i njëjti flamur, por i pa dëmtuar. Mos kanë qenë dy? Princ Vidi ka sjell me vete shumë flamuj dhe jo të gjithë njësoj.

Eh, kështu pluskojnë mendimet kur nuk ke dokumente!....

     Dhe duke i u kthyer përsëri flamurit për të cilin po diskutojmë: në pjesën që i mungon dikush i ka qepur me makinë, një pëlhurë të kuqe të mëndafshtë, që është sa gjysma e tij, e mbi këtë pjesë të shtuar ka modeluar me copë të zezë, flatrat e dëmtuara të shqiponjës. Nuk dihet nëse ky dëmtim i ka ardhur flamurit para ikjes së Princ Vidit, madje nuk dihej asgjë për fatin e tij për gati shatatëdhjetë vjet rrjesht. Sipas Rrok Zojsit, në vitin 1947, dikush i dorëzoi këta flamuj për ruajtje në Institutin e Shkencave, por për këtë nuk ka asnjë dokumentacion. Në vitin 1957, me krijimin e Universitetit Shtetëror të Tiranës, këta flamuj së bashku me fondin etnografik i kaluan Institutit të Historisë dhe Gjuhësisë, e pastaj në vartësi të organizimeve  të njëpasnjëshme në Institutin e Kulturës Popullore, në Institutin e Antropologjiosë Kulturore dhe Studimeve të Ariti pranë qendrës së Studimeve Albanologjike dhe aktualisht të Akademisë së Studimeve Albanologjike.

Flamuri i Princ Vidit, u ruajt gjatë kohërave pa i a ditur historinë, por duhet të zërë vendin që i takon në ngjarjet historike të Shqipërisë. Madje, e pse jo, për të duhet të ketë një vitrinë të posaçme në Muzeun Historik Kombëtar.

***

Në gjendjen e hutimit ku ndodhej atëhere Shqipëria askush nuk e kishte mendjen në koleksionimin e objekteve si vula identifikuese  të historisë kombëtare. Ndonjë akord i vetëm ishte një solo, që nuk mund të krijonte simfoni. Është vërtet fat po të kesh objekte të asaj periudhe kohore. Një fat të tillë të rrallë e ka edhe Muzeu Historik i Lezhës: atje ruhet një flamur i vetëm i shtetit shqiptar gjatë muajve të pranisë së Princ Vidit. Nuk dihet historia e tij, por le ta ngopim kureshtjen tonë me faktin. Koha e ka kursyer atë flamur, ai  ruhet në gjendje të mirë. Që  nga viti 2012 ai qëndron i shtrirë në një vitrinë të Ekspozitës së Forcave të Armatosura. Vendi i tij nuk është as në Muzeun Historik të Lezhës. Zemërgjerësia dhe mirëkuptimi duhet ta  nderojnë në Muzeun Historik Kombëtar.

flamuri

d.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?



×

Lajmi i fundit

Hetimet e SPAK mbi Kadastrën, arrestohen dy persona për ushtrim të ndikimit të paligjshëm (EMRAT)

Hetimet e SPAK mbi Kadastrën, arrestohen dy persona për ushtrim të ndikimit të paligjshëm (EMRAT)