Një histori shumë personale/
Nga Alma Nikolli

Një histori shumë personale/<br />Nga Alma Nikolli
Një ditë dimri, jo si ky i sivjetshmi, pakëz më pak i ftohtë, para se të nisesha në shkollë shkova të përshëndes pak gjyshen.

Po mbante duart e mia në të sajat kur i ndryshoi fytyra e paqtë që gjithnjë kishte. "O po ti i ke duart akull", tha dhe mi mori më pranë vetes.

Mi mbante aty, 4 duar. Merrte nga ftohtësia ime për të më dhënë nga ngrohtësia e saj. Unë rrija aty ulur, pa e ditur mirë ç'po më ndodhte, ama doja të zgjaste në përjetësi.

Kaluan muaj. Ishim prapë katër duar, të asaj akull e të mijat të pafuqishme që t'ia ngrohnin...edhe pse diell.

Iku. Ashtu me duart akull.

Tani kanë kaluar vite, por nëse unë shoh duart e mia të akullta apo të valta mendoj vetëm atë. Edhe kur zgjohem pas një ëndrre, atë mendoj.

Por sonte s'e mendova as për duart e as për endrrat, e mendova kur po kërkoja në vete një pikë optimizëm, që ta kisha. Para gjumit njeriu ka nevojë të falë veten e botën dhe të flerë me mendimin se ka pse të zgjohet nesër hareshëm.

E nesër ka me qenë nxehtë, "me u kall zogu në fluturim" ama, ka me qenë nesër.

Më ankohen shoqet e shokët, ju dhemb koka a barku, ndonjëherë faj s'kanë. Ju dhemb, rroga, bota, zilia, pushimet që s'i kanë, prapë s'kanë faj.

E dini pse? Se nuk patën një gjyshe si timen! Që në jetë theu të dyja këmbët e të dy krahët. E pickoi gjarpri e urithi. E disa të tjera, deri sa një ditë në nxitim nuk i ra gjatë e këputi gardhin shkurt, duke parë zorrët t'i binin në livadh.

Por jo, asgjë nuk i ndodhi, veç u bë më e fortë e jetoi për fëmijët e ne. Kurrë, po kurrë nuk dëgjova fjalët "më dhemb" e "keq". Kur gjeti pak qetësi pati edhe të fundit goditje që ia bllokoi hapat, gjënë që më mirë diti të bëjë.

S'mund të ecte por duke parë ne që shkonim drejt saj, ndoshta harronte se ka ditur ta bëjë ndonjëherë. Jeta e ndëshkoi prapë, s'e la me aq. I mori dhe të birin, e prapë kishte jetë, vuajtje e buzëqeshje, derisa erdhi momenti kur duart e mia të pafuqishme prekën të sajat për të fundit herë.

Mendoj këtë, jo pa lot e gëzim...dhe pastaj kam njëmijë arsye të fle si engjëjt që nuk e di si janë, por di se ç'gjyshe kanë.

❤️

alma nikolli

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ervin Salianji dënohet me 1 vit burg për kallëzim të rremë, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kthjellime dhe vranësira, si parashikohet moti për sot

Kthjellime dhe vranësira, si parashikohet moti për sot