Të më falni, zoti Llalla, por, si mjek, e shoh të arsyeshme t'u jap një mendim, mund ta quani edhe këshillë prej mjeku, siç jam. E pranoj që, në kuadër të një debati parlamentar midis dy personaliteteve të larta të shtetit shqiptar, siç jeni ju, si Prokuror i Përgjitshëm dje zoti Majko, si ish-kryeministër, fjala ime, si një qytetar i thjeshtë, nuk ngre peshë. Megjithatë, të shpresojmë se nuk do ta shpërfillni, por do ta dëgjoni këshillën e doktorit. Vlen të përmendet edhe fakti që keni patur kѱto ditë edhe këshillën e dr. Arvizu, që dha këtë “recetë”: "Së pari, merreni me hapa të matur. Reforma është një maratone dhe jo një garë shpejtësie!" Ju e dini. Zoti Llalla, që dr. Arvizu nuk është diplomuar për mjekësi, por për diplomaci, megjithatë, personalisht do te thoja se të dyja këshillat sëbashku do t'ju ndihmojnë ju për të "shëruar" institucionin e Akuzës nga infeksioni i rëndë, nga i cili është përfshirë aktualisht.

Kam bindjen se deklaratat e ministrit Beqaj se “ne jemi të përgatitur për të përballuar një epidemi të mundshme të Ebolës në Shqipëri” nuk kanë ndonjë vlerë të veçantë, në rast se Ebolën dhe pasojat e saj i shohim në raport me rritjen e krimit dhe pasojat e tij në Shqipëri. E themi këte se dihet që nga Ebola deri më sot kanë vdekur rreth 4.000 njerëz në një botë ku jetojnë jo më pak se 6 miliardë, ndërsa vdekjet nga krimi i organizuar në Shqipëri janë shumë më të larta se vdekjet nga Ebola, nisur nga fakti se në vendin tonë jetojnë jo më shumë se tre milionë njerëz. Ndërkohë, do të thosha edhe se Bota ka shpresë që së shpejti të zbulohet vaksina kundër Ebolës, por shqiptarët ende nuk shohin një dritë jeshile - një shpresë - për të shpëtuar nga epidemia në rritje e krimit të organizuar.

Ideja e shprehur nga ju në debatin me z. Majko se "Për të luftuar krimin e organizuar është e domosdoshme rritja e fondeve dhe, në veçanti, rritja e numrit të prokurorëve në stafin e organit të Akuzës", jo vetëm që është e parakohshme, por edhe e paargumentuar. Natyrisht, ju keni mendimet dhe bindjet tuaja, z. Llalla, por unë personalisht e shoh të arsyeshme t'u them se në Romën e lashtë, kur bindte murtaja, romakët i digjnin viktimat për të shpëtuar Romën, sepse bacili i murtajës në atë kohë ishte potencialisht i rrezikshëm dhe absolutisht i pamundur të luftohej. Pra, shkurt e qartë, vetëm zjarri garantonte zhdukjen e murtajës.

Zoti Llalla!
Unë, si mjek dhe si qytetar, po ju them se, për të shpëtuar Shqipërinë dhe shqiptarët nga epidemia në rritje e krimit të organizuar, ju duhet të bëni pikërisht atë që bënë romakët për Romën.
Argumentat pse ju duhet ta bëni këtë: Së pari, ju rikujtoj edhe një herë këshillën e dr. Arvizu; së dyti, rritja e fondeve dhe rritja e stafit të prokurorëve është absolutisht, për momentin, një gabim i madh dhe alogjik për arsyen e thjeshtë se, sa më shumë rriten fondet dhe sa më shumë rritet numri i prokurorëve, aq më i madh do të rezultonte shpërdorimi i tyre nga vetë ky institucion, nga vetë prokurorët.

Këtë e thëm nisur nga praktika e deritanishme. Asnjë qeveri nuk e ka lënë pa fonde e pa personel Prokurorinë. Porn ë shumë raste kanë qenë vetë prokurorët mbrojtës të autorëve të veprave penale. Kështu, ata kthehen në bartës të ”murtajës” dhe përhapës të saj, duke shkaktuar katastrofën e pafrenueshme të rritjes së krimit, me pasoja të pallogaritshme për shoqërinë shqiptare sot.

Natyrisht, jo të gjithë prokurorët janë bartës të “murtajës”. Edhe romakët, jo të gjithë infektoheshin nga murtaja. Por, natyrisht, çdo prokuror i infektuar përbën një rrezik potencial për të përhapur infeksionin tek kolegët e tij dhe ai duhet larguar sa më parë.

Kush e vrau Konstandin Xhuvanin? Do të thoni që Konstandini është gjallë. Ndërsa unë them jo; atë e vrau prokurori, sikundër për faj të këtij prokurori u vranë edhe katër persona, për të cilat organi tuaj sot akuzon Konstandinin. Në rast se Konstandini do të ishte dënuar, bazuar në ligj, që në krimin e parë në mënyrë shembullore, ai do të ishte sot ende në burg dhe nuk do të bënte krimin e dytë, që denoi edhe familjen e tij me vdekie morale. Po të kishim një prokuror normal, Konstandini do të ishte sot nën një trajtim mjekësor, në një nga klinikat psikiatrike dhe nuk do të trondiste Shqipërinë me krimin e dytë makabër. Unë do të shkoja deri në ekstrem, duke e cilësuar prokurorin e çështjes një serial killer. Megjithatë, ndaj këtij prokurori deri më sot ende askush nuk merr mundimin të ngrejë një akuzë. Këtë duhet ta bëni ju, zoti Llalla!

Do t’u sjell edhe argumenta nga eksperienca ime më prokurorët tuaj, konkretisht nga ngjarjet e përjetuara në sallën e gjyqit me prokurorinë e rrethit gjyqësor Vlorë, në jo më pak se … 580 seanca gjyqësore, me jo më pak se 10 prokurorë. Mua, si qytetar, nga përballja me ta, nga qendrimi i prokurorëve që janë marrë me çështjet e mia, më është krijuar bindja se kemi të bëjmë me një farë agjencie private të mbrojtjes së krimit, pasi nuk kam parë në asnjë rast që prokurori, në veprimet e tij, të udhëhiqet nga Kushtetuta dhe ligji, duke dëmtuar rëndë interesat dhe të drejtat ligjore të qytetarit në vendosjen e drejtësisë.
Raste konkrete? Sa të doni!

Prokurori Edison Ademi, në procesin gjyqësor ku jam unë palë, për një periudhë shtatëvjeçare nuk ka bërë absolutisht asnjë hetim ndaj noteres Drita Aga, megjithëse kam bërë zyrtarisht kërkesë për ndjekje penale për falsifikim dhe përdorim të dokumentave të falsifikuara. Po ky prokuror nuk ka respektuar as dhe dy vendimet e Gjykatës së Apelit Vlorë dhe as vendimin e prokurorit epror (të Apelit) vendime, që detyrojnë çdo prokuror të fillojë hetimet.

Kjo ka sjellë një dëm të madh e të pariparueshëm për interesin e qytetarit, që janë ekonomike si dhe dëme jomateriale. Kështu, mjafton të përmend faktin se, në këto tetë vjet, për këtë proces gjyqësor, jam detyruar të vij 12 herë nga SHBA dhe çdo udhëtim më ka kushtuar jo më pak se 3.000 dollarë. Më ka lënë të kuptoj qartë se çështja e pronës sime është bllokuar nga ky prokuror, në bashkëpunim me noteren në fjalë dhe me oficerin e Policisë Gjyqësore Altin Aga, që “rastësisht” na qenka … i biri i noteres!

Z. Llalla!
Më është krijuar bindja në vite se në institucionin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë nepotizmi dhe konflikti i interesit i ka rrënjet e thella. Ky është një organ i bunkerizuar, që vendos në bazë të interesave të një lloj agjencie private të krijuar nën petkun e nëpunësit shtetëror, të cilëve u duhet ky petk, që vendimet t’i marrin në emër të Republikës. Për tetë vjet rresht, ky prokuror dhe kjo Prokurori paguhet nga taksat e shqiptarëve që të bëjë punën e vet, por, të paktën sa i përket rastit tim, nuk ka ndërmarrë asnjë veprim, duke shpërdoruar apo, më shkoqur, duke vjedhur shtetin dhe qytetarët.

Rezultati i mënyrës se si ka punuar ky zyrtar i shtetit tim (jam qytetar shqiptar dhe qytetar amerikan), me veprimet dhe mosveprimet e tij, është që prona ime, deri në këtë moment, të qendrojë e grabitur nga hajdutët. Ndërkohë, ky prokuror ka dhënë kontributin e tij direkt që zonja notere të grabisë pronën publike dhe të ndërtojë pa leje një goxha pallat modern trekatësh, vetëm 10 metra larg Prokurorisë, para të cilit zoti prokuror dhe kolegët e eprorët e tij kalojnë dhjetëra herë në ditë. Megjithë akuzat e ngrirura prej meje ndaj noteres, ky prokuror kafetë i pi me të dhe me të birin e saj, duke u “dhënë imunitet” nga i tiji.
Po ju tregoj edhe një rast tjetër.

Fjala është për prokurorin Kreshnik Ajazi, i cili ka ardhur rregullisht në sencat e mia gjyqësore, ku shpesh e kam parë në gjendje të alkoolizuar, duke mos e patur për gjë të bëjë edhe dëshmi të rreme. Si ka kurajon një zyrtar, që ka shkaktuar me aksident edhe vdekjen e një njeriu, duke lënë pa nënë pesë fëmijë, krim, që ja kanë mbuluar, natyrisht, kolegët e tij, për çka ju kam vënë në dijeni edhe Ju, me anë të një sinjalizimi në emrin tim, të përfaqësojë ende shtetin? Sinqerisht, e ndjej veten të fyer që një njeri i tillë të më çirret me fjalët “I pandehur, mos fol pa leje!”

Rëmoni në letrat që u nis populli, zoti Lalla, se ndoshta e gjeni sinjalizimin që u kam çuar për vartësin tuaj!
Po kështu, po u them se, që prej gjashtë muajsh, duhet të keni në zyrën tuaj kallëzim penal në emrin tim për prokuroren Flora Çela, për shpërdorim të detyrës dhe mashtrim para Gjykatës, por unë nuk kam një përgjigje nga ju apo nga zyra tuaj.

Ndërsa, për prokurorin Kol Hysenaj ju duhet të keni kërkesën e prindërve për zëvendësimin e tij në çështjen penale 5705/12 të vdekjes së fëmijës Denis Almadhi, ku ky prokuror ka vepruar në kundërshtim me ligjin dhe ka falsifikuar aktet e procesit gjyqësor, por familja deri më sot nuk ka marrë përgjigje nga ju, ndonëse kjo kërkesë ndodhet pranë zyrës tuaj që nga data 23.03.2014!

Mund të përmend edhe emra të tjerë, por po e përfundoj me prokuroren Vojsava Starova, për të cilën keni një material të veçantë. Edhe kjo prokurore, për një periudhë 6-mujore, nuk ka bërë absolutisht asnjë hetim dhe me arrogancë nuk të lejon të bisedosh dhe nuk denjon të të shpjegojë se çfarë është bërë me kallzimin tënd penal!

Duke përfunduar për sot, pasi është e pamundur që moria e fashikujve të Prokurorisë për një periudhë tetëvjeçare të trajtohen në një artikull gazete, do t’i kthehesha edhe një herë asaj që nisa në fillim. Ka ardhur koha që institucioni i Akuzës të shohë me seriozitet vetveten dhe të kalojë në skaner çdo prokuror, ku puna e secilit të vlerësohet nga efiçienca e tij, mbi bazën e standardeve të parapërcaktuara, në themel të të cilave të jetë qendrimi para ligjit themelor të shtetit dhe qendrimi moral i çdo prokurori.

Mos kërkoni shtesë personali, kur keni shumë për të hequr ndër ata që, jo vetëm që nuk bëjnë punën, por përbaltin çdo ditë institucionin e Akuzës, emrin e shtetit shqiptar dhe prestigjin e zyrtarëve të veshur me togë në Gjyqësor, që paguhen me paratë tona. Në këtë institucion – keni liri të plotë të hetoni, por nuk e di pse nuk e bëni! - nuk duhet të ketë vendë për njerëz të lidhur me krimin e organizuar.

Bindja jonë është se, pasi të eliminohen bartësit e “murtajës”, në këtë vend duhet ta rindërtojmë institucionin, me qëllim për ta rilindur atë. Lidhur me kërkesën tuaj për më shumë mbështetje financiare e njerëzore për Prokurorinë, personalisht do t’i sugjeroja Kuvendit që të jetë shumë i kujdesshëm, pasi çdo fond i hedhur pa u menduar mirë dhe çdo emërim i ri i pastudjuar dhe ”i pasterilizuar” më parë, do të ishte me pasoja fatale…
Ndoshta jam një ëndërrimtar, zoti Llalla, po gjithsesi ende kam besim se ju mund të ndërmerrni diçka pozitive në sektorin ku drejtoni!


 Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 22 Nëntor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)